FIDANISHTJA

Alkimistët

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Agron Demi – Deklarimet e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, të cilat sipas ligjeve në fuqi, janë të obliguar t’i bëjnë për çdo vit tek Agjencia Kundër Korrupsion, çdo herë shndërrohen në temë debati mediatik. Nëse lexohen me vëmendje të gjithë formularët e deklarimit të pasurisë, mund të nxirren këto konstatime të përbashkëta për zyrtarët publikë:

Mbi logjikën ekonomike të zyrtarëve të lartë publikë

Deklarimet e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, të cilat sipas ligjeve në fuqi, janë të obliguar t’i bëjnë për çdo vit tek Agjencia Kundër Korrupsion, çdo herë shndërrohen në temë debati mediatik. Nëse lexohen me vëmendje të gjithë formularët e deklarimit të pasurisë, mund të nxirren këto konstatime të përbashkëta për zyrtarët publikë:

• Prona e paluajtshme e zyrtarëve të lartë publikë ka vlerë më të madhe monetare në fshat sesa në qytet. Prona e tyre në fshat ka vlerë milionëshe, e cila kur shitet (e që zakonisht shitet), siguron pasuri të madhe të patundshme në qytet (lexo: Prishtinë). Kurse, për qytetarët e tjerë, prona e paluajtshme në fshat nuk vlen as si peng për kredi në banka.

• Shumica e grave të zyrtarëve të lartë publikë janë të punësuara po ashtu në sektorin publik dhe në disa raste paguhen më shumë se burrat e tyre. Nëse merren për bazë të dhënat për punësimin e familjarëve të zyrtarëve të lartë publikë, dikush mund të mendojë se shkalla e punësimit të femrave dhe meshkujve në Kosovë është e barabartë. Kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë për meshkuj është 42.7%, kurse për femra 59.6%.

• Automjetet e tyre personale janë të viteve të fundit, të blera me kilometrazh zero. Kurse, sipas të dhënave të Departamentit për Regjistrimin e Automjeteve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të dhënat për strukturën e vjetërsisë së automjeteve, tregojnë se pjesa më e madhe e automjeteve në qarkullim të cilat përdoren nga shumica e popullsisë janë të prodhuara në vitet në mes 1988-1998.

Mobi Casa

• Pothuajse të gjithë zyrtarët e lartë publikë janë në kredi me shuma mbi pesëshifrore, të cilët janë të obliguar që t’i kthejnë brenda 3-4 vjetësh (aq sa zgjat edhe një mandat qeverisës). Të njëjtët persona që marrin kredi, zakonisht kanë të depozituara para të gatshme në banka të ndryshme komerciale, depozita të cilat janë të barasvlershme me shumën e kredisë që ata kanë marrë.

• Për pjesën më të madhe të udhëheqësve politikë, më të larta janë mëditjet që tërheqin ata gjatë një viti sesa shuma vjetore e pagave që marrin pjesa më e madhe e kosovarëve. Mëditjet e deputetëve dhe udhëheqësve të tjerë sillen ndërmjet 4 deri 6 mijë euro brenda një viti, gjersa për 12 muaj një qytetar i punësuar tërheq pagë 3 mijë euro.

• Për zyrtarët e lartë publikë nuk vlen Ligji i Punës dhe orari i rregullt i punës prej 40 orë në javë. Ata janë mbinjerëzorë dhe mbajnë deri në katër vende të punës. Një pjesë e konsiderueshme e tyre marrin më shumë se një pagë nga Buxheti i Kosovës, i cili mbushet nga taksat e popullsisë, 45.4% e të cilëve nuk kanë asnjë vend pune.

Andaj, pikërisht për këto arsye, në Kosovë ekzistojnë dy realitete ekonomike. Për këtë arsye, politikanët vendorë flasin me plot bindje se gjendja ekonomike në Kosovë nuk është e keqe, se vendi është duke u zhvilluar ekonomikisht, se kemi rritjen më të madhe ekonomike dhe se varfëria po bie. Nga perspektiva e tyre kanë të drejtë. Ata po zhvillohen ekonomikisht.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)