UBT

Amerika dhe bota, besojnë sërish tek Obama

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Artur Zheji- Pavarësisht këndit të largët prej Botës së Re, si edhe thirrej dikur kontinenti amerikan, por në kërthizë të Europës ku ne shqiptarët gjendemi, kemi pse themi: Urime, zoti President!

Ndonëse me papunësi, krizë dhe pasiguri ekonomike, të pazgjidhur, ShBA rizgjedhin Obamën si President të tyrin edhe për një mandat të dytë.

Kjo do të thotë se, pavarësisht paragjykimeve apo vlerësimeve për mosqeverisje plotësisht efikase dhe me dorë të fortë në këto katër vite, Obama, paqësori dhe sociali si ai, mori preferencat më të mëdha. Në situata krize, e Shumta që vendos, e etur për stabilitet dhe siguri, qëndron ose kalon te profili i një Presidenti që nuk parapëlqen muskujt e forcës për zgjidhjen e situatave të ndërlikuara ndërkombëtare dhe që dialogon pa përtesë me shtresat në nevojë, që kësi kohësh janë rritur mjaft qoftë edhe në Amerikë.

Nga njëra anë, lehtësira financiare për bizneset e vogla, politikë më të vëmendshme për tregjet amerikane dhe ekspansionin e të huajve që depërtojnë në ShBA, nga ana tjetër një rishpërndarje të mëtejshme të barrës fiskale, që më të pasurit duhet të paguajnë në arkën e shtetit. Një e Majtë e moderuar, ky është tipi i të majtës sociale që drejton presidenti Obama, në filozofi politike sa më afër njerëzores. Në politikat financiare të Shtetit dhe kryesisht në politikën ndërkombëtare.

Emri dhe origjina muslimane e Presidentit amerikan, ka vite dhe do të vijojë edhe për vite të tjera, të përmbysë mitin e përhapur antiislamik të ShBA-ve. Duke shtensionuar emocionet dhe duke çmontuar mitologjinë antiarabe dhe antiislame të superfuqisë më të madhe të Botës.

Në katër vitet e drejtuara nga Obama, ShBA-të, ndonëse të fuqishme ekonomikisht dhe ushtarakisht sa më s’ka, kanë përdorur me vetëdije më pak forcë dhe më pak ndërhyrje të drejtpërdrejtë. Kanë përdorur, pra, më shumë mjete të tërthorta politike dhe diplomatike.

Është vënë me kujdes të posaçëm nga kjo administratë, në të njëjtin plan: Zgjidhja dhe Forma e Zgjidhjes së çështjeve të mprehta ndërkombëtare.

ShBA sot janë të fuqishme si dhe dje, por mjaft zgjidhje inteligjente në arenën botërore, kryesisht në zonat tradicionalisht më të nxehta, e kanë bërë këtë superfuqi të kursejë energji, para dhe reputacion, duke zëvendësuar gjithmonë e më shpesh aeroplanmbajtëset me negociatorët dhe delegacionet negociatore.

Në planin e brendshëm Barack Obama, mishëron sidhe në mandatin e tij të parë, thelbin real të ‘American dream’, mbi liritë dhe mundësitë e gjithkujt për të bërë karrierë deri në majën më të lartë të pushtetit dhe të influencave.

Ai mishëron paqen dhe harmoninë raciale, në një vend ku është bërë lufta më e madhe civile në botë, për realizimin e një nocioni themeltar të qytetërimit modern, njëkohësisht idealist dhe romantik: kundër skllavërisë, pro barazisë universale, të të gjithë bijve të Zotit. Ashtu si përpara Zotit të gjitha krijesat e krijuara prej tij janë të barabarta për nga mundësitë, ashtu edhe në Kushtetutën e Etërve të Demokracisë Amerikane, njëherazi, Etër të Demokracisë Botërore, të Gjithë janë të barabartë në mundësitë e tyre për të ecur realisht përpara.

KKVITI

Kush mendoi se Amerika e të ‘bardhëve’ dhe e ‘të pasurve sa më s’ka’ ishte penduar për ‘aksidentin’ Obama, u gabua dhe u demoralizua nga vota e lirë amerikane, që e rikonfirmoi atë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Në botë Obama nuk ka qenë për asnjë çast një President i diskutuar dhe as një çast një ‘President i urryer’, qoftë edhe nga qarqet më radikale antiamerikane.

Ai është një President dukshëm njerëzor, i vetëdijshëm për fuqinë elefantike që ka pas, por i kujdesshëm të mos thyejë as edhe ‘një vezë’, në sensibilitetet e më të vegjëlve dhe më të dobëtëve.

Një President pa arrogancë, pa dëngla dhe pa prepotencë.

Në fjalimet apo debatet e tij elektorale të javëve të fundit binte në sy pranimi i sinqertë i mosarritjeve të deritashme të Administratës së tij, në dominimin e krizës ekonomike dhe modestia e premtimeve, për mandatin e dytë që u kërkonte amerikanëve.

Obama pra, fytyrëbardhi me lëkurë të errët, mishëron evolucionin e një filozofie të re dhe frymëzuese amerikane: fuqia është më e fuqishme dhe më e respektueshme kur përdoret me drejtësi dhe objektivitet maksimal.

Ai, amerikano-keniani Obama, e ka ngritur reputacionin ndërkombëtar të ShBA-ve edhe një shkallë më lart. Sot, ‘antiimperialistët’ dhe ‘antiglobalët’ nga njëra anë, lobet e fuqishme monopoliste nga na tjetër, duket sikur kanë mbetur pa një ‘kauzë’ dhe pa protagonizmin që ishin mësuar. Në këtë optikë, nuk duket krejt rastësi që edhe George W. Bush, gabimisht dhe ndoshta nën sugjestionin e një simpatie të fshehtë, votoi kundër vullnetit dhe zgjedhjes së vet, për Barack-un dhe jo për Romney-n.

Efekti Obama pra, një President me prioritet paqen dhe zgjidhjet paqësore dhe joarrogante të ngërçeve të mëdha gjeopolitike, ka dhënë padyshim rezultate të mëdha dhe pozitive në rang planetar.

Pavarësisht këndit të largët prej Botës së Re, si edhe thirrej dikur kontinenti amerikan, por në kërthizë të Europës ku ne shqiptarët gjendemi, kemi pse themi: Urime, zoti President!