Anamorava Festive
Gjilan – Komunat e Anamoravës, Gjilani, Kamenica e Vitia i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të festuar në mënyrë festive e të dinjitetshme datën e 17 shkurtit. Qytetarët thonë se kanë shumë arsye që në këtë ditë të ndihen të lumtur e krenar. Jemi shtet dhe festa na takon neve shprehet Shabani nga Bresalci.
Anamorava sot duket krejt ndryshe. Flamuj gjithkund të vendosur dhe agjenda e komunave Gjilan, Kamenicë e Viti është e mbushur me aktivitete e programe të pasura.
Edhe qytetarët ndihen të relaksuar e të gëzuar që 17 shkurtin e festojnë si ditën më të veçantë në jetën e tyre. Shabani nga Bresalci thotë se nuk e harron kurrë 17 shkurtin 2008. “Vërtet kam pasur shumë emocione e gëzime. Ishte viti i tërë shqiptarëve, një ditë që e kishim pritur me shekuj. Pse mos ta festojmë sot. Me shumë kënaqësi bile. Kjo që po festojmë nuk do të thotë që pajtohemi me tërë gjendjen e krijuar në Kosovë, por dhuna e shkatërrimi që po i bëhet shtetit, Kosovës e pasurisë private është e pafalshme” shprehet ai.
Ndryshe Komuna e Gjilanit ka shpalosur agjendën e aktiviteteve për 17 shkurt 2016. Aktivitetet për këtë festë kanë filluar nga 15.02.2016 me shfaqjen Repriza teatrale “Jetë me qera”, duke vazhduar ditën e martë me Baletin e Kosovës me shfaqjen: “Dasma”, kurse të mërkurën bëhen Homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve dhe tek Lapidarët, për të vazhduar me Koncertin Festiv për Fëmijë, dhe koncertin Festiv Rrok muzikë me grupet e qytetit, për të përmbyllur këto aktivitete me 18.02.2016 me një Koncert Festiv nga Artistët e Gjilanit dhe artistët e Tetovës./rajonipress/


