Analistët presin bisedime të tensionuara

Kjo gjë pritet të reflektojë me një situatë më të tensionuar në takimin e nesërm, vlerësojnë njohësit e proceseve politike në vend.
Takimi i radhës që pritet të mbahet nesër në Bruksel, ndërmjet kryeministrit kosovarë, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq, mund të kalojë në një atmosferë më të tensionuar, pas ndalesës që i bënë autoritetet kosovare, kryeministrit serb, për të hyrë ne Kosovë, vlerësojnë analistët politikë në vend.
Sipas Ardian Arifaj, nga instituti KIPRED, Serbia tanimë e ka kuptuar që nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës.
”Pala serbe e ka kuptuar qartë mesazhin e palës kosovare, që nuk preferohet interferim në punë të brendshme të Kosovës, këtu pra përfshihet edhe mbrojtja e interesit të votuesve serbë në Kosovë, që ai të mos përçahet nën ndikimin e qeverisë serbe”.
Ndërkaq, Valon Murtezaj, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare mendon se tërë disponimi i institucioneve kosovare dhe atyre serbe, varet nga gatishmëria e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit.
“Esenca e secilit dialog, nuk është sa për t’u ulur në tavolinë, por esenca është që të zbatohen marrëveshjet e arritura, prandaj në krejt këtë kuadër edhe këto postulimet herë më të favorshme e herë jo, do të shfaqen me intervale kohore”.
Lidhur me këtë takim zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka thënë se beson që pas takimit të së hënës në Bruksel, zyrtarët nga Serbia do të mund të vizitojnë Kosovën.
Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi pritet që të hënën në Bruksel, në prani të baroneshës Catherine Ashton, t’i sqarojë homologut të tij Ivica Daçiq arsyet e moslejimit të vizitës së tij në Kosovë.
Sipas mediave kosovare Thaçi do t’i kërkojë Daçiqit që në asnjë formë, zyrtarët serb, të mos u bëjnë thirrje qytetarëve serbë që ta mbështesin këtë apo atë subjekt politik, por në bazë të Marrëveshjes së 19 prillit, të bëjnë thirrje vetëm për dalje në zgjedhje dhe asgjë më tepër. /rtk/