Eko Higjiena

Alma Lama: U përballa me propagandë fashiste e radikale, por fitova!

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Alma Lama, njëra ndër deputetet me të guximshme të ish-përbërjes së kaluar, e dëshmuar edhe me fjalorin e saj kritik ndaj shumë zhvillimeve, grupeve dhe individëve, për të dytën herë, merr besimin e qytetarëve të Kosovës, që të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Megjithëse është përballur, siç thotë ajo “me shumë vështirësi gjatë kësaj fushate, e përballur me një propagandë fashiste dhe të ulët të kundërshtarëve politikë dhe grupeve radikale”, ajo ka arritur të mbledhë vota anembanë Kosovës dhe kështu të jetë përsëri deputete e Kuvendit të Kosovës.

E pyetur se sa është e kënaqur me përkrahjen e marrë nga votuesit e LDK-së, deputetja Lama është përgjigjur: Unë kam pasur shumë vështirësi gjatë kësaj fushate, sepse jam përballur me një propagandë fashiste dhe të ulët të kundërshtarëve politikë dhe grupeve radikale.

FIDANISHTJA

“Gjithashtu kam konkurruar në një parti me shumë struktura të shtrira të cilat e kontrollonin votën në një masë shumë të madhe; po kështu unë dhe disa të tjerë që kemi hyrë së fundi në LDK nuk kemi pasur një zonë të caktuar, apo komunë të caktuar ku do të merrnim mbështetjen e strukturave. Ky ishte një hendikep për ne, dhe nga ana tjetër një pabarazi në fushatë krahasuar me kandidatët e tjerë që kishin mbështetjen e degëve dhe pjesën më të madhe të votave e kanë marrë nëpër degët e tyre . Me këtë rast po them se ka ardhur koha që Kosova të ndahet në më shumë zona zgjedhore”, ka thënë Lama.

Megjithatë ajo ka shtuar se ka pasur mbështetjen e mijëra njerëzve, vullnetarë, anëtarë dhe jo anëtarë të LDK-së, dashamirës, njerëz e vlerësojnë për punën që ka bërë në Kuvend dhe qëndrimet e saj të prera ndaj fenomene negative që kërcënojnë Kosovën.

“Kam marrë vota në çdo cep të Kosovës, edhe pse vetë nuk kam arritur të vizitoj, veçse qytetet kryesore. Unë me të vërtetë kam qenë deputetja më aktive, dhe besoj se e kam dhënë një farë kontributi në Kuvend qoftë me punën, qoftë me qëndrimet, por jam e vetëdijshme se kontributi im për LDK-në është modest për shkak se sapo kam hyrë në këtë subjekt. Dhe besoj se kontributi im më i madh deri tani është se në këto zgjedhje një pjesë e votuesve të mi e kanë votuar këtë subjekt, me qëllimin për të më votuar mua”, ka vlerësuar Lama. /Botapress/