Fundamenti

Ambasadori amerikan: Të gjykohen të gjithë ata që kanë kryer krime

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Në 20 vjetorin e masakrës së Mejës, i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan Philip Kosnett. Ambasadori tha se Kosova dhe vendet fqinje duhet të ulen dhe të diskutojnë për të kaluarën.

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, tha se realiteti i krimeve në Mejë është aq i tmerrshëm.

“Askush mos të dyshojë sa e thellë apo e qëndrueshme është miqësia mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. Mbështetja e Amerikës ndaj qëllimit për paqe, drejtësi dhe mbarësi për Kosovën dhe fqinjët e Kosovës mbetët e qëndrueshme. Përkushtimi i Amerikës për të ardhmen e Kosovës paraqet një trashëgimi të thellë për ata qe vdiqën qe Kosova të jete e lirë”, tha ai.

RCCOLA

Kosnett tha se Kosova dhe vendet fqinje duhet të pranojnë të diskutojnë për të kaluar, duke nënkuptuar se për këtë Serbia të pranojë fajësinë për krimet e kryera para 20 vitesh, ndërsa edhe në Kosovë të gjykohen ata që dyshohen për krime.

“Per hir të gjeneratave që vijnë pas e nxis popullin e Kosovës dhe fqinjët tuaj të pranoni dhe të diskutoni drejtpërdrejtë për çastet e errëta të historisë suaj te përbashkët. Për disa kjo do të thotë pranim të realitetit të fushatës së spastrimit etnik të sponsorizuar nga regjimi i Millosheviqit, qe rezultoi me vrasjen dhe zhdukjen e mijëra dhe për t’u siguruar qe përgjegjësit të japin llogari të plotë. Për popullin e Kosovës duhet të nënkuptojë qe ju dhe demokracia juaj t’i përmbahet një parimi më të lartë dhe të sigurojë llogaridhënie për të gjithë ata individë qe kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës përkundër realitetit të hidhur se shumë fajtorë tjetër kund i janë shmangur drejtësisë deri tash” tha Kosnett.

Sipas tij, duhet një përkushtim më i madh nga Kosova dhe Serbia për t’i gjetur dhe kthyer trupat e te pagjeturve duke punuar ne mirëbesim me bashkësinë ndërkombëtare për të bërë publike dhe për të vepruar në bazë të gjitha informatave në dispozicion. Shënimi i kësaj dite më 27 prill bëhet për faktin se në këtë datë, në vitin 1999, në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, forcat serbe patën vrarë dhe zhdukur 377 civilë shqiptarë të moshës 15 deri 60 vjeç. Nga numri i përgjithshëm i personave që llogariten si të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999, kanë mbetur edhe 1 mijë e 647 njerëz, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. /GazetaExpress/