RCCOLA

Ambasadori gjerman në Beograd: E mbështesim fort ndërmjetësimin e BE-së, Prishtina ta heqë taksën

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Thomas Schieb, deklaroi se vendi i tij e përkrah fuqishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në format të pandryshuar nga ai i deritashmi dhe e thirri Prishtinën që ta heqë taksën ndaj importit nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Schieb për revistën “Diplomacy & Comerce” ka thënë se dialogu patjetër duhet të rezultojë me një marrëveshje që do të jetë gjithëpërfshirëse, e pranueshme për të dy palët dhe e zbatueshme, transmeton Express.

“Marrëveshja duhet të jetë e mbështetur mbi parimet e multietnicitetit, të sigurojë të drejta për minoritetet dhe standarde demokratike dhe të kontribuojë për stabilitetin rajonal, thotë Schieb.

Ambasadori ka përshëndetur përparimet e arritura deri tani gjatë dialogut, duke përmendur lirinë e lëvizjes, njohjen e diplomave, si dhe përparimet në fushën e telekomunikimeve dhe drejtësisë, që, sipas tij, ka bërë që të përmirësohet standardi jetësor edhe i serbëve edhe i shqiptarëve.

Mobi Casa

Ai ka shtuar se Beogradi dhe Prishtina, për të arritur zgjidhje të tilla, patjetër duhet të ulen dhe të negociojnë.

“Shpresojmë se dialogu do të vazhdojë. Prandaj i inkurajojmë autoritetet kosovare që t’i heqin tarifat që i shkelin rregullat e marrëveshjes së CEFTA-s. Gjithashtu i inkurajojmë të dy palët që të përmbahen nga veprimet që do të mund ta rrezikojnë dialogun edhe më shumë”, thotë Schieb.

Diplomati gjerman ka theksuar edhe se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është një nga parakushtet për Serbinë në Bashkimin Evropian.