Amerikanët “e kthejnë” njohjen në tavolinë

Plani franko-gjerman, nëse palët pajtohen për të gjatë këtij viti, nuk do të sigurojë njohjen reciproke të Kosovës e Serbisë. Kjo është pranuar edhe nga zyrtarët e qeverisë. Por, një deklaratë e shkurtër gjatë javës e ambasadorit Hovenier se “njohja s’është e mundur aktualisht” trazoi politikën në Prishtinë.

Këshilltari special Derek Chollet, që së shpejti do të vijë në rajon, tha se plani do ta ketë në thelb njohjen. Me këtë “ndryshim” të qëndrimeve amerikane, VV iu përgjigj menjëherë opozitës.

Deklarata e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, se njohja e Kosovës nga Serbia aktualisht nuk është e mundur, turbulloi ujërat. Nisur nga ajo që amerikanët ishin të parët që e kishin vënë kusht marrëveshjen me njohje reciproke, qëndrimi që dukej i ri, i thënë nga Hovenier, ndezi alarme në Kosovë.

Por, këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ktheu qëndrimin për njohje në origjinë.

Ai thotë se propozimi evropian, i njohur në publik si plani franko-gjerman, do të ketë bazën në njohjen reciproke.“Shumë më tepër se që duhej nga energjia jonë, është shpenzuar gjatë javëve të fundit për të shmangur përkeqësimin e krizës dhe përshkallëzimin e saj në diçka që askush nuk dëshironte ta shikonte, në dhunë. Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqendruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim, që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjellë”, ka thënë Chollet për Zërin e Amerikës.

Po në të njëjtin medium, të enjten, foli edhe kryeministri Kurti. Aty iu rikujtua se plani franko gjerman s’ka njohje, por ai theksoi se rezultati s’mund të dihet pa filluar negociatat.“Varet nga negociatat, unë nuk mendoj që ende pa filluar negociatat mund të dihet rezultati, por dihet forma e atij rezultati e forma për mua është e qartë – normalizim i plotë i marrëdhënieve sepse marrëdhëniet i kemi abnormale, me njohjen reciproke në qendër” ka thënë shefi i qeverisë.

Një ditë më vonë, të premten, Kurti tha se beson që SHBA dhe BE mund t’ia nxjerrin njohjen Serbisë duke i bërë më shumë trysni.

Në Vetëvendosje i ka gëzuar deklarata e Cholletit, që u mor si kundërpërgjigje ndaj opozitës.“Kaq i shkurtër është afati i skadencës së deklaratave të opozitës. Më pak se 24 orë“, është shkruar nga sekretariati për media i LV-së.“Për fat të keq kjo nuk është e mundur aktualisht, por sfidat e sotme mund të tejkalohen. Nëse e sheh këtë marrëveshje, këtë punë si hap i përkohshëm drejt asaj…atëherë ka mundësi reale”, citohej Hovenier në një shkrim të gazetarit britanik Tim Judah.

Para intervistës së Cholletit, që i binte pas publikimit të deklaratës së Hovenierit se “aktualisht njohja s’është e mundur”, udhëheqja e partive opozitare reagoi, duke e bërë përgjegjës Kurtin dhe Qeverinë e tij.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, pyeste Kryeministrin Kurti se si e solli punën deri këtu ku aleatët thonë se nuk është koha për njohje.“Kryeministri duhet të na e sqarojë se si qenka katandisur procesi deri në atë pikë sa aleatët tanë po thonë tani që nuk është koha për njohje reciproke?

”Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku rikujtonte se si Presidenti amerikan, Joe Biden, në shkurt të 2021-s i kishte shkruar letër Presidentit serb, Aleksandër Vuciq, ku i thoshte se marrëveshja me Kosovën duhej të përqëndrohej në njohjen reciproke.

Sipas Abdixhikut, deklarata e Hovenierit që tani s’mund të ketë njohje ishte produkt i papërgjegjësisë së Qeverisë Kurti.“Tani aleati ynë kryesor thekson se koha nuk është për njohje. Ky qëndrim vjen si pasojë e papërgjegjësisë populliste që për politikë turmash jo që s’arriti të përfitojë nga kjo administratë, por pariparueshëm degradojë relacionet në qëndrime që tani dhe normalizojnë mosnjohjen”, shkroi kryetari i LDK-së.Deri tash, propozimi evropian, versioni i fundit i publikuar në Radio Evropën e Lirë, nuk flet bukfalisht për njohje në marrëveshjen e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe kur ky propozim ka nisur të diskutohet në vjeshtën që shkoi, thuhej se nuk parashihte njohje formale.

Edhe vetë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në një paraqitje të tij virtuale në Beograd e kishte thënë këtë.“Për ne është me rëndësi të ketë dokument final me njohjen reciproke në qendër. Për Serbinë është që të mos ketë dokument final e të mos ketë njohje reciproke. Prandaj nga kjo perspektivë do të thosha se propozimi franko-gjerman më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje finale e as s’përfshin njohje reciproke në këtë fazë”, kishte thënë Bislimi.

Por Chollet, që është zyrtari më i lartë amerikan i angazhuar aktivisht për të zgjidhur problemin mes Kosovës dhe Serbisë thotë se normalizimi, sipas planit të famshëm evropian, do ta ketë bazën te njohja.

Chollet pritet ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë së shpejti, duke hyrë në listën e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë që kanë prerë biletat për Prishtinë e Beograd, në tentim të arritjes së një marrëveshjeje mes palëve, që s’çon në tensione të reja.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS