KKVITI

Aliu i LDK-së: Mashtrimi i radhës

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Edhe me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me mediat lokale, kryetari i Komunës mundohet të bëjë mashtrimin e radhës. Duke deklaruar se ky nënshkrim i marrëveshjes është bërë me qëllim që seancat e Kuvendit Komunal të jenë të disponueshme për mediat lokale, faktikisht e pranon që ka disa muaj që është duke e mbajtur punën e Kuvendit Komunal të bllokuar dhe në terr informativ, duke i çkyqur në raste të caktuara edhe kamerat e sigurisë (për tu vërsulur fizikisht dhe për të fyer anëtarët e Kuvendit) ka shkruar Avdyl Aliu.

Reagimi i plotë:

Mashtrimi kësaj radhe me mediat lokale është se puna e pagesës prej 90 euro nuk është diçka e re, e që do të fillojë të ndodhë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Që nga muaji janar e këndej, mediat lokale janë duke u paguar me shumën e njëjtë, bile edhe më shumë se 90 euro.

Disa media lokale (9 sosh), në periudhën janar-maj 2024 janë paguar mbi 10.000,00 euro, e që mesatarisht i bije rreth 240,00 euro/muaj për një media, krejt kjo në emër të informimit publik.
Pra, mbi 10.000,00 euro të paguara kinse për informim publik, por duke e mbajtur në terr informativ organin më të lartë në komunë.

Edhe me këtë rast, qeverisja komunale ka bërë diskriminim ndaj mediave duke përjashtuar disa media nga këto pagesa dhe të tjerat duke i paguar me nivele të ndryshme pagesash, sipas preferencave të dikujt që vendos me shpërnda mjetet e taksapaguesve të Gjilanit ( ka pagesa për nje media deri në 1.620,00 euro dhe për një tjetër 360,00 euro për 5 muaj).

ARKATANA

Pra, nje media është paguar mesatarisht 324 euro/muaj, derisa një tjetër media është paguar mesatarisht 72 euro/muaj.

Kjo e ka veç një emër, diskriminim!
Edhe me rastin e përzgjedhjes në këtë mënyrë të operatorit ekonomik për transmetimin seancave të Kuvendit Komunal, kryetari i Komunës bënë shkelje të Ligjit për Prokurim Publik, duke e shmangur kështu procedurën e konkurrencës dhe mundësinë e garës.

Qeverisja komunale, duke qenë e paaftë dhe me mungesë vullneti për të qeverisë dinjitetshëm dhe në harmoni me kërkesat dhe nevojat qytetare dhe institucionale, vazhdon me mashtrime sikurse edhe kjo me mediat.

Publikisht dhe në mënyrë ceremoniale e pranon se për disa muaj e ka mbajtur të bllokuar punën e Kuvendit Komunal, dhe se tani mundohet të paraqitet si debllokues i kësaj bllokade, por edhe tani “debllokues” duke e shkelur ligjin.

Kjo qeverisje, që në fillim u pa se është qeverisja me këmbë të forta dhe me kokë të fortë.
Këmbët e forta për shkelje ligjesh dhe kokën e fortë për të mos pranuar asnjë këshillë, rekomandim dhe vërejtje nga askush (as nga Zyra Kombëtare e Auditimit).
Mashtrimi ka emër dhe mbiemër!