UBT

Analistët, do të thellohet kriza politike në vend

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Veprimet e ditës së djeshme në Kuvendin e Kosovës nga ana e opozitës kundrejt kryeministrit Isa Mustafa, kanë zgjuar reagime të shumta si tek vendorët, po ashtu edhe nga faktorët ndërkombëtar.

E përderisa të shumtë janë ata që i kanë kundërshtuar veprimet e bllokut opozitar, ku këta të fundit gjuajtën me vezë në drejtim të kryeministrit, ka prej atyre që i mbështesin veprimet e tilla.

Analisti Nexhmedin Spahiu, veprimet e opozitës i vlerëson të arsyeshme pasi, siç thotë ai, para se të gjykohen veprimet e opozitës, duhet të gjykohen veprimet e pushtetit. Spahiu në një prononcim për lajmi.net tha se veprimet e pushtetit janë ato që afektojnë jetën e qytetarëve më shumë se sa veprimet e opozitës.

“Nuk duhet ta shqyrtojmë pasojën në vend para se ta shqyrtojmë shkakun, pasi që arsyeja e veprimit të opozitës është nga arroganca e pushtetit”, shtoi Spahiu.

Ai vlerësoi se kryeministri Mustafa është i paaftë për të qeverisur vendin dhe në qoftë se vazhdohet kështu, sipas tij, sigurisht se do të thellohet krizë e mëtutjeshme politike në vend.

Eco Higjiena

Për ngjarjet që e karakterizuan ditën e djeshme në Kuvend ka folur për lajmi.net edhe analisti Belul Beqaj, i cili konsideron se këto zhvillime janë pasojë e asaj çfarë ka ndodhur gjatë ngërçit gjashtë mujor dhe proceseve të mëtejme, duke filluar nga Gjykata Speciale, marrëveshjet, Asociacioni dhe etja e paepur për të mbetur apo për të ardhur në pushtet.

Madje, Beqaj tha se është nuk është reale të pritet tërheqja e nënshkrimit nga Marrëveshjet por është reale që Kryeministri të tërhiqet vet nga posti, ngase çdo vazhdimi tij në pushtet, sipas Beqajt, do të ngriste pakënaqësitë e opozitës por edhe të qytetarëve. “Kryeministri me të vërtetë e ka humbur toruan dhe po sillet sikur të ishte pronar i Kosovës”, tha ai.

Se vendi është në një krizë të thellë që nga ngërçi gjashtë mujor e thotë edhe analisti Halil Matoshi. Madje ai fajëson presidenten për mosfunksionimin demokratik të institucioneve.

Matoshi, tha për lajmi.net se përdorimi i vezëve është shprehje e pakënaqësisë por, siç potencon ai, kjo duhet të bëhet në rrugë, jashtë institucioneve demokratike, ndërsa akuzoi Vetëvendosjen për pikëpamjet ekstremiste.

“Kosova është Republikë parlamentare, pra Kuvendi është shtëpia e sovranit e jo i një grupi njerëzish me pikëpamje ekstremiste. Parimi i shumicës në demokraci është ligj. Dardan Molliqaj nga VV-ja tha se Ilir Deda duhet t’i bindet parimit të shumicës në VV, sepse ky është parim i demokracisë, kurse ai dhe VV-ja nuk po i binden parimit të shumicës në Kuvend. Hipokrizi”, shtoi Matoshi.