“Amanetet” e serbëve sëmundje trashëguese

Nga Shefik Shkodra – Kur të shan dikush e nuk e sheh as nuk e dëgjon, e di që s’ta do të mirën, por, së largu është diçka më lehtë. Është pak më larg “sysh e zemrës” e më pak e mundimshme. Ajo që e ndien me gjithë qenien tënde, është ajo që të rri karshi sa herë çohesh në mëngjes, është diçka për të cilën duhet të mendosh më shumë, të jesh i disiplinuar dhe të kesh kujdes në sjellje të mos biesh në grackë.
Ide patologjike trashëguese
Nuk dihet se, a janë të bindur misionarët dhe shtetet e tyre për atë se, kush është i gatshëm të lë pas të kaluarën, për t’iu afruar së tashmes. Disa herë është thënë se, nuk është e barabartë asnjë viktimë me gjakësorin, dorasin. Dhe, nëse dikush ta thotë se plaga e shkaktuar për ty është punë e lehtë, ndërsa për tjetrin është shumë e rëndë, kjo nuk do të ishte e pranueshme, pos atëherë, kur i ke hy në “hak” kundërshtarit.
Atëherë, kur ia ke bërë “zullumin” pa ndërprerë, nëpër ara e livadhe, në shtëpi e oborr, në përgjithësi në pronë, në çështje morale e madje, me gjyq e pa gjyq ia bën edhe likuidimin e tij fizik.
Meditimi është pak i çuditshëm në momente të caktuara. Madje, i gjithë monologu duket që bën përpjekje të shndërrohet në dialog. Harron se je vetëm dhe e përjeton sikur po grindesh me dikë: Si është e mundur që haptas e arsyeshëm je viktimë, por mbetesh “terrorist” nga tjetri. Kjo ishte kaherë e po ndodh edhe në kohën më bashkëkohëse e më moderne për shqiptarët. Edhe një pyetje vetvetes, a thua vërtet jemi të një “ylli” të tillë – vetëm për t’u urryer, apo ka diçka tjetër serioze, të pakuptueshme e që nuk jemi në gjendje ta kontrollojmë vetveten. Madje, u rrimë në këmbë me lutje e benefite të çdo gjëje për vrasësin, ndërsa për të përvuajturin sërish, le t’i mjaftoj vuajtja dhe kërcënimi?!
Dhe kështu serbët e vazhdojnë avazin e njëjtë të kohërave më të hershme. Ata vërtet “e dëshirojnë Kosovën pa shqiptar”, kështu e tha edhe njëri një ditë. Dhe plotësisht me vend. Po, kjo dëshirë e tyre, a s’është ide patologjike trashëguese? Kjo parullë nuk do të duhej të shfaqej në sytë e fqinjëve shqiptarë. Nuk pajtohem se, ne nuk jemi në gjendje ta kontrollojmë vetveten. As nuk jemi gjenetikisht e me shenjë të dukshme se, ne duhet të urrehemi. As nuk ka diçka kriminele te ky popull, edhe nëse rastet mund të jenë kudo, e diku-diku kriminalitete edhe më të shumta e më të theksuara.
Në asnjë mënyrë nuk vjen në shprehje sakrifica me uzurpatorin, vrasësin, dhunuesin, me atë që të ka djeg plëng e shtëpi. Dhe për këtë punë s’ka shumë “kuvend”, as “odë pajtimi”, që të analizohen e të barazohen krejt njësoj. Në këtë faturë nuk mund të shtohet grami për barazim, as shifra për një balancë të një pjese vjetore, as të një shekulli të ri që kemi shkelur decenien e dytë të tij. Me këtë urrejtje të pafund duhet të merren vërtet kuadrot e specializuara, që kanë afinitet socio-psikologjik e edhe ato historiko-politike.
Ata duhet të vlerësojnë shkaktarët e akteve të dramës që përfundojnë në humbëtira njerëzimi, si me këta aktorë të prirë që, rrenën ta bëjnë të vërtetë dhe të vërtetën rrenë me çdo kusht. Që veprimet e tyre terrorizuese ia veshin tjetrit, si rroba që nuk i shkojnë për shtati.
