Amnisti, jo amnezi
Nga Ardian Gjini- Fjala amnisti është fjalë greke. Nënkupton falje nga ndjekja për vepra të caktuara ose grupe të caktuara njerëzish kryesisht për arsye politike. Por kjo fjalë në rrënjën e saj është shumë e përafërt, në mos e njëjtë me fjalën amnezi, (Ἀμνησία), që do të thotë të harrosh.
Çka është amnistia?
Fjala amnisti është fjalë greke. Nënkupton falje nga ndjekja për vepra të caktuara ose grupe të caktuara njerëzish kryesisht për arsye politike. Por kjo fjalë në rrënjën e saj është shumë e përafërt, në mos e njëjtë me fjalën amnezi, (Ἀμνησία), që do të thotë të harrosh.
Amnisti të ndryshme kanë ndodhur gjatë historisë së gjatë të njerëzimit. Që nga Greqia e lashtë, te presidenti Andrew Johnson pas luftës civile në SHBA, e deri te ligjet për amnisti në Ballkanin e dekadave të fundit. Ligjet për amnisti kanë karakteristika të përbashkëta. Falen ata që logjikisht dhe legalisht do të duhej të dënoheshin. Rastet që bien në listën e veprave që amnistohen nuk hetohen më tutje, ndërsa ato që janë hetuar deri më datën e caktuar, nuk ndiqen. Ata që janë dënuar për vepra të tilla në periudhën e caktuar, lirohen nga burgu dhe shpeshherë edhe fshihen nga dosjet kriminale. Përfitimet nga ligjet për amnisti janë retroaktive, dmth vlejnë për vepra që janë kryer para se të fuqizohet amnistia, etj.
Edhe qëllimet për sjellje të ligjeve për amnisti janë përafërsisht të njëjta. Kryesisht falja vjen atëherë kur shteti konkludon se dënimi i një grupi njerëzish është më i paleverdishëm sesa mundësimi i futjes së tyre nën ligj. Kur amnistia vjen pas luftës ose cilitdo lloj të konfliktit të armatosur, atëherë qëllimi është para së gjithash përfundimi i armiqësive dhe vendosja e paqes. Dhe, edhe në këtë rast, vetëm atëherë kur qeveritë konkludojnë se vendosja e rendit përmes forcës është shumë më e kushtueshme në afat të gjatë sesa amnistia, ose ndoshta edhe e pamundur.
Gjithsesi se kontraverza më e madhe që i përcjell ligjet për amnisti është e përbashkët. Shpërblehen ata që kanë bërë krime dhe dëmtohen të paktën moralisht dhe emocionalisht, viktimat.
Cili duhet të jetë minimumi?
Me çfarëdo ligji për amnisti, viktimat dëmtohen. Humbjet në njerëz nuk mund të kompensohen. As koha e humbur dhe ndoshta në shumë raste as dëmi financiar. Por ligji për amnisti duhet të garantojë kompensimin e dëmit për palën e tretë (viktimën) në maksimumin e rasteve të mundshme. Nëse një person nuk ndiqet penalisht për uzurpim të pronës për shembull, prona duhet t’i kthehet pronarit sa më parë dhe t’i lejohet ta gëzojë të drejtën e tij mbi të. Nëse një hajdut nuk do të ndiqet penalisht për vjedhje, pronari legjitim ose përfituesi i ligjshëm duhet të kompensohet menjëherë. Dhe kështu me radhë, kompensimi duhet të bëhet në afat sa më të shkurtër.
Po ashtu, ligji për amnisti duhet të ketë provizion të qartë se përsëritja e veprës penale nga ata që përfitojnë nga amnistia do të konsiderohet me automatizëm recidivizëm. Falja ndodh vetëm një herë.
Politika nuk duhet ta amnistojë vetveten!
Gjatë diskutimit të projektligjit për amnisti në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion të Kuvendit më datë 1 korrik, kam kërkuar që zyrtarët dhe ish-zyrtarët publikë të mos amnistohen. Të njëjtën e kam përsëritur në mediat elektronike dhe të shkruara të nesërmen dhe po ashtu, kryetari Haradinaj gjatë adresimit të mediave e ka bërë të qartë se Aleanca mendon se zyrtarët e shtetit nuk duhet ta amnistojnë vetveten dhe se të gjithë ata që kanë qenë nën betim ose nën kontratë me shtetin, nuk duhet të amnistohen.
Kjo çështje është kruciale për të ardhmen e shtetit tonë. Deputetët e Kuvendit mund ta amnistojnë këdo, por jo vetveten. Të gjithë ata që janë betuar solemnisht se do ta mbrojnë ligjin, Kushtetutën dhe interesin publik dhe të gjithë ata që janë paguar nga paraja publike, nuk duhet të amnistohen. Deputetë e ish-deputetë, ministra e ish-ministra, kryeministra, presidentë, kryetarë komunash e asamblistë, gjyqtarë, prokurorë e zyrtarë të administratës së shtetit, nëse janë të ndershëm duhet ta ngritin zërin dhe të mos pranojnë të jenë subjekt i amnistisë. Nëse ne do ta amnistojmë vetveten, qëllimi i amnistisë, që është mundësimi i funksionimit të shtetit saktë në tërë territorin, do të relativizohet në masë absurde! Qeveria nuk guxon të provojë që ligjin për amnisti ta shndërrojë në ligj për “amnezi”!
(Autori është kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)


