RCCOLA

Analistët i kritikojnë zgjedhjet në parti politike me vetëm një kandidat për kryetar

/ 4 minuta lexim

Zgjedhja e kryetarëve të partive politike në Kosovë me vetëm një kandidat po kritikohet nga njohësit e çështjeve politike. Sipas tyre, kjo metodë duhet të ndryshojë pasi po dëmton demokracinë në vend, raporton Ekonomia Online. Rasti i fundit ku kjo praktikë ndodhi, ishte partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje. Kjo e fundit, për kryetar të saj, e rikonfirmoi Albin Kurtin.

Njohësi i çështjeve politike, Albinot Maloku, thotë se një praktikë e tillë, është e dëmshme për demokracinë, dhe si e tillë duhet të ndryshojë.Duke folur konkretisht për Lëvizjen Vetëvendosje, Maloku thotë se me fitimin e zgjedhjeve nacionale, në këtë parti e konsideruan të panevojshëm ofrimin e një lideri të ri.“Tani zgjedhjet e fundit që ndodhën në Lëvizjen Vetëvendosje, i kam cilësuar që kanë qenë në shpërputhje totale me parimit thelbësor të demokracisë që e ka të bëjë me ofrimin e alternativës. Pavarësisht faktin se kryetari i VV-së i kishte fituar zgjedhjet më 14 shkurt dhe përgjithësisht kjo nuk është dukur se do të vijë dikush tjetër në krye të VV-së, duke u nisur nga suksesi që e pat në procesin zgjedhor. Mosdhënia e mundësisë së atyre që kanë dashur të jenë pjesë e procesit zgjedhor për nivelet lokale, ka qenë totalisht në shpërputhje me demokracinë”, u shpreh Maloku.

Teksa ka folur për procesin zgjedhor brenda VV-së, Maloku thotë zgjedhjet partiake janë përcjellë në mënyrë jodemokratike, pasi në këtë proces ka pasur pak alternativa. “Në një garë ku nuk ka alternativa, ajo konsiderohet garë që nuk i plotëson standardet e mirëfillta të demokracisë, sistem ky që Kosova si tërësi e konsideron të veten, dhe për pasojë nëse po kërkojmë demokraci, ka edhe të pakënaqur por kjo pjesë nuk duhet të konsiderohet se duhet të largohen ose me qenë refuzues i pranimit përfundimtar të një procesi zgjedhor. Në këtë rrafsh, kandidimi me vetëm një kryetar, pa alternativë dhe në kuadër të saj të konsiderohet demokratike nëse e kemi ofertën një kandidat dhe alternativën ‘Po, Jo dhe Abstenim’, unë konsideroj se kjo nuk është në përputhje me demokracinë”, u shpreh tutje Maloku.

Eco Higjiena

E profesori universitar, Milazim Krasniqi, kërkon që këtu të angazhohet KQZ-ja. Ai thotë se praktika të tilla duhet të ndalen.“Fatkeqësisht kjo është një praktikë e keqe dhe nuk është brenda standardëve demokratike, ndoshta faji është edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që nuk ka krijuar një standard sipas të cilit do duhej bëhej pranimi i zgjedhjeve legjitime dhe demokratike dhe në mungesë të atyre standardeve të KQZ-së, pastaj partitë zgjedhin format më të lehta. Normalisht jemi një shoqëri që ka dalë nga konflikti, nga një regjim gjysmë shekullor komunist, e që normalisht traditat demokratike janë defititare dhe shoqëria jonë dhe që është në pikëpamje politike është shumë indiferente dhe gjithë këtë kontekst partitë politike, e veçmas liderët e shfrytëzojnë për t’u zgjidhur me kollajllëk, pa kundërkandidat e pa program. I njëjti ishte edhe rizgjidhja e Albin Kurtit”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi thotë se partitë politike ndonëse thirren në demokraci brenda partiake e në fjalën e lirë, kjo nuk mund të vërehet në momentin kur ndonjëra nga to mbanë procesin e brendshëm zgjedhor.

Ai thotë se në Lëvizjen Vetëvendosje ekzistojnë shumë elemente.“Unë kam qenë veprimtar në kohën e rëndë të okupimit. E vërteta është që edhe në atë periudhë ka pasur më shumë makiaturë dhe jo zgjedhje të mirëfillta, dhe pastaj ne çdo herë kemi pasur probleme të brendshme në parti, sepse në momentin që nuk filtrohen gjërat përmes procesit zgjedhor, atëherë brenda partive futen elemente. Pra të Vetëvendosja sot e karakterizojnë prezenca e socialdemokrateve, anarkistëve, enveristëve, islamistëve, dhe ashtu që në momentin që kjo nuk filtrohet atëherë e ke një situatë që mandej në opozitë mund të akomodohet disi ato interesa por kur kalohet në Qeveri, atëherë dalin probleme sepse secili dëshiron të marrë pjesën e vet”, u shpreh Krasniqi.