Uji Dea

Analistët: Misionet ndërkombëtare të dështuara, edhe Specialja rrugës së njëjtë

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Njohësit e proceseve integruese konsiderojnë se misionet e huaja në Kosovë, janë të dështuara dhe eksperimentale, raporton Ekonomia Online.Këtë fakt ata e lidhin me rastin e ish-prokurores së EULEX-it Maria Bamieh, e cili e fitoi rastin me shtetin britanik pasi që sa ishte në Kosovë kishe denoncuar se në pjesëtarët e këtij misioni ishin të përfshirë në korrupsion. Madje dështim të radhës ata po e shohin edhe Gjykatën Speciale.

Dorajet Imeri, profesor universitar në një intervistë për Ekonomia Online tha se sistemi i drejtësisë në vend i menaxhuar nga bashkësia ndërkombëtare mund të konsiderohet më i dobëti.“Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka qenë prej sistemeve do të thosha më të dobëta që kemi pasur, fillimisht si një vend në administrim ndërkombëtar e më vonë edhe si vend, shtet i pavarur edhe sovran. Duhet të kujtojmë se pikërisht për shkak të dështimeve tona, po më shumë edhe të Bashkësisë Ndërkombëtare sidomos me UNMIK fillimisht, Bashkësia Ndërkombëtare përkatësisht Bashkimi Evropian pati kërkuar që për një periudhë të caktuar kohore, institucionet e Bashkimit Evropian përmes funksioneve të veçanta të trajtonin çështjet e drejtësisë në Kosovë me që siç e dimë në shoqëri postkonfliktuoze drejtësia vazhdon të mbetet pika më e ndjeshme e secilës shoqëri që ka kaluar ato sfida. Prandaj, natyrshëm që edhe Kosova e ka pasur këtë problematikë, madje edhe sot problemet që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe drejtësinë përgjithësisht janë më shumë trashëgimi e këtyre problemeve të cilat natyrshëm që i kemi kaluar edhe ne si shoqëri”.

Ismaili thotë se edhe misionet e huaja nuk kanë mundur ta kryenin punën e tyre si duhet pasi nuk kanë gjetur partner lokal të gatshëm për bashkëpunim.Tutje, ai thotë mund të ketë edhe elemente të eksperimentimit pasi janë provuar, mekanizma e politika të caktuara.“Dua të besoj që secili vend nuk mund të ndërtohet nga jashtë, në kuptimin e misioneve pavarësisht se ato do të jenë tepër të rëndësishme. Çka dua të them me këtë është se qoftë misioni i EULEX apo i UNMIK përmes shtyllave të veçanta, atëherë të së drejtës nuk do të mund ta kryenin punën e tyre si duhet nëse nuk do të gjejnë partner lokal të gatshëm për të kryer këtë veprim. Duke qenë se partnerët lokal, përkatësisht sistemi i drejtësisë ka çaluar në shumë segmente dhe në veçanti në ndikimet e mëdha politike që janë ushtruar ndaj këtij segmenti nga akterë ose institucione të veçanta të shoqërisë kosovare, natyrshëm se e ka krijuar njëfarë klime të përgjithshme që bashkësia ndërkombëtare ose misionet e veçanta të tyre të mos e bëjnë më të mirën në Kosovë. Mund të konstatojmë se misionet e veçanta, qoftë shtyllat e UNMIK-ut bartëse për sistemin e drejtësisë, qoftë EULEX nuk është se kanë kryer punën e tyre. Do të thosha që situata e tanishme që po ballafaqohemi qoftë me Gjykatën Speciale, qoftë me dështimet tona të vazhdueshme në sistemin e drejtësisë e kanë pikërisht origjinën në këto ngecje të cilat i kemi pasur në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme”.“Ndoshta mund të ketë elemente të eksperimentim në kuptimin se kanë provuar ndoshta politika të veçanta ose mekanizma. Kjo nuk e vë në dyshim faktin se janë provuar politika ose mekanizma të caktuar”.Profesori universitar thotë se Kosova ka humbur shumë kohë dhe potenciale të cilat janë vështirë të rigjenerohen.“Ne jemi vetëm në proces të ndërtimit të shtetit tonë, dhe natyrshëm që kemi humbur shumë kohë në këtë drejtim. Por, përveç se kemi humbur shumë kohë, ne kemi humbur shumë potenciale të cilat vështirë se do të mund të rigjenerohen. Kemi humbur besimin ndaj institucioneve në disa segmente. Njerëzit e kanë humbur pak perspektivën edhe në kuptimin e mbështetjes së shtetit në kuptimin e njohjes si një institucion i paanshëm. Pra, për neve kjo është shumë e rëndësishme, të kemi besueshmëri ndaj institucioneve e sidomos ndaj institucioneve të drejtësisë. Në çdo matje të opinionit publik që bëhet, institucionet e drejtësisë fatkeqësisht dalin të jenë më poshtë të ranguara edhe për shkakun e këtyre çështjeve që i diskutuam”.

Politologu Fidan Ukaj për Ekonomia Online tha se misioni i EULEX në Kosovës vlerësohet si një nga misionet më të mëdha dhe më të kushtueshme të Bashkimit Evropian, por që është mision i dështuar.

