Analistët: MPJ-ja, “fajtorja” kryesore për ngecje në njohje të reja
Kosovën që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, sipas të dhënave zyrtare të faqes së Ministrisë së Punëve të Jashtme, e kanë njohur 111 shtete të botës.
Mirëpo, faqja jozyrtare, “kosovothanksyou.com”, e cila çdo njohje të pavarësisë së Kosovës e publikon menjëherë sapo të vije, thotë ndryshe. Në të figuron që Kosovën e kanë njohur 112 shtete, duke treguar datën dhe kohën kur ka ndodhur njohja.
E shteti i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës është Suriname, shtet në Amerikën Jugore, i cili ka një popullatë prej më shumë se gjysmë milioni banorësh. Kështu, njohja e fundit që mori Kosova ndodhi më 22 korrik të këtij viti, shkruan Indeksonline.
Analisti politik dhe profesori universitar, Belul Beqaj në një prononcim për Indeksonline thekson se zhvillimet negative të brendshme, dështimi funksional i ministrit të Punëve të Jashtme dhe proceset negative në botë, kanë zbehur interesimin e shumë shteteve potenciale për të njohur pavarësinë e Kosovës.
“Prandaj, procesi i njohjeve nuk ka shkuar sipas dëshirave, sa për shkak të dobësive tona por dhe kontekstit të rrethanave ndërkombëtare. Rrjedhimisht pas një trendi negativ brenda dhe jashtë kanë ngecur edhe interesimet për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës”, tha Beqaj.
Sipas tij, kohëve të fundit Kosova nuk ka qenë në fokus të interesimit të ndërkombëtarëve sikur më parë, çka po i kushton me mosnjohje të reja.
“Kosova kohët e fundit po vendnumëron, nuk është në fokus të interesimit ndërkombëtarë, përkatësisht po imponohet si temë me zhvillime negative në arenën ndërkombëtare. Prandaj, këto janë arsyet pse ka rënë interesimi I shteteve për të njohur”, ka përfunduar Beqaj.
Edhe analisti i njohur, Imer Mushkolaj thotë se fajin për ngecjen e numrit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, e ka presidenti aktual, Hashim Thaçi, i cili para se të merrte këtë pozitë, ishte ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.
Ai ka thënë për Indeksonline se Thaçi si president ashtu edhe si ministër nuk ka bërë asgjë që vendi të siguroj njohje.
“Procesi i njohjeve ka ngecur dhe përgjegjësinë kryesore për këtë e mban Hashim Thaçi. Edhe në postin e shefit të diplomacisë, edhe tash si president ai ka bërë fare pak që Kosovës t’i vijnë njohje të reja”, ka theksuar Mushkolaj.
Sipas tij, procesi i lobimit për njohje të reja sikur ka rënë nën ndikimin e zhvillimeve të brendshme politike, e nuk do të duhej të ndodhte kështu.
“Subjektiviteti ndërkombëtar i vendit rritet me njohje të reja, andaj një impuls i ri është i domosdoshëm në këtë aspekt”, ka thënë tutje ai.
Indeksonline ka tentuar të marr përgjigje për numrin e saktë të njohjeve edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme tash e sa ditë, mirëpo nuk arriti.
Mbetet të shihet nëse vendin e kanë njohur 111 apo 112 shtete, apo faqja zyrtare e ministrisë nuk i ka përditësuar të dhënat e saj. /Indeksonline/


