UBT

Analistët: Deklarata e kryeministrit për FSK-në, e padeklaruar deri tani por e ditur

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Njohës të sigurisë në vend kanë thënë për Telegrafin se deklarata e kryeministrit Isa Mustafa se Forcat e Armatosura të Kosovës nuk do të shkojnë në veri të vendit pa pasur një marrëveshje me Aleancën Veri-Atlantike nuk përbën ndonjë risi, madje sipas tyre, jo vetëm në veri, po askund në territor të Kosovës nuk mund të lëvizin trupa të FSK-së pa lejen dhe marrëveshjen me NATO-n.

Analisti Nexhmedin Spahiu, në një prononcim për Telegrafin deklaroi se ai kryeministri Mustafa s’ka thënë asgjë konkrete me këtë fjali.

“Nuk është shumë relevante fakti se do të shkojnë me marrëveshje jo vetëm në veri, por në cilindo pjesë të Kosovës. NATO është partner strategjik i Kosovës edhe i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe kjo fjali nuk do të thotë asgjë, por përkundrazi, kryeministri i është shmangur përgjigjes”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, problemi qëndron se sa Qeveria e Kosovës do të punojë që të arrihet qëllimi që Forcat e Armatosura të shkojnë në veri.

“Që do të shkojnë me marrëveshje kjo është një gjë e ditur sepse Kosova veprimet e veta do t’i bëjë në marrëveshje me NATO-n, Uashingtonin dhe Brukselin, mirëpo problemi është: A po pret Qeveria që NATO t’i marrë Forcat e Armatosura dhe t’i dërgojë në veri, të ua përgatis terrenin dhe këta të shkojnë të gatshëm atje ‘me lu me letra’, apo po bëjnë përgatitje të tilla që shkuarja e FSK-së të jetë një proces i natyrshëm i shtrirjes së pushtetit së institucioneve të Kosovës në veri të vendit?!”, deklaroi Spahiu.

Ndërkaq, analisti tjetër Naim Maloku pohoi faktin se jo vetëm në veri, po askund në territor të Kosovës nuk mund të lëvizin trupat e FSK-së pa lejen dhe marrëveshjen me NATO-n.

“Dihet që në Kosovë komandën kryesore mbi Forcat e Sigurisë së Kosovës e ka NATO-ja, për shkak se NATO-ja e ka përgjegjësinë për sigurinë territoriale të Kosovës”, ka thënë Maloku.

Sipas Malokut ,përderisa nuk ndryshojnë raportet Kosovë- NATO, nuk mund të bëhet asnjë veprim ushtarak pa lejen e tyre.

Eco Higjiena

“Me këtë mision që e ka KFOR-i në Kosovë faktikisht pa lejen e komandës së KFOR-it nuk mund të bëhen as veprimet ushtarake ose ushtrimet ushtarake të njësiteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës ose detyrat e Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilat kryhen gjithmonë në koordinimin me Komandën Supreme të KFOR-it të Kosovës”, shtoi Maloku.

“Kryeministri Mustafa nuk ka thënë diçka që nuk është duke u zbatuar në praktik, kryeministri ka thënë diçka që në fakt edhe ekziston, përderisa NATO në Kosovë si mision ka përgjegjësinë kryesore për sigurinë territoriale të Kosovës”, u shpreh ndër të tjera, Maloku.

Gjithashtu, ai shtoi se nëse për shkuarjen ose jo të FSK-së veri vendos KFOR-i.

“EULEX-i dhe KFOR-i e kanë përgjegjësinë e sigurisë në pjesën veriore, normal Policia e Kosovës është atje me marrëveshje nën komandën e drejtorisë qendrore të Policisë së Kosovës edhe pse janë pjesëtarë të komunitetit serb, Policia e Kosovës është unike në krejt territorin e Kosovës”, vazhdoi ai.

Sipas Malokut, ndiqen tri shkallë në mënyrë hierarkike të kontrollit dhe sigurisë në vend.

“Nëse policia e Kosovës nuk mundet t’i bëjë ballë ndonjë veprimi a ngjarje atëherë kërkon ndihmë nga EULEX-i, e cila është shkalla e dytë, nëse edhe EULEX-i nuk ia del atëherë i drejtohen KFOR-it, e cila është shkalla e tretë për çfarëdo ndërhyrje në territorin e Republikës së Kosovës”, shtoi Maloku.

Ai tha se situata mund të ndryshojë vetëm atëherë kur Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.

“Kjo situatë mund të ndryshojë në momentin kur Kosova bëhet anëtare e OKB-së dhe kur në atë moment ndryshojnë raportet KFOR-Kosovë ose NATO-Kosovë, sepse shteti ynë nuk është i aftë të sigurojë pjesën territoriale të Kosovës”, përfundoi Maloku. /Elfije Boletini/Telegrafi/