RCCOLA

Amnistia, Presidentja, Kuvendi apo Kushtetuesja?

/ 6 minuta lexim

Nga Flamur Hyseni – Debati në shoqërinë kosovare për ligjin e amnistisë kaloi me një interesim të shtuar, edhe më me interesim u bë në organin më të lartë shtetëror dhe vendimmarrës, vendimi i të cilit është në prag të sfidimit nga Presidentja ose Gjykata Kushtetuese. Çështja edhe më sfiduese po bëhet kur po komentohet se “ligji ka një rëndësi të veçantë…”

Edhe kësaj here debati në shoqërinë kosovare për një çështje të rëndësishme siç është amnistia u “nxeh” mjaft, madje u debatuar me vend e pa vend dhe po vazhdon debati, në njërën anë në tabor politik e medial, në anën tjetër në tabor profesional e laik. Çështja është se çfarë të bëhet tani e tutje, kur dihet se rasti është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga një grup deputetësh që shfrytëzuan të drejtën e ankesës, që sipas Kushtetutës mund të bëhet brenda tetë ditëve nga dita e miratimit të ligjit në Kuvend, që mund të kontestohet kushtetutshmëria e ligjit.

Pati një dilemë se a mos ka kaluar afati prej tetë ditësh, por dilema u shua me të pranuar rastin Gjykata Kushtetuese dhe konstatoi se është brenda afatit prej tetë ditësh. Këtë e bëri në bazë të rregullit 27 të rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Procedurat politike apo juridike?

Pas debateve politike të shumta para dhe pas miratimit me 90 vota në Kuvend të ligjit për amnistinë, del se mjaft vend po zënë edhe argumentet politike përballë atyre juridike se ligji do të duhet të hyjë në fuqi sa më parë sepse nuk është tamam “lloj ligji i zakonshëm” por është derivat i marrëveshjes së 19 prillit për “raportet Kosovë – Serbi”. Në këtë aspekt shtrohet pyetja se për ligje të tilla a ka bazë kushtetuese dhe ligjore të precizuar se ato do të duhej të hynë fuqi sa më parë pavarësisht procedurave juridike, kur janë në pyetje procese të rëndësishme politike. Një gjë e tillë nuk është e rregulluar dhe as e përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj.

Pavarësisht rëndësisë duhet të vlejnë shumë më shumë procedurat juridike para procedurave politike për ligjin, duhet të tregohet kulturë për respektim formal të procedurave juridike për verifikimin e kushtetutshmërisë së ligjit, në vend të deklarimit për të kualifikuar se “ligji është i një rëndësie të veçantë”, që në rastin e tillë nuk ka dyshim se Amnistia nuk është e rëndësisë së veçantë, por jo edhe në rastin kur është në shprehje ligji për amnistinë sepse si i tillë pak paraqet “veçanti”.

Gjykata Kushtetuese apo Presidentja?

Me tu dërguar rasti në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim të kushtetutshmërisë, me automatizëm ndalohet e drejta e veprimit të Presidentes në raport me ligjin për amnistinë, si në aspekt të nënshkrimit të ligjit poashtu edhe mos nënshkrimit që sipas praktikës nënkupton se ligji shpallet automatikisht poqese nuk ka pasur vërejtje shprehimisht. Në rastin e tillë një mundësi e tillë nuk vlen sepse ligji është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për tu vlerësuar në aspektin kushtetutshmërisë. Edhe me Kushtetutë dhe me ligj përcaktohet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare, prandaj edhe te rasti i ligjit për amnistinë duhet pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht skepticizmit të disa deputetëve qofshin ata edhe në mesin e atyre që e kanë dërguar ligjin në Gjykatë.

E dëmton shumë zhvillimin e demokracisë dhe funksionimin e ligjit dhe rendit poqese me deklarata politike shprehemi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë i tillë apo i atillë. Edhe më e pa pranueshme është kur tentohet të ndikohet procesi profesionalisht duke supozuar paraprakisht vendimin final të Gjykatës Kushtetuese.

Mobi Casa

A jemi gati për amnistinë?

Shoqëria kosovare në vazhdën e reformave, jo që është e pa përgatitur për ta pranuar “amnistinë”, por është e pa përgatitur për ta trajtuar atë, jo që nuk e dine se a është e rëndësishme, por është skeptike se a do të duhej të ndodhte tani? Ka dilema se a do të ketë efektin e duhur kur po bëhet përmes procesit të dialogimit Kosovës – Serbi për normalizim marrëdhëniesh me ndërmjetësim të BE-së.

BE-ja po ofron zgjidhje politike për normalizim raportesh mes Kosovës dhe Serbisë përmes një ligji për amnistinë pa marrë parasysh vullnetin e qytetarëve kosovarë, por për vullnetin e tillë po i referohet qëndrimeve politike të përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvend.

Kushtetutshmëria e ligjit

Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e ligjit për amnistinë dhe pavarësisht vendimit, vendimi i tillë është obligues. Gjykata Kushtetuese ka paralajmëruar se ligji në këtë fazë nuk mund të hyjë në fuqi pavarësisht veprimeve të Presidentes, sepse një veprim i tillë nuk ka fuqinë e dërgimit të ligjit drejtë hyrjes në fuqi, kur dihet se ndaj ligjit është kërkuar shqyrtim i kushtetutshmërisë nga deputetët e Kuvendit.

E tëra duhet pritur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e ligjit dhe pastaj të ndërmerren veprimet lidhur me hyrjen në fuqi të ligjit për amnistinë. Çdo veprim paraprak lidhur me ligjin deri sa nuk kemi vendim të Gjykatës paraqet shpërfillje të procedurave kushtetuese dhe ligjore të hyrjes në fuqi të ligjit.

Institucionet e larta shtetërore kanë të paracaktuara saktë kompetencat e tyre kushtetuese dhe kanë ndërlidhjen e ushtrimit të tyre duke respektuar vendimet e secilit institucion në mënyrë reciproke, prandaj vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese është përcaktues i veprimeve të mëtutjeshme me ligjin për amnistinë.

(Autori është kandidat për Doktor të shkencave në Të drejtën kushtetuese dhe administrative dhe Asistent në Katedrën e shkencave Kushtetuese – Administrative në Fakultetin Juridik të UP-ës)