Analistët: Fushata e fokusuar në programe, jo në akuza dhe kundërakuza
Fokusi i partive politike dhe i kandidatëve të tyre për kryetarë të komunave më shumë ka qenë për prezantimin e programit qeverisës sesa për akuza dhe kundërakuza. Kështu kanë vlerësuar të dielën për gazetën “Epoka e re”, analistët politikë Ramush Tahiri dhe Behxhet Shala.
Politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se deri më tani fushata zgjedhore ka qenë e qetë dhe pa incidente të mëdha.
Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se, për dallim nga e kaluara, fushata aktuale ka avancuar dhe është më e mirë. “Fushata është e mirë, subjektet politike janë munduar të bëjnë një kombinim ndërmjet kandidatëve në secilën komunë. Është mirë që në këto zgjedhje nuk ka koalicione parazgjedhore, secila parti politike matet veç e veç dhe asamblistët e shprehin forcën reale të partive. Për dallim nga fushatat e mëparshme, tani duket se ka avancuar fushata zgjedhore. Në këtë fushatë ka shpenzime më pak, nuk ka tubime masive, por ka tubime më përmbajtjesore dhe secila parti është përkujdesur që në secilin tubim të prezantojë diçka që do të mbahet mend për mjedisin e caktuar”, ka deklaruar Tahiri.
Edhe analisti politik Behxhet Shala ka thënë për gazetën “Epoka e re”, se fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit është duke u zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa incidente. “Fushata zgjedhore kryesisht është e mirë dhe e qetë. Premtimet e kandidatëve për kryetarë të komunave janë të parealizueshme. Ato në fakt janë premtime që janë bërë edhe para katër vjetëve dhe tash vetëm po përsëriten. Kurse sa i përket qetësisë, fushata është në nivel, nuk ka eskalime, me përjashtim të rastit të fundit që ndodhi në një studio televizive në mes të dy deputetëve. Është një e keqe që gjatë kësaj fushate po përdoret familja për eliminimin e një kundërshtari politik apo si mundësi për t’i fituar votat. Kjo është shumë e pandershme. Mirëpo në përgjithësi fushata nuk është e keqe”, është shprehur Shala, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur incidente të cilat mund ta prishin imazhin e fushatës.


