Analistët: Të reagojnë Presidenca dhe Kushtetuesja

As sot nuk është arritur të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, meqë kandidatja nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme për kryetar të Kuvendit.
Lidhur me këtë, analistët: Melazim Koci, poltikolog, Dorajet Imeri, njohës i situatës politike, Nuredin Gashi, njohës i sigurisë, thanë se presidentja e vendit dhe Gjykata Kushtetuese të intervenojnë në krijimin e institucioneve.
Melazim Koci, tha se kjo që po ndodhë në vend është cenim i rendit kushtetues, teksa parashikoi se pas kalimit të afatit 30-ditor mund të shpërbëhet kjo përbërje, t’u merren mandatet këtyre deputetëve.
“Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretim, nuk lejon vakum për këtë dhe mendoj se kemi të bëjmë me cenim të rëndë të rendit kushtetues”, tha Koci në emisionin ‘Speciale’ të RTK-së, derisa shtoi se presidentja e vendit duhet të reagojë që sanksionojë atë cenim.
Ndërkaq analisti Dorajet Imeri kritikoi qasjen e ministrit në detyrë, Hekuran Murati, i cili kritikoi opozitën për mospjesëmarrje në votim, teksa vuri në pah se një sjellje të tillë kanë edhe deputetët e partisë fituese.
“Derisa deputetët nuk e bëjnë punën e tyre, mendoj se kanë hequr dorë edhe aktivisht, që nënkupton se nuk janë të gatshëm të çojnë përpara një detyrë të cilën e kanë marrë”, tha Imeri.
Situatën e tillë në vend, sipas Imerit është mungesë totale e përgjegjësisë politike, teksa shtoi se praktikisht me veprime të tilla Kosova ka hequr dorë nga shtetësia, në kuptimin e funksionimit normal të shtetit.
Ndërsa Nuredin Ibishi tha se Gjykata Kushtetuese është dashur ta marrë vendim decidivë, që të mos krijojë mundësi për interpretime. Ai gjithashtu tha se deputetët kanë përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës. Sipas tij, presidentja duhet marrë masa për të mundësuar krijimin e institucioneve të vendit.