Anamorava e Gjilani në festë

Gjilan – Për nder të festës së 28 nëntorit kanë uruar liderët e Anamoravës, Qemajl Mustafa, Shaip Surdulli, Bajrush Ymeri, Nexhmedin Arifi, Lutfi Haziri, Rexhep Kadriu, Sokol Haliti, Sadullah Kadriu dhe personalitete e qytetarë të shumtë. Gjilani është veshur i tëri me flamuj dhe ky është moment i rrallë që duhet festuar thonë disa nga qytetarët.
Gjilani edhe pse në kohë fushate, megjithatë është stolisur si duhet me flamuj për të shënuar këtë ditë të rëndësishme për shqiptarët. Shumë nga qytetarët e kontaktuar nga rajonipress thonë se kjo ditë për ta paraqet një ngjarje të paharrueshme dhe moment të veçantë në jetën e tyre.
Hasan Sadriu mësues në pension thotë se kur sheh flamujt në qytet bëhet shumë krenar dhe ndihet mirë.”Vërtet më emocionojnë flamujt sepse i kemi të mirë të dytë. Unë gjithmonë e kam festuar këtë ditë dhe sigurisht që nuk e harrojë lehtë nga kujtesa ime. Po më vije mirë që megjithatë shumë gjenerata tonat po e ruajnë këtë ditë dhe ende kanë vullnet për ta festuar e përkujtuar edhe nëpër shtëpitë e tyre” tha Sadriu.
Edhe Shabani një qytetar tjetër shprehet me shumë emocione për festën e flamurit. “E kemi pasur vetëm atë flamur dhe nuk e harrojmë këtë festë për asnjë moment. Po bëhemi krenar që tani flamuri ynë kombëtar shqiptar ndodhet kudo në shtëpi, institucione”.
Ndryshe pos urimeve nga krerët institucional dhe partiak Komuna e Gjilanit ka organizuar homazhe tek varreza e dëshmorëve dhe pritje solemne për familjet e dëshmorëve.
Veton Nevzadi drejtor për kulturë tha se edhe pse kohë fushate janë përpjekur që qytetarëve të Gjilanit tu sjellin momente gëzimi për ditën e flamurit.”Jemi kujdesur që Gjilani të duket qytet festiv” tha Nevzadi./rajonipress/