Ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi ka qëndruar në Viti dhe Stubëll

Viti – Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, ka qëndruar sot në Viti, me që rast ka zhvilluar një takim me kryetarin e komunës së Vitisë Sokol Halitin dhe kryesuesin e kuvendit komunal Naim Pira. Gjatë këtij takimi, ambasadori Minxhozi u njoh me zhvillimet aktuale në komunën e Vitisë, si dhe për sfidat dhe planet për të ardhmen.
Vizita e ambasadorit Minxhozi, ka vazhduar edhe në Stubëll të Epërme, ku atje ka deklaruar se është hera e tretë që viziton komunën e Vitisë, ndërkohë që sa herë që qëndron në këtë komunë dëshiron që të vizitoj edhe Stubllën. “Ky është një vend me histori të bujshme ndër shekullore. Stublla është një fshat i integruar në kulturë, shkencë, arsim etj, prandaj edhe ka veçorin e vet. Edhe shkolla e Stubllës, është e organizuar dhe model për shkollat tjera, e që sigurisht për këtë ka ndikuar shkolla e parë shqipe në këtë vend.”, ka thënë ambasadori Qemal Minxhozi.
Ai mes tjerash ka vlerësuar lartë edhe organizimin e aktiviteteve tradicionale të kulturës dhe shkencës “Takimet e Dom Mikel Tarabulluzit” që për çdo vit e më shumë po grumbullon arsimdashës, intelektual e krijues nga gjitha trevat shqiptare.
Ndërsa kryetari i komunës Sokol Haliti, duke përshëndetur për vizitën por edhe interesimin për komunën e Vitisë të ambasadorit Minxhozi, ka thënë se Stublla shquhet për organizimin e mirë të banorëve të këtushëm, që shpesh herë është shembull për të mirë.
Duke folur për aktivitetet kulturore e shkencore, kryetari Haliti ka përmendur se sivjet organizimi i manifestimit të “Dom Mikelit” do të ketë një vëmendje më të shtuar për faktin e shenjtërimit të Nënës Terezë që do të bëhet në muajin shtator.
Kurse në emër të banorëve të fshatit Stubëll, prifti i Kishës Don Albert Jakaj, ka falënderuar mysafirët për vizitën dhe njëherit i ka njoftuar shkurtimisht me aktualitetin dhe bashkëjetesën e mirë, por edhe bashkëpunimin e ndërsjellë me Institucionet komunale të Vitisë./rajonipress/