Fundamenti

Analistët: Pozita dhe opozita të jenë të matura, situata mund të eskalojë

/ 3 minuta lexim

Analistë politik në vend theksuan për Telegrafin se si pozita, ashtu edhe opozita në këtë periudhë të brishtë për vendin duhet të tregohen të matura, pasi situata shumë lehtë mund të eskalojë.

Analisti Azem Vllasi tha për Telegrafin se ka pritur një shtendosje të situatës dhe t’i hapet rrugë dialogut, por si duket opozita nuk e ka marrë këtë rrugë.

“Si duket opozita nuk e ka marr rrugën e dialogut dhe për të vepruar konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Qeveria do duhej të aprovojë sugjerimet e Gjykatës Kushtetuese që do duhej t’i përfillin përmes statutit dhe dekretit për Bashkësinë e Komunave. Ndërsa, opozita ngul këmbë që këta dy njerëz kryeministri dhe zëvendëskryeministri si nënshkrues të dy marrëveshjeve të japin dorëheqje. Gjykata Kushtetuese ka gjetur se në emër të Qeverisë, Kryeministri ka nënshkruar marrëveshje të kundërligjshme”, tha Vllasi, ku shtoi po ashtu se asnjëra palë se ka të qartë çka shkruan dhe çka duhet të bëhet konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Së paku sipas qëndrimit të tyre del se nuk e kanë kuptuar mirë. Opozita ka të drejtë të protestojë dhe madje ka arsye. Në çdo shtet demokratik ku opozita ka gjetur shkelje atëherë opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë. Edhe pse nuk është rruga e duhur që të ndodh dorëheqja e Qeverisë, por edhe protesta nuk është mënyra e duhur për të shtruar kërkesa të tilla”, tha ai.

Sipas tij, është për tu habitur se si pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese opozita vazhdon të refuzojë çfarëdo dialogu politik.

RCCOLA

“Le ta lenë të hapur mundësinë për protesta e forma të tjera, ama nëse vazhdimisht refuzohet dialogu politik atëherë dihet që opozita nuk ka qëllime të mira”, ka thënë Vllasi për Telegrafin, ku ceku po ashtu se protesta e nëntë janarit nuk do të jetë ngjarje masive si pretendon opozita.

Ndërsa, sipas analistit Imer Mushkolaj, situata në vend është e brishtë.

“Është një situatë që mundet lehtë të eskalojë për të keq. Varet shumë se çfarë qasje do të ketë opozita në protestën e nëntë janarit, po ashtu edhe organet e pushtetit. Nëse ndonjëra nga këto palë nuk e tregon maturinë e nevojshme ka gjasa që situata të eskalojë, jo në aspektin e sigurisë sa në aspektin politik. Do të përkeqësohet situata në kuptimin e përplasjeve verbale të cilat nuk do të doja të kthehen në diçka më të keqe”, tha ai.

Sipas tij, liderët dinë të lexojnë shqip dhe të kuptojnë atë se çka thotë Kushtetuta edhe pse ende qëndrojnë në pozitat e tyre.

“Në vendim e Gjykatës Kushtetuese thuhet që Kushtetuta është shkel. Kështu që ata që pretendojnë ta komentojnë apo ta interpretojnë ndryshe, besoj se bëhet me qëllime të qarta dhe vazhdojnë të qëndrojnë në postet që i kanë. Ndërkohë, besoj që fokusi i opozitës dhe i shoqërisë do duhet të ishte te adresimi për shkelësit e Kushtetutës nëse kjo nuk ndodh atëherë krijohet një precedent i rrezikshëm për shkak se edhe të tjerët njësoj si kryeministri Mustafa mund të vazhdojnë me veprime të tilla dhe askush të mos i ndëshkojë”, përfundoi ai. /Telegrafi/