Uji Dea

Analistët e kritikojnë Kurtin: S’po i mban premtimet – u mbështet për muri, kokë ulur u tërhoq

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Me marrëveshjen e arritur në Bratislavë, ku Qeveria e Kosovës ka pranuar reduktimin e Policisë së Kosovës te objektet e komunave dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri pas verës, njohësit e çështjeve politike po vlerësojnë se kryeministri Albin Kurti është zmbrapsur nga qëndrimet e tij.

Ata për Ekonomia Online, kanë thënë se Kurti vetëm sa ka humbur kohë duke mos i pranuar propozimet e bashkësisë ndërkombëtare, ku vendi edhe u sanksionua nga BE-ja e ShBA-ja, dhe në fund prapë se prapë kryeministri lëshoj pe.

Profesori universitar Milazim Krasniqi, ka thënë se kryeministri Kurti ka përdorur politika të gabuar në raport me veriun e Kosovës, që nga vendimi i targave për veriun e Kosovës.

“E para krejt çka ka bërë kryeministri në veri deri sot ka qenë gabim, ka qenë gabim edhe çështja e vendimit për targat, sepse ajo e ka shkaktuar pastaj daljen nga institucionet, barrikadat, pastaj ato zgjedhjet e pa nevojshme në veri edhe atë lloj ngujimi të kryetarit në objektin e komunës në Leposaviq. Krejt kanë qenë të pa nevojshme. Escobar ka thënë në fillim që mos i provokoni këto çështje leni anash por Kurti nuk ka dëgjuar”, tha ai.

Ai tha se tash më kryeministri është mbështetur për muri dhe ka lëshuar pe, duke i’u referuar tërheqjes së një pjesë të policisë së Kosovës nga veriu.“Tani kur është mbështetur për muri për shkak të presioneve ndërkombëtare tash lëshon pe. Tash vjen në pikën kur është dashur që të jetë para disa muajve që të mos ketë fare këto incidente dhe këtë presion të madh. Kjo tregon në fakt se ose për një mend ka pasur koordinim me Listën Serbe dhe Rajdoqiçin për të krijuar destabilizim dhe për të lehtësuar pozitën e vështirë të Vuqiçit në Serbi për shkak të pozitës që ka në raport me Rusinë, ose përnjëmend është naivitet politikë. Nuk arrij që ta kuptoj pse është dashtë gjithë ky investim i mundit përpjekjeve të policisë, gjithë ky presion ndërkombëtar dhe përsëri me u kthyer në pikën që ka mundur me qenë në fillim”, tha ai.

Uji Dea

Sekretari Organizativ i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, tha se zmbrapsja që ka bërë Kurti, sipas tij, në marrëveshje e fshehtë Bratislavës, është e mjerueshme, pasi ai thekson se kryeministri me kokë poshtë ka ikur prej krejt zotimeve të tij. “Zmbrapsja që ka bërë Kurti në Bratislavë në këtë dakordimin e famshëm në Bratislavës është e mjerueshme. Me kokë poshtë ka ik prej krejt zotimeve që e ka futur të gjithë vendin në ato zotime. Thonin që kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për de-eskalim janë kërkesat të Serbisë, Kurti i ka pranuara një nga një të gjitha këto kërkesa të gjitha”, tha ai për EO.

Nushi ka thënë se për këto dy muaj Kosova nuk ka arritur asgjë tjetër përpos bllokadave e tensioneve, e që sipas tij, vendi ka humbur kredibilitetin në bashkësinë ndërkombëtare. “Nuk është arrit kurrgjë tjetër për dy muaj ditë bllokade e tensione përveç që Kosova me hup kredibilitetin në bashkësinë ndërkombëtare me u vendos sanksionet të cilat filluam që të ju shohim funksionin edhe unë jam i sigurt që fundi i procesit negociator ka me qenë shumë më i keq se më përpara sepse tani më ne nuk jemi palë kredibile në dialog, jemi treguar të pa përgjegjshëm me veprimet populliste të Kurtit. Kurti është treguar popullistë edhe është treguar taktik duke e quar nivelin e tensionit shumë larët edhe pastaj të tërhiqet. Nëse e keni parë strategjinë Kurti i dhezë luftërat kushtimisht, Bislimi i nënshkruan kapitullimet”, tha ai. Pajtim për marrëveshjen u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratislavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas Qeverisë, prania policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri do të zvogëlohet menjëherë për 25 për qind.

Po ashtu, Kosova dhe BE-ja janë pajtuar edhe për ndërmarrjen e disa hapave të tjerë.“Qeveria e Kosovës përmes një deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës”, tha Qeveria, duke shtuar se institucionet në Prishtinë shprehin përkushtim që të sigurohet baza e nevojshme ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Po ashtu, Policia e Kosovës, së bashku me misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misionin paqeruajtës në NATO-s në Kosovë, KFOR, sipas nevojës do të bëjnë vlerësimin e gjendjes së sigurisë “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlimin e mëtejmë të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale”, njoftoi ekzekutivi.