Hidromorava

Ambasadori gjerman i përgjigjet Thaçit për Lajçakun: Nuk e përfaqëson Sllovakinë, por BE-në me 27 shtete anëtare

/ 3 minuta lexim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në mënyrë të vazhdueshme ka adresuar kritika të ashpëra ndaj Bashkimit Evropian sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.

Kreu i shtetit madje në mënyrë kategorike ka kundërshtuar emërimin e sllovakut Miroslav Lajcak në pozitën e Përfaqësuesit Special të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, meqë Sllovakia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Lidhur me një çështje të tillë në një intervistë për Balkan Insight ka folur ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt.

Diplomati gjerman në Prishtinë ka thënë se Lajcak në detyrën e emisarit për dialogun Kosovë-Serbi nuk e përfaqëson Sllovakinë por Bashkimin Evropian me 27 shtetet anëtare.

“Thashethemet që thonë se BE-ja po mban anë vetëm për faktin se Miroslav Lajcak e ka origjinën nga një vend që nuk e njeh Kosovën keqinterpretojnë qëllimisht dhe në mënyrë të gabuar mekanizmat e BE-së. Në detyrën e tij të re, zoti Lajcak nuk përfaqëson Sllovakinë, por BE-në me 27 vendet e saj anëtare, 450 milionë banorët dhe me zonën më të madhe ekonomike të botës”, ka thënë Heldt.

Fundamenti

Përveç tjerash Heldt ka thënë se Lajcak ka besimin e plotë të Berlinit zyrtar dhe se ai do të përfaqësojë edhe Gjermaninë në dialogun Kosovë-Serbi.

“Dhe si ambasador i një shteti anëtar krenar që i përket kësaj familjeje, mund të them se z. Lajcak gëzon besimin e plotë të qeverisë time për detyrën e tij të re, ku ai gjithashtu do të përfaqësojë Gjermaninë si shtet anëtar”, ka potencuar ndër të tjera ambasadori gjerman.

Heldt ka thënë se është në dorën e Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare se çfarë personeli zgjedhin, duke rikujtuar kështu thirrjen e kancelares Angela Merkel për rinisjen e dialogut Prishtinë-Beograd.

“Dhe i takon BE-së dhe vendeve anëtare të zgjedhin personelin e saj në funksione drejtuese, siç i takon edhe Kosovës nga ana tjetër. Këtu, siç u shpreh kancelaria Merkel javën e kaluar, ne mezi presim të shohim Kosovën të rifillojë dialogun nën drejtimin e qeverisë së saj. Qeveria në detyrë sapo ka bërë një hap të madh përpara me heqjen e tarifave. Një veprim ky i mirëpritur si nga Brukseli ashtu edhe nga vendet anëtare, përfshirë edhe nga Gjermania. Tani është e rëndësishme të rifillojnë bisedimet dhe gjithashtu të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura” ka theksuar ndër të tjera Christian Heldt./GazetaExpress/