RCCOLA

Ambasadori amerikan: Kosova në Ballkanin e Hapur, veç si shtet i barabartë

/ 3 minuta lexim

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se Kosova mund të jetë anëtare e Ballkanit të Hapur vetëm nëse është e barabartë me të gjitha shtetet tjera.

Diplomati amerikan ka thënë që është kundër pjesëmarrjes së Kosovës në këtë nismë nëse nuk konsiderohet e barabartë.

“Nuk e di a ka nevojë që të sqarohet qëndrimi amerikan, por me kënaqësi e përsëris atë. E kam bërë këtë më herët, siç e ka bërë edhe zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Eskobar. Janë një varg nismash rajonale që mund të ndihmojnë në rritjen e prosperitetit në rajon. Ne e mirëpresim çdo gjë që zvogëlon pengesat për tregti, që çon përpara lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, kapitalit. Kjo do të ishte Procesi i Berlinit dhe disa prej këtyre nismave tjera, dhe sipas këndvështrimit tonë, kjo përfshin edhe nismës e Ballkanit të Hapur.

RCCOLA

“Shtetet e Bashkuara publikisht kanë shprehur mbështetjen e tyre për të. I kemi pasur dy kushte për mbështetjen tonë, të paktën dy, por dy të rëndësishmet për Kosovën janë (1) nëse Kosova merr pjesë në të, do të duhet të marrë pjesë si partnere e barabartë. Një ndër gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pa yll, pa fusnotë, pa status të posaçëm. Do të duhej të jetë një ndër gjashtë vendet si të gjitha të tjerat. Dhe kushti i dytë ka qenë që vetë nisma të jetë në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE dhe që rrugëtimi i saj të jetë drejt anëtarësimit në BE”.

“Ne e mbështesim Ballkanin e Hapur me kusht që këto kushte të përmbushen. Por, edhe diçka, ne jemi shumë të vetëdijshëm se ky është vendim sovran. Vetë qeveria e Kosovës duhet të marrë vendim se në cilat aranzhime dëshiron të përfshihet. Deri tani, qeveria e Kosovës nuk ka qenë e interesuar që ti bashkohet nismës. Ballkani i Hapur”, u shpreh Hovenier.

“Nuk jemi të interesuar për diç të tillë. Sërish, mbështetja jonë është kushtëzuar me ato gjëra që i shtjellova dhe që do ta mbështesim nëse është plotësuese dhe mbështet e ndihmon në arritjen e atyre objektivave të qarkullimit të lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit, zvogëlimit të pengesave për tregti. Por, nëse bëhet pengesë për gjithë këto gjëra, ose që bëhet mjet për ndikimin e jashtëm, atëherë nuk do ta përkrahnim”, tha Hovenier në ATV.