KKVITI

Ukaj thotë se dëmshpërblimi i ish-prokurores së EULEX, Maria Bamieh nga Britania e Madhe, dëshmon se ky mision nuk e ka pasur për qëllim vendosjen e krimit dhe korrupsionit para drejtësisë.Sipas tij, ky mision nuk ka lënë asnjë shembull të mirë që institucionet vendore t’i zbatojnë.“Në fakt misioni i EULEX në Kosovë vlerësohet një prej misioneve më të mëdha dhe më të kushtueshme të BE, që Bashkimi Evropian e ka pasur një vend tjetër dhe kur shihet nga numri i madh i misionit dhe nga shuma që është ndarë për zbatim të ligjit mund të themi lirisht që ka qenë një mision i dështuar. Kur them një mision i dështuar e kemi parasysh faktet dhe argumentet të cilat i kemi parë dhe i kemi dëgjuar. Kemi dëgjuar se si janë montuar dosje për individ të caktuar, se si janë marrë para dhe se si janë ndjekur njerëzit nga presioni i politikës ose interesave të caktuara dhe ka qenë një shembull i keq ky mision. Misioni i EULEX në Kosovës ish dashtë të jetë një shembull i mirë për institucionet tona, sidomos të drejtësisë se si duhet të zbatohet ligji dhe të ndiqen krimi dhe korrupsioni. Një gjë të tillë ky mision nuk e ka dëshmuar dhe si përfundim dhe dëmshpërblimi ndaj ish prokurores Bamieh dëshmon se aty ka qenë një mision që nuk ka pasur qëllim vërjen para drejtësisë të krimit dhe korrupsionit, mirëpo ka dëshmuar se është një mision jo stabil e i dështuar, e si i tillë edhe përfundoj. Nuk ka përfunduar në tërësi, mirëpo misioni i tij është minimizuar në maksimum dhe nuk kemi asnjë shembull të mirë nga ky mision që, institucionet tona mund ta marrin si shembull që duhet të ndiqet një praktikë e tillë nga misioni i EULEX”.Shumë dëshmi të EULEX, i ka marrë Gjykata Speciale, këtë politologu Ukaj, e konsideron si dështim tjetër. Ai thotë se edhe Gjykata Speciale po shihet se është një padrejtësi e radhës, raporton EO.

“Ky është një dështim i radhës. Nuk ish dashtë të formohet një Gjykatë Speciale përderisa taksapaguesit Evropian kanë paguar për një mision të tillë siç ka qenë misioni i EULEX dhe misioni i EULEX e ka pasur në bazë ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Kjo dëshmon se ky mision nuk ka qenë i suksesshëm e i dështuar dhe ka arritur vetëm të mbledh dosje dhe ato dosje të mos i gjykoj. Një mision i tillë përderisa nuk arrijnë të hetoj edhe ti kap sipas saj kriminelët dhe ti gjykoj, atëherë një mision i tillë vlerësohet si i dështuar, e si pasojë e dështimit të misionit të EULEX fatkeqësisht u formua edhe Gjykata Speciale që prapë po shihet është një padrejtësi e radhës, kur po shohim një gjykim të padrejtë të krerëve të UÇK, me akuza të ndryshuara tashmë dhe me një zgjatje që është prapë një shkelje e të drejtave të njeriut, një zgjatje enorme e afateve kohore për gjykim”.

Sipas tij, misionet e EULEX, UNMIK e Gjykata Speciale janë eksperimente dhe të dështuara.“Në fakt ne jemi quajt edhe si Sui Generis, domethënë diçka e veçantë. Kur themi diçka e veçantë atëherë domethënë janë bërë shumë eksperimente. Kemi parë shumë eksperimente të misione të ndryshme duke u nisur nga ai i UNMIK, EULEX tash së fundi Gjykatën Speciale dhe gjendja në Kosovë nuk është që ka ndryshuar shumë nga vendet e rajonit. Të gjitha këto misione ndërkombëtare me një buxhet të jashtëzakonshëm dhe gjendja është e përafërt me vendet e rajonit, mund të themi se jemi më mirë por ne ish dashtë të jemi një vend i standardeve të Bashkimit Evropian. Kur ne themi se e kemi pasur UNMIK një organizatë super-nacionale ndërkombëtare e misionit të OKB dhe një EULEX i cili ka qenë i derivuar nga BE, ne ish dashtë që të jemi të standardeve të BE. Mirëpo të gjitha këto misione kanë ardhur si eksperiment dhe mund të themi se kanë dështuar”.

Ai thotë se ani pse Kosova ka pasur nevojë për misione të tilla, serioziteti dhe përbërja e tyre ka qenë dështim.“Këto misione e kanë edhe anën e vetë pozitive, nuk mund të themi se kanë qenë vetëm negative. Kanë qenë misione transitore, Kosova ka pasur nevojë për misione të tilla. Mirëpo, serioziteti i këtyre misioneve dhe përbërja e këtyre misioneve ka qenë një dështim. Ne e kemi parë në UNMIK kemi pasur përbërje nga e gjithë bota. Kemi parë kultura dhe njerëz të ndryshëm, pastaj edhe në EULEX kemi parë njerëz të cilët kanë qenë pensionista në BE dhe kanë ardhur për shkak të pagesave të mira në Kosovë. Megjithatë kanë qenë misione tranzitore në forcimin e institucioneve tona që tashmë, besoj se kanë krijuar edhe përvojën që të vetëqeverisin dhe të marrin praktikat më të mira, nëse mund të themi se ka pasur praktika të mira nga këto misione dhe të ndërtojmë institucione stabile”.