Alushi, lider i ri i St. Paulit

Fillimisht trajnerin e ri, pastaj shpirtin ekipor dhe së fundi skuadra e St. Paulit ka gjetur një lider të ri në fushë. Me vetëm katër paraqitje deri më tani, Enis Alushi po tregohet i jashtëzakonshëm në fushë, duke i dhënë ritëm St. Paulit në fazën ofensive, por po kryen punë edhe në atë defensive.
Dëshmia më e mirë për këtë ishte ndeshja e fundit, të cilën St. Pauli e fitoi 3:0 në shtëpi kundër skuadrës Union Berlin. Paraqitja e Alushit ishte e jashtëzakonshme dhe për këtë në fund të ndeshjes u duartrokit nga tifozët që ishin në tribuna.
“E kam ditur se ka diçka speciale të luaja në atë stadium”, ka thënë Alushi, i cili para fillimit të këtij edicioni iu bashkua St. Paulit nga skuadra e Kaiserslauternit. “Nuk e kam ditur se fitoret janë kaq të ngrohta këtu. Po shpresoj që edhe në të ardhmen do të festojmë fitore Të tjera në stadiumin tonë”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Falë forcës së Alushit në fushë, tifozët e St. Paulit po presin paraqitje edhe më të mira të ekipit në ndeshjet E tjera të Bundesligës 2 të Gjermanisë. Për këtë ata kanë një arsye të fortë për shkak se statistikat e Alushit në fushë janë ato që flasin vetë: 91 prekje të topit dhe 91% saktësi e pasimeve gjatë një ndeshjeje.
Ai deri më tani ka zhvilluar katër ndeshje dhe ka dhënë një asistim, kurse është ndëshkuar edhe me dy kartonë të verdhë.
“Enisi jep pasime të jashtëzakonshme. Ai ka një sy të mirë për këtë dhe falë pasimit të tij, John Verhoek shënoi golin e tretë me Union Berlinin”, ka thënë sulmuesi Marc Rzatkowski. “Ai është i jashtëzakonshëm, pasi organizon mirë sulmin. Falë lojës së tij, të gjithë në fushë po përfitojnë. Është një lider i vërtetë”.
Për Alushin kjo ishte ndeshja e parë te St. Pauli që e luajti 90 minuta. Ai beson se në ndeshjet e tjera do ta ndihmojë edhe më shumë ekipin. St. Pauli pas nëntë xhirove të zhvilluara në Bundesliga 2, renditet në pozitën e dhjetë në tabelë me 11 pikë të grumbulluara.
“Çdo minutë që e luaj këtu më bën më të mirë dhe më mundëson që më shumë ta kuptoj lojën e ekipit”, ka thënë Alushi, i cili këtë edicion i ka 191 minuta lojë në Bundesligën 2.
Për Alushin kjo është skuadra e tretë në Bundesligën 2, pasi më herët ka luajtur edhe me Paderbornin.
© KOHA.net