Hidromorava

Ambasadori gjerman dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe kërkon që autorët të nxirren para drejtësisë

/ 2 minuta lexim

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Jorn Rohde, ka dënuar sulmin e sotëm me armë ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Ambasadori gjerman, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se i jep mbështetje të plotë autoriteteve të drejtësisë që t’i sjellin para drejtësisë autorët e sulmit

“E dënojmë këtë sulm të pestë të neveritshëm ndaj Policisë së Kosovës në vetëm disa javë. Mbështetje e plotë për autoritetet e zbatimit të ligjit të Kosovës për të sjellë autorët para drejtësisë”, ka shkruar Rohde, transmeton Telegrafi.

Edhe misioni i OSBE-së në Kosovë ka dënuar sulmin e sotëm ndaj zyrtarëve të Polcisë së Kosovës në veri të vendit.

Mobi Casa

Një njësi patrulluese e Policisë së Kosovës është sulmuar sërish mëngjesin e sotëm me armë zjarri derisa automjeti i tyre po qarkullonte nga Mitrovica në drejtim të kufirit të Bërnjakut. Ngjarja ka ndodhur në Zupçe të Zubin Potokut, dhe fatmirësisht, përveç dëmeve materiale, nuk kishte policë të lënduar.

Ndryshe, për të pestën herë me radhë brenda pak ditëve zyrtarët e Policisë së Kosovës janë sulmuar në veri të vendit.

Ndërsa, brenda tri ditëve (13-16 prill), zyrtarët policor të Kosovës janë sulmuar katër herë me breshëri plumbash, granatë dore, iriqë metalikë e janë gjuajtur me gurë.

Përgjatë magjistrales Mitrovicë-Bërnjak, sot gjatë ditës situata vazhdon të jetë e qetë, ndërsa janë vërejtur forca të shtuara të Njësiteve Speciale të Kosovës. /Telegrafi/