KKVITI

Anamarova e harruar nga institucionet

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nga Burim Haliti dhe Flamur Hyseni- Proceset dinamike të zhvillimit të jetës bëjnë që disa refleksione të krijohen tek institucionet dhe qytetarët tanë, e të cilat mund të jenë të natyrës pozitive dhe negative, por gjithmonë Gjilani dhe qytetarët e tij janë treguar njerëz me vlera dhe kanë kontribuar në çdo proces historik, politik dhe kombëtar të shtetformimit.

Ky rajon ka dhënë shumë, nëse e shikojmë në kontekstin historik, ka shume njerëz të cilët kanë kontribuar në ruajtjen e identitetit kombëtar – shqiptar në Ballkan dhe kanë mundësuar që sot ta gëzojmë këtë liri të cilën po e jetojmë, disa nga figurat më të ndritura të kësaj ane: Idriz Seferi, Ramiz Cernica, Mulla Idriz Gjilani, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka, Agim Ramadani dhe shumë e shumë të tjerë.

Gjilani dhe qytetarët e tij, kanë vlera të mirëfillta jo vetëm kombëtare por edhe evropiane, sepse në Gjilan më shumë se kudo tjetër gërshetohen kultura dhe civilizime të ndryshme, për shkak të asaj se një pjesë e madhe e këtij rajoni janë në botën perëndimore, e të cilët po dëshmohen në sport, kulturë, si anëtarë akademie evropiane të arteve, shkencë, dhe për shkak se në Gjilan jetojnë jo vetëm shqiptarë , por edhe komunitete tjera dhe gjithmonë Gjilani është shquar për tolerancë fetare dhe etnike. Gjilani ka pasuri tokësore, ekonomike, kulturore, sportive, bujqësore, biznesore, intelektuale, shkencore dhe qytetare.

Poashtu edhe nga regjistrimi i popullsisë dhe publikimi zyrtar i statistikave për popullatën gjilanase del se është mjaft e avancuar në aspektin e edukimit dhe shkollimit të ulët, të mesëm, universitar dhe akademik. Nga statistikat e fundit të regjistrimit të popullsisë që janë bërë vitin e kaluar (2011) dhe të publikuara zyrtarisht para pak ditësh Gjilani me 90.178 banorë, ka 36 doktorë shkence, 17 janë në procedurë të përfundimit të studimeve të doktoraturës, diçka më mirë se komunat tjera (përjashto Prishtinën), 415 kanë të përfunduara studimet pasuniversitare (magjistraturë dhe master) dhe mbi 4400 janë që e kanë të përfunduar shkollimin universitar (Bachelor).

Gjilani – Karadaku – Anamorava sot ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetje institucionale, sepse është një rajon i cili ndërlidh shumë interesa të ndryshme të qytetarëve shqiptarë të cilët jetojnë në tri shtete (Kosovë, Maqedoni dhe Serbi) dhe kjo duhet të ndodhë por në realitet sot ky rajon ka më pak se kurrë mbështetje nga institucionet qendrore, lokale dhe lidershipi politik gjilanas, i cili është fokusuar në procese formale – politike se sa në veprime konkrete për interesat e këtij rajoni.

Prej përfundimit të luftës e deri më tani Gjilani është nën mëshirën e udhëheqësve politikë lokal gjilanas, të cilët nuk po ja dinë rëndësinë këtij qyteti dhe banorëve të tij, për këtë nuk është fajtore vetëm udhëheqja e tanishme, por të gjitha ata të cilët deri më tani kanë qeverisur me Gjilanin. Për këtë ja vlen të analizohet “loja politike” si bëhet me disa projekte të rëndësishme, ku tentohet të neutralizohet përgjegjësia për dështim duke bartur “fajin” nga lokalja te qendrorja, si shembull mund të na shërbejë manipulimi politik publik me projektin e lumit Mirusha, ku Komuna akuzon Ministrinë, e Ministria Komunën.

Zhagitja gati qe tri vite lidhur me Universitetin publik të Gjilanit, herë me atë 1 tetor e herë me tjetrin 1 tetor, asgjë konkrete deri tani.
Cili është interesi i qytetarëve të Gjilanit që sot të kemi raporte jo të mirë të lidershipit gjilanas me udhëheqësit qendror shtetëror, për këtë dikush duhet të japë llogari, arsye dhe përgjegjësi, përse të gjithë politikanët e këtij rajoni nuk flasin njëzëri për Gjilanin – Karadakun – Anamoravën, por secili duke i shikuar agjendat e partive të tyre se çka kanë parapa në programet e tyre qeverisëse dhe mandej kërkojnë diçka, cili është projekti kapital që është realizuar në këtë rajon dhe që mund ne të mburremi si gjilanas për gjatë periudhës qeverisëse 2001 – 2012?

