Fundamenti

Ambasadori amerikan në OSBE: Dialogu Kosovë-Serbi po përparon me hapa të ngadaltë, por të qëndrueshëm

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Ambasadori amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) Michael Carpenter, në një takim virtual me gazetarë të mbajtur të hënën ka folur për dialogun Kosovë-Serbi dhe situatën në Ballkanin Perëndimor.

I pyetur nga gazetarët se a ka ndonjë kërcënim për një shpërthim të një konflikti të ri në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe a rrezikohet Ballkani Perëndimor nga ndonjë ndikim nga Rusia, ambasadori Carpenter u shpreh se situata në Ballkanin Perëndimor është delikate, raporton Telegrafi.

“Sigurisht, ekziston gjithmonë mundësia që gjërat të marrin një kthesë të rrezikshme. Mendoj se tani, megjithatë, dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, po bën përparime edhe pse të ngadalta, por të qëndrueshme dhe ne e mbështesim shumë dialogun e udhëhequr nga BE-ja ku SHBA-të janë të pranishme dhe kanë një vend në tryezë”, ka thënë Carpenter.

Ambasadori ka shtuar se i dërguari i special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun, Gabriel Escobar, është shumë i përkushtuar në këtë proces së bashku me kolegun e tij, të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak drejt njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ka probleme që mund të shkaktojnë mosmarrëveshje. E kemi parë me letërnjoftimet, e shohim me çështjen e targave dhe ka një sërë çështjesh të tjera që janë kontestuese nga të dyja palët. Ne natyrisht, mbështesim një rrugë diplomatike përpara përmes bisedimeve dhe kompromisit, që nuk është gjithmonë e lehtë, por, siç e pamë me çështjen e kartave të identitetit, është e mundur”, u shpreh Carpenter

Ambasadori amerikan në OSBE, shtoi se duan ta çojnë këtë proces në pikën e njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe në marrëdhënie të mira fqinjësore.

RCCOLA

“Është me të vërtetë në interesin më të mirë të të gjithë Ballkanit Perëndimor që kufijtë të respektohen, të njihen reciprokisht, të stabilizohen, në mënyrë që të mund të fokusohemi në sjelljen e paqes dhe prosperitetit në të gjithë rajonin”, tha Carpenter gjatë takimit virtual me gazetarë, raporton Telegrafi.

Carpenter shtoi se sikurse në Kosovë ashtu edhe në Serbi ka misione të OSBE-së, dhe tani për tani mendon se situata është relativisht stabile, por sigurisht që është gjithashtu një situatë e brishtë.

Sa i përket rrezikut të Ballkanit Perëndimor nga Rusia, ambasadori Michael Carpenter, tha se ndikimin rus e kanë parë në të gjithë rajonin.

“Në lidhje me Rusinë, ne shohim ndikim rus në të gjithë rajonin. Është shfaqur në shumë vende të ndryshme. Në fakt, do të thosha në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Carpenter.

Ambasadori amerikan shtoi se ndikimi i Rusisë shihet përmes mbështetjes nga politikanët nacionalistë/popullsitë, duke çuar përpara agjendën e vetë Rusisë, e cila nuk është domosdoshmërish integrimi euroatlantik i rajonit. /Telegrafi/