Fundamenti

Ambasadori Hill për targat: Jemi të zhgënjyer dhe të shqetësuar për refuzimin e Qeverisë së Kosovës

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se është i zhgënjyer dhe i shqetësuar për vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të mos zgjatur afatin për riregjistrimin e automjeteve dhe kalimin nga targat ilegale KM në ato RKS, pavarësisht thirrjeve nga SHBA-ja, BE dhe QUINT-i.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, ka kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojë periudhën e zbatimit të riregjistrimit të automjeteve. Jemi të zhgënjyer dhe të shqetësuar për refuzimin e Qeverisë së Kosovës për të pranuar kërkesat dhe këshillat e partnerëve të saj më të afërt ndërkombëtarë për këtë çështje”, tha Hilli në një intervistë të tij me mediumin serb “Blic”.

Ai shtoi se mirëpret vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën kujdesin e Brukselit. “I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë të marrin pjesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, shtoi Hilli.

Paraprakisht në të njëjtën mënyrë ka reaguar edhe Gabriel Escobar, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i cili po ashtu u ka bërë thirrje autoriteteve të Prishtinës që të shtyjnë afatin.

Serbët e Kosovës duke filluar nga 1 shtatori kanë pasur dy muaj kohë, për t’i konvertuar targat e tyre ilegale me akronime si KM, PZ, e të tjera, në ato RKS.

Gabriel Escobar, i deleguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, shtyrjen e vendimit për targat për një periudhë 10-mujore.

Sipas tij, kërkesa për shtyrjen e vendimit nuk është vetëm kërkesë amerikane.

Mobi Casa

Me sugjerimin e SHBA-së, sipas Escobarit, pajtohen edhe shtetet e QUINT-it.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës vazhdon të insistojë që vendimi i saj përfundon më 31 tetor.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtar lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, por sipas tij Kosova është për respektimin e rendit dhe ligjit.

“Andaj edhe kur partnerët, aleatët, miqtë tanë ndërkombëtarë na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka deklaruar Kurti.

Më tej ambasadori veteran amerikan, ka folur edhe për propozimin franko-gjerman, duke theksuar se SHBA-ja e mbështet, kornizën e re të dialogut, të cilën Albanian Post e kishte publikuar më 18 shtator.

“Është një iniciativë të cilën ne e mbështesim, si dhe çdo aktivitet të Bashkimit Evropian në dialog. Kjo është e rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe evropian në një kohë kur po përballemi me krizën në Ukrainë dhe pjesë të tjera të Evropës”, ka shtuar ai.