Nëse lidershipi ynë rajonal mendon se ne nuk meritojmë më shumë, atëherë me plotë përgjegjësi ju themi se e keni gabim, sepse ky është një nga faktorët kyç që qytetarët e Gjilanit do të dinë në të ardhmen ti ndëshkojnë ata të cilët hezitojnë të bëjnë diçka për qytetarin e Gjilanit. Ne jemi të vetëdijshëm se politika është një lloj arti, ku kërkon mençuri, durim, angazhim permanent, harmonizim interesash, por e dimë edhe tjetrën se të merresh me politikë nuk ka vend kokëfortësia dhe kryeneçësia, sepse krijon shumë armiq brenda grupit, e kjo tani po i ndodhë Gjilanit, çka është edhe shumë befasuese dhe në disa raste e pa kuptimtë pse po ndodh kjo?

Fundamenti

Kosova është shtet i thjesht – unik sipas Kushtetutës së saj, prandaj edhe tretmani duhet të bëhet i njëjtë ndaj të gjitha komunave. A po trajtohet Gjilani njëjtë sikur komunat tjera, është vështirë të saktësohet, duhet të thuhet haptas se ku qëndron problemi, te lidershipi lokal, apo te ai qendror që përfaqëson interesat e këtij rajoni? Ne po vërejmë se problemi qëndron te liderët lokal dhe ata qendror që përfaqësojnë kë rajon. Ju lutemi nëse është dikund tjetër na thuani ju lider lokal e qendror të rajonit tonë?

Ne si shoqëri gjilanase pothuajse kishim të gjitha postet shtetërore (përveç presidencës), kishim një kryeministër që vinte nga ana jonë por asgjë nuk bëri vetëm se shpenzoi pa kontroll, kishim poashtu zvkryeministër i cili përveç se e popullarizoi vetën asgjë nuk bëri për qytetarin e Gjilanit, kishim shumë ministra, deputetë dhe përfaqësues shtetërorë, por Gjilanin nuk e ndihmuan asgjë përveç se luajtën me ndjenjat dhe moralin e qytetarëve gjilanas, duke përjashtuar tentim angazhimin e disave që pak u vërejt gjatë kësaj periudhe 2001 – 2012.

Jo vetëm ata të cilët ishin në pushtet qendror nuk e ndihmuan Gjilanin, por as ata në nivelin lokal. Qytetari gjilanas është shumë i pakënaqur thuajse në çdo aspekt, duke filluar nga shkolla fillore, ka padrejtësi, shkolla e mesme, jeta kulturore është e nëpërkëmbur (dikur ishte ndër qytetet kryesore të kulturës), jeta sportive (dikur ishte qyteti nr.1 për futboll), politike, sidomos ajo e popullatës aktive e cila si asnjëherë më parë e ka ngritur në debate interne çështjen pse Gjilani nuk po ecën mirë. Në kë aspekt mjafton ti diskutosh hallet e shumëve që janë aktiv dhe e duan këtë qytet se është i tyre, por jo pse kanë interes.

Gjilani dhe qytetarët e tij meritojnë shumë më shumë, meritojnë parajsën por ja që lidershipi politik lokal dhe qendror nuk po e kupton ketë. Ne po kërkojmë pse nuk po bëhet kjo, pse nuk po ka koordinim mes vendimmarrjes lokale dhe qendrore, pse nuk po ka bashkëpunim, pse duhet të ketë individualizëm dhe bajraktarizëm, në stilin se “nuk ka në këtë anë më të mençur se unë”, neve, Gjilanit më së paku i duhet kjo, po të bisedosh me intelektual të shumtë që janë, ata nga kultura e sporti, që të gjithë e kanë këtë mendje, se si duhet t`ia bëjmë këtij halli se askush nuk merret me Gjilanin seriozisht.

Më së shumti po kemi frikë se po humbet durimi nga ata që janë jashtë vendimmarrjes, e për besë do ta kemi shumë të vështirë pastaj ti parashikojmë zhvillimet.

Angazhohni më seriozisht për Gjilanin – Karadakun – Anamoravën, se ja keni borxh kësaj ane, së paku këtë bëjeni për hatër të vlerave tona kombëtare historike, për hatër të Idriz Seferit, Molla Idriz Gjilanit, Ramiz Cërnicës, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Kadri Zekës, Agim Ramadanit, e shumë e shumë të tjerëve që kontribuuan në luftë e paqe për interesin dhe të mirën e gjithë kombit.

Mos harroni, se ne ju kemi bërë të dalluesh nga ne, me të vetmin qëllim që të na ndihmoni dhe rajonin tonë e tuajin ta trajtoni ashtu siç e meriton, tanimë në këtë epokë që po e jetojmë bashkë, nuk ka vend individi para grupit. Për atë ju edhe të tjerët brenda ditës në zhargonin politik tuajin përmendni me dhjetëra herë fjalën Bashkim Evropian.

(Autorët janë qytetar gjilanas)