Gorazhdeci dhe Presheva me Luginë
Në Preshevë ngrihet një lapidar për emërimin e njerëzve të rënë për të drejta themelore, kërcënohet se duhet të rrafshohet, të mos pranohet se, paskan luftuar kundër shtetit “pushtuesit”. Derisa, konflikti me shqiptarët e Luginës dhe Serbisë ishte i pranuar nga të gjitha anët, se, ishte legjitim dhe jo nga grupe interesi parcial. Po, për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve të kësaj pjese të vendit. Këtë e kanë pranuar edhe vendet evropiane dhe ka qenë një farë “marrëveshje” në mes Serbisë dhe shqiptarëve të atjeshëm. Pra, shihet qartë se, Serbia i shkelë sa herë dëshiron marrëveshjet. Për këtë çështje amorale dhe hiç njerëzore, do të duhej një herë Evropa dhe bota të mos i arsyetoj veprimet e Serbisë, por edhe t’i ndëshkoj.
Gorazhdeci, katundi prej disa dhjetëra shtëpive qenka shteti i tyre. Qenka republika e tyre, sigurisht ilegale. Ndoshta, qenka krejt Serbia, në mes të Kosovës, por me siguri edhe kjo krejt ilegale dhe aspak e pranueshme. Gorazhdeci, nëse nuk ia gaboj emrin, fshat i banuar me serb, në rrethin e Pejës, për të cilin kemi dëgjuar edhe nga anë të tjera se, çka është fol historikisht dhe çka flitet edhe sot për disa pjesëtarë të atij lokaliteti. Së fundi, ata paskan ngritur një “lapidar” me emra të vrarë në luftën e fundit me shqiptarë, por, shqiptarët në këtë rast, sipas këtyre fshatarëve qenkan “terroristë”.
Në ballinë të asaj farë përmendore shënonte: “…viktima të terroristëve shqiptar”. Nuk e di prej ku jam se, në çfarë rrethanash janë të vrarë këta serbë, veç e di se, këta ishin të gjithë të rekrutuar nga Serbia, që të vrasin, të djegin, të dhunojnë shqiptarë dhe ta pastrojnë Kosovën etnikisht.
E kujt është ajo rrethinë dhe ajo komunë? Po nga kush vjen ajo “spicë” e futur në barkun e shqiptarëve? Kujt i shërben dhe çfarë qëllimi mund të ketë për ardhmërinë e këtij vendi? Këto dhe pyetje të tjera nuk mund ta fashisin problemin e përgjigjes shumë akute. Po për këto pyetje, ndoshta ngjashëm edhe në këndet tjera Kosovës, është dashur dhe duhet të merret në radhë të parë shteti legal i Kosovës.
Komuniteti ndërkombëtar
Shkatërrimi material e shpirtëror është i pafund. Por, për të rregulluar prishjet dhe shkatërrimet në njerëz e pasuri, atëherë është shumë lehtë, po qe se dëshirojmë t’i përafrojmë palët në mes veti. Por, një fjalë shumë të sigurt mund ta themi me këtë rast, sa herë që nuk është pyetur populli shqiptar për rregullime të reja në Ballkan, është e qartë se, ato nuk kanë qenë ndërhyrje për një paqe e stabilitet me jetë të gjatë. Ato lloj rregullimesh kanë sjell shumë pasoja në njerëz dhe pasuri të tundshme e të pa tundshme.
Ato farë “marimesh” veç sa kanë lënë pasojat e veta në vazhdimësi shekullore. Veç sa kanë shtuar armiqësi të pa riparueshme. Janë të njohura tashmë, rrënojat nga LPB, nga ajo e Dyta e deri më sot. Rezistenca gjithnjë ka qenë e pa ndërprerë kundrejt padrejtësive që iu kanë kanosur shqiptarëve deri në këtë shekull ku jemi. Këto pasoja të lëna pas “rregullimit” të kufijve në Ballkan, posaçërisht në dëm të shqiptarëve, i kanë ditur të gjithë ata që edhe i kanë “ujdisë” në atë mënyrë.
Kështu që parashikimet kanë qenë të njohura. Por, pasojat prej komunitetit shqiptar kanë qenë të vogla. Jo të rrezikshme dhe besa me njerëz që janë gjendur në anën e tyre, sidomos, ata pas Luftës Dytë, e që ia kanë bërë të mundshme shtyrjen e qëndresës të shtetit okupues një kohë kaq të gjatë. E paimagjinueshme, por gjithnjë me hapa kah gremina.
Askush nuk mund të thotë se, mbishkrimi “… viktimat nga terroristët shqiptar”, me shkronjat e një alfabeti tjetër, është i pranueshëm. Pse insistohet që shqiptarët të jenë armiqtë e serbëve? Që sot e nesër gjeneratave të reja të tyre t’u bëjnë përshtypje ai mbishkrim dhe që “amaneti” të mos ndryshoj.