Aliu i LDK-së: Asambleja Komunale ka funksionuar shumë mirë
Gjilan – Sipas Abdyl Aliut, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Asamblenë Komunale të Gjilanit, Asambleja Komunale ka funksionuar mirë, aty ka pasur një frymë tolerante, u nxorën shumë vendime, por edhe u anuluan shumë vendime të kundërligjshme që i kishte miratuar përbërja e kaluar, kurse primar ka qenë interesi i qytetarëve të Gjilanit.
Në kritikat e shpeshta të opozitës se Kuvendi është shndërruar në instrument të ekzekutivit dhe të kryetarit Lutfi Haziri, Abdyl Aliu i LDK-së ka theksuar se këto akuza janë të paqëndrueshme, duke thënë se për ta primare janë interesat e qytetarëve.
Aliu në një konferencë për media duke pasqyruar punën e grupit të këshilltarëve të LDK-së tha se ia kanë dalë që të shmangin dallimet dhe mospajtimet e dikurshme që kishte pasur ish-kryetari i komunës dhe ish-kryesuesi i Asamblesë Komunale nga i cili më së shumti kishin pësuar qytetarët. “Tashti është krejt ndryshe, ngase ka një koordinim të veprimeve dhe kjo më së miri vërehet nga zhvillimet ne komunë, ka një stabilizim e