Ambasada zvicerane, mikpritëse e vizitorëve zviceranë në Kosovë

Ambasadorja zvicerane në Kosovë, Krystyna Marty-Lang ka njoftuar grupet e vizitorëve zviceranë mbi punën që kryen Ambasada në Prishtinë dhe mbi raportet Zvicër-Kosovë.
Ditë më parë, dy grupe vizitorësh zviceranë, kryesisht pedagogë socialë, përveç njohjes me vendin dhe njerëzit e Kosovës, shprehën edhe interesimin për të mësuar për aktivitetin e personelit diplomatik zviceran në Kosovë. Në lokalet e Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë ata i priti ambasadorja e shtetit zviceran zonja Krystyna Marty – Lang bashkë me bashkëpuntorët. Vizitorët, ndaras në dy grupe, u njohën për së afërmi me aktivitetin e përfaqësisë diplomatike të Zvicrës në Kosovë.
Me këtë rast ambasadorja Krystyna Marty – Lang dha një pasqyrë të aktivitetit të Ambasadës Zvicerane në Kosovë. Ajo njoftoi vizitorët nga Zvicra për ndihmën që e ka dhënë dhe po e jep Zvicra në Kosovë, fillimisht në ndihma humanitare për refugjatët dhe më pastaj në projektet zhvillimore që, prej vitesh, zbatohen përmes projektetve të DEZA-s dhe SECO-s.
Një theks të veçantë zonja Marty e vuri te ndihma në fushën e ekonomisë, përkatësisht në uljen e papunësisë, duke pasur parasysh shkallën e lartë të papunësisë në Kosovë. Ajo gjithashtu foli edhe për gatishmërinë e Zvicrës për të investuar edhe në fushën shëndetësisë, por gjithsesi edhe në funksionimin e shtetit ligjor. Në këtë kontekst ajo ka përmendur themelimin e një sistemi të notariatit, përkatësisht trajnimin e noterëve, të cilët do të merren me zgjidhjen e një numri enorm të lëndëve të pazgjidhura që janë grumbulluar gjatë viteve të fundit.
Më tutje zonja Marty bëri të ditur se Ambasada merret edhe me çështjen e sigurisë së njerëzve, me çështjen e emigracionit dhe me çështjen e vizave për kosovarët në Zvicër, për çka, informacione konkrete dhanë bashkëpunëtorët e saj Christian Winter, Norbert Ruetsche, Sylvain Astier dhe David Grichting.
Zëvendësambasadori Christian Winter u përqendrua me këtë rast në strategjinë e bashkëpunimit Zvicër-Kosovë për periudhën 2013-2016, me theks të veçantë në fushat si: Qeverisja dhe decentralizimi, ekonomia dhe punësimi, furnizimi me ujë dhe higjiena, si dhe shëndetësia
Winter e vlerësoi si tejet të rëndësishëm decentralizimin dhe reformën e qeverisjes lokale për përmirësimin e shërbimeve për të qenë sa më afër qytetarit, që do të ishte edhe një e arritur e standardeve evropiane.
Në fushën e ekonomisë dhe punësimit ai përmendi zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe krijimin e vendeve të punës brenda suazave të një stabiliteti makroekonomik, duke krijuar kështu hapësirë të volitshme për investime të jashtme dhe zhvillimin e sektorit privat.
Sa i përket ujit dhe higjienës z. Winter potencoi angazhimin e Zvicrës për të rritjen e kapacitetit të burimeve të ujit të pijshëm si dhe pastrimin e ujërave të zeza në Kosovë.
Zvicra po jep edhe një ndihmesë të madhe në fushën e shëndetësisë, duke financuar në vazhdimësi këtë sektor, me theks të veçantë në personel dhe në menaxhmentin e shërbimeve cilësore mjekësore, sidomos në zvogëlimin e vdekshmërisë së nënave dhe të fëmijëve të porsalindur.
Më tej z. Winter dha edhe një pasqyrë të bashkëpunimit ekonomik mes Zvicrës dhe Kosovës gjatë periudhës 2010-2012, duke sjellë shifra e fakte të produkteve të importuara dhe të eksportuara, që kapin shifra shumëmilionshe. Produktet e import-eksportuara ishin nga fusha e bujqësisë, prodhime kimike, farmaceutike, drunj, metale, makina, automjete, mobilje etj.
Sektori për sigurinë njerëzore
«Qysh nga viti 2001 Sektori për siguri njerëzore mbështet vendet e Ballkanit perëndimor për një paqe të qëndrueshme. Në Kosovë, si çështje thelbësore është përfshirja e të gjitha bashkësive etnike në procesin politik. Pjesë e angazhimit, natyrisht, është dialogu politik, mbështetja gjatë zgjedhjeve, deminimi etj.» thotë sekretari i parë i Ambasadës së Zvicrës, Norbert Ruetsche. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i angazhimit të Zvicrës është integrimi i minoriteteteve në procesin politik. Përmes nxitjes së participimit politik si dhe masave institucionale dhe drejtësisë kushtetuese, Sektori për siguri njerëzore kontribuon edhe në mbrojtjen dhe trajtimin e barabartë të minoriteteve.
Sektori për siguri njerëzore merret edhe me organizimin dhe realizimin e zgjedhjeve të lira dhe transparente, ka shtuar Ruetsche. Në zgjedhjet lokale të nëntorit 2009, të cilat i organizoi Qeveria e Kosovës, ky sektor ndihmoi qeverinë dhe OJQ-të në organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Ky sektor po ashtu ndihmon edhe organizatën Halo Trust e cila që nga viti 1999 merr pjesë në deminimin e fushave të minuara. Me këtë veprim, përveç parandalimit të rasteve tragjike, ndihmohet edhe shfrytëzimi i tokave bujqësore si dhe aktivitetet për hulumtimin e personave të humbur.
Sektori për çështje të emigracionit
Lidhur me çështjen e emigracionit foli atasheu, Sylvain Astier. Ai tha se sipas regjistrimit të vitit 2011 Kosova ka 1´825´632 banorë, por që aktualisht ka edhe një numër prej rreth 800 mijë banorëve që jetojnë jashtë atdheut si p.sh. në Gjermani 270 mijë, në Zvicër 170 mijë, në Austri 80 mijë, në Suedi 35 mijë etj. z. Astier tha se emigracioni kosovar ka ndikim si në fushën ekonomike, po ashtu edhe në atë politike. Si faktorë shtytës e që rëndojnë situatën ekonomike janë: papunësia në shkallë prej 45% sidomos shkalla e papunësisë së të rinjve deri në moshën 25 vjeç që arrin një shkallë prej 75%. Ai tha se çdo vit në Kosovë tregut të punës i shtohen nga 25 mijë të rinj, me ç´rast edhe shtohet vazhdimisht shkalla e papunësisë në Kosovë.
Më pastaj ai njoftoi vizitorët se mesatarja e të ardhurave mujore në Kosovë është 280 euro, kurse ndihma sociale 40-80 euro, për të potencuar se këtu 35% e popullatës jeton nën kufirin e varfërisë, pra me 1,6 euro në ditë.
Sa i përket situatës politike Astier përmendi se aktualisht Kosovën e kanë njohur 99 shtete, përderisa nga shtetet e Unionit Evropian nga 27 shtete ende nuk e kanë njohur edhe 5 shtete. Në vazhdim ai foli edhe për enklavat serbe, shtetin ligjor etj.
Si faktorë tërheqës të emigracionit, Astier përmendi rëndësinë e diasporës kosovare, duke u ndalur në traditën e emigrimit, hulumtimin e tregut të punës, liberalizimin e vizave etj. Ai tha se dërgesat (remitencat) e diasporës në Kosovë janë rreth 450 millionë euro në vit që përdoren kryesisht për konsum ditor, strehim, arsim dhe shëndetësi.
Sa i përket azilkërkimit të kosovarëve në Zvicër z. Astier tha se numri i azilkërkuesve është në rënie e sipër sidomos pas vendimit të Entit Federal të datës 1 prill 2009 ku Kosova njihet si vend i sigurt që nënkupton se kosovarët nuk janë të rrezikuar që të kërkojnë azil. Derisa në vitin 2011 numri i azilkërkuesve arrinte shifrën prej 634 personave, në vitin 2012 në Zvicër kanë kërkuar azil 579 kosovarë, prej tyre 40% shqiptarë, 55% romë, ashkalinj dhe egjiptas dhe 5% serbë nga Kosova.
Pas një marërveshjeje të 1 qershorit 2010 ka pasuar kthimi vullnetar i kosovarëve. Kështu në vitin 2011 janë riatdhesuar 478 persona, kurse në vitin 2012 janë riatdhesuar 427 persona.
Për reintegrimin e tyre ka ndihmuar edhe Qeveria e Kosovës, me ç´rast në vitin 2013 ka ndarë një fond prej 3,2 millionë eurosh, kurse përmes projekteve të ndryshme në Kosovë kanë ndihmuar edhe DEZA dhe BFM me rreth 6,1 millionë franga.
Sektori i shërbimit konsullor: 25 mijë viza në vit për kosovarët
Së fundi për vizitorët nga Zvicra foli edhe shefi i shërbimeve konsullare, David Grichting. Ai tha se Prishtina është një qendër konsullare e Zvicrës për Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ky shërbim është në dispozicion të një kolonie zviceranësh që jetojnë në këtë pjesë të Ballkanit, pastaj për qytetarët e këtushëm të cilët kanë nevojë për viza me qëndrim afatshkurtër në Zvicër, si dhe për raste të shumta të qytetarëve që kërkojnë bashkim familjar si rrjedhojë e martesave të zviceranëve me qytetarët e kësaj pjese të Ballkanit.
Shërbimi konsullar në Prishtinë lëshon 25 mijë viza në vit, prej të cilave kryesisht për qëndrim afatshkurtër, por edhe për bashkim familjar etj. Gjatë vitit 2012 rreth 80% e vizave janë lëshuar për vizita familjarëve, 10% kanë qenë viza biznesi, 4% viza për turizëm, por ka pasur edhe viza për manifestime kulturore, vizita zyrtare, viza për shkaqe shëndetësore etj., ka sqaruar Grichting.
Pyetjes sonë se sa zgjat procedura e marrjes së vizës, z. Grichting iu përgjigj se përveç në raste kontestuese, procedura e lëshimit të vizës zgjat një javë prej ditës së aplikimit.Xhevdet Kallaba/albinfo/