Eko Higjiena

Alternativa e simbolikave

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj – Përballë Hashim Thaçit rivalët e tij politikë duhet të konkurrojnë me alternativa substanciale e serioze, e jo me simbolika himnesh e flamujsh. Tekefundit, kujt i plas për simbole që njëherë e një kohë mund të kenë qenë fetish i dikujt, qoftë ai edhe Ibrahim Rugova?

Nga të gjitha problemet me të cilat përballen kosovarët, ka shpresë se dy do të zgjidhen sigurt: himni dhe flamuri. Nëse mendoni se çështja e simboleve shtetërore të Kosovës tashmë është zgjidhur dhe ekzistojnë qindra probleme të tjera fort më të rëndësishme, gaboheni rëndë. Kështu të paktën nuk mendon lideri i LDK’së, Isa Mustafa, i cili ka vendosur që fushatës së gjithanshme të kryetarit të PDK’së, Hashim Thaçi, t’i përgjigjet me simbolika.

“Flamuri dardan dhe himni i presidentit Rugova, ‘Kur ka ra kushtrimi në Kosovë’, do jenë simbolet e shtetit të Kosovës, sapo të marrim udhëheqjen e vendit”, ka thënë ai në një tubim me simpatizantë para pak ditësh.

Tetë vjet pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, Mustafa provon ta animojë elektoratin edhe me të tilla premtime, thua se flamuri dhe himni i ish-liderit historik të LDK’së janë çështjet më të rëndësishme me të cilat duhet të preokupohen kosovarët.

Mustafa ka të drejtë të jep edhe të tilla premtime, por në një situatë ekonomike të vështirë, me qytetarë të pllakosur papunësie e varfërie, është luks të merresh me të tilla simbolika. Sepse, nuk është kohë simbolikash, por kohë për prezantim alternativash serioze përballë premtimeve, veprimeve dhe vendimeve të Hashim Thaçit, respektivisht përballë qeverisjes së keqe të PDK’së me AKR’në tash, por edhe me LDK’në e drejtuar nga paraardhësi i Mustafës dikur.

Të merresh me muhabete himnesh e flamujsh personalë të kujtdoqoftë, qoftë ai edhe Ibrahim Rugova, në kohën kur qindra probleme presin zgjidhje, në kohën kur Kosova është kapluar nga krimi e korrupsioni, në kohën kur krejt tjerat janë më të rëndësishme, është tallje me qytetarët. Është shenjë dobësie e joseroziteti përballë arrogancës e keqqeverisjes së Hashim Thaçit, është dorëzim para fillimit të garës. Tekefundit, kujt i plas për himn e flamur që njëherë e në një kohë mund të kenë qenë fetish i dikujt?

Nëse Hashim Thaçi fiton edhe një mandat në krye të qeverisë, kjo nuk do të jetë meritë e tij, por meritë e pjesës më të madhe të opozitës e cila, thjesht, duket e painteresuar të vijë në pushtet. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet gjithë kjo apati e opozitës, duke ia lënë rrugën çelë kryeministrit aktual për të bërë çfarë të dëshirojë, pa e pasur frikën se oponentët e tij politikë do t’i hedhin poshtë me fakte e argumente të bëmat e tij. Të krijohet përshtypja se të gjithë tashmë janë pajtuar të mos fitojnë, respektivisht janë pajtuar se zgjedhjet edhe njëherë do t’i fitojë Thaçi, ndërkaq të tjerët do të përpiqen të përmirësojnë sadopak rezultatetin e subjekteve të tyre politike. Dhe kaq.

Uji Dea

* * *

Nuk është vetëm Isa Mustafa që po premton e po mbështetet në simbolika pa peshë. Lideri i AAK’së nuk lë asnjëherë pa e përmendur simbolikën e 100 ditëshit të qeverisjes së tij. Po që se i pyet qytetarët se çfarë mbajnë mend nga ai njëqindditësh, me siguri nuk do të japin ndonjë përgjigje substanciale. Por, po, do ta mbajnë mend bashkëkeqqeverisjen e AAK’së me LDK’në, pas shkuarjes së Ramush Haradinajt në Hagë, të mbushur plot skandale, që ishte edhe shkaku pse PDK e Hashim Thaçi erdhën në pushtet, me premtimin “zero tolerancë ndaj korrupsionit”.

Lëvizja Vetëvendosje, në anën tjetër, ende nuk është çliruar nga silmbolika e bashkimit kombëtar. Qytetari i varfër nuk e ka mendjen te bashkimi me Shqipërinë, por e ka hallin si t’ia dalë mbanë muajit, ashtu si dhe pensionisti që zor se mund ta çojë muajin në fund me pensionin që merr.

Për AKR’në ndërkaq, simbolika e fitores në Gjakovë duket se nuk po e mban peng këtë parti që të jep alternativa konkrete e përmbajtësore, ndërkohë që të qenit në qeveri bashkë me PDK’në e ngarkon me përgjegjësi për gjithë çfarë ka ndodhur e nuk ka ndodhur në vend.

Subjektet politike opozitare dhe kryetarët e tyre kanë të drejtë të premtojnë çfarë të duan, ama është e pakuptueshme që alternativat e tyre qeverisëse, çfarëdo që janë ato, të ngelin nën hijen e fushatës së Hashim Thaçit.

Shumica e vendimeve të Thaçit janë populiste dhe mbase liderë të caktuar mund ta shohin si rrezik për vota që t’i kundërshtojnë ato. Por, ata nuk po e bëjnë as hapin më të vogël që të tregojnë se cilat janë zgjidhjet që ofrojnë karshi ofansivës së Thaçit.

Një i huaj që mund të qëllojë rastësisht në Kosovë dhe sheh zhvillimet politike këtu mund të mendojë se Hashim Thaçi është në opozitë dhe po përpiqet të vijë në pushtet. Ai me siguri nuk do ta kuptonte logjikën e opozitës dhe qasjen e saj defansive. Lehtë do të mund të konkludonte, si dhe të gjithë qytetarët që mendojnë drejt se këtu dikush nga opozita ose nuk e ka seriozisht, ose nuk ka alternativë qeverisëse serioze, ose bën opozitë sa për simbolikë. E simbolikat premtojnë rezultate simbolike.