Fundamenti

Anda Kryeziu, muzikantja shqiptare në Zvicër

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Është 21-vjeçare. Studion për piano dhe kompozim në Lucern në Zvicrës. Disa prej paraqitjeve të saj të gjertanishme janë pritur mjaft mirë në Zvicër. Po flasim për Anda Kryeziun, studenten dhe muzikanten e re shqiptare. Studentja kosovare, Anda Kryeziu, merret me projekte të ndryshme të muzikës klasike dhe kontemporane.

Gjatë një bisede për “Zërin”, Anda na tha: “Në këta dy muajt e fundit kam qenë më produktive. I kam pasur dy vepra të reja, njëra që quhet “Passport”, është performuar në tri qytete të Zvicrës, kurse tjetra që quhet “Doublethink & Lucid” është performuar në qytetin e Lucernit, ku edhe studioj”. Më tej, Kryeziu na sqaroi se “Passport” është e kompozuar mbi poezinë e Mahmoud Darwish-it, ndërsa premiera e re, “Doublethink & Lucid” përbëhet prej dy miniaturave për ansambël të madh.

“Përndryshe, jam krejtësisht e dedikuar në studime. Aktualisht jam në organizim të projekteve të radhës për koncerte, si dhe për muzikë kamertale,” na tha ndër të tjera muzikantja e re, Anda Kryeziu.

Uji Dea

Ne u interesuam më shumë rreth dy projekteve të saj të performuara para publikut në Zvicër. “Projektet ‘Doublethink’ dhe ‘Lucid’ kanë qenë premierat e fundit dhe aktuale. Këto janë performuar në festivalin “New Music Days”. Vetë përshkrimin që vjen në titull, “Doublethink” dhe “Lucid”, jam përpjekur që ta transferoj në metodë kompozicionale. Koncepti “Doublethink”, që vjen nga idioma e George Orwell-it tek romani “1984”, ka të bëjë me emërtimin e fenomeneve me një entitet diametralisht të kundërt semantik,” tha Kryeziu, duke na sqaruar se si këtë metaforë e ka përdorur në proces të punës, ku e ka kufizuar veten vetëm në një akord, të cilin e manipulon duke e ekspozuar në forma të ndryshme, dhe si rrjedhojë, duke ia demaskuar potencialet minimale dhe maksimale të energjisë harmonike. “Ndërsa – tha në vijim Anda – në “Lucid”, duke u referuar në një semiozë vizuale, kam konstruktuar sipërfaqe tingullore, të cilat i montoj duke iu shmangur friksioneve, dhe duke e ruajtur atmosferën e dëshiruar”.

Projekti tjetër i Anda Kryeziut, “Passport”, që u shfaq para publikut të tri qyteteve zvicerane, është një vepër që, siç na tha vetë Anda për “Zërin”, “për të kam ndjerë një përgjegjësi tepër të madhe, pasi që e kam kompozuar nën tekstin e Mahmoud Darwish-it, poetit të njohur të kauzës palestineze”. Për fund, artistja e talentuar, Anda Kryeziu, shtoi se tema e “Passport”-it është një temë e cila përputhet me çdo situatë politike ku ekziston fenomeni i shtypjes, aparteidit dhe izolimit, të thurur me një gjuhë veçanërisht të sofistikuar poetike, duke potencuar njëherazi se “kjo vepër është performuar në Bazel, Cyrih dhe Lucern. Unë kam qenë e befasuar dhe shumë e kënaqur nga “rezonimi” që kanë pasur shfaqjet në publik”.

Pa dyshim që Anda Kryeziu është një talent i paçmueshëm i muzikës shqiptare, për të cilën shpresojmë që së shpejti do të dëgjojmë vetëm lajme nga sukseset e saj dhe shpresojmë që, duke i arritur majat e sukseset në këtë lëmi, të bëhet një përfaqësuese e denjë dhe e rryer, jo vetëm e muzikës dhe kulturë sonë, por përgjithësisht e shoqërisë kosovare./zeri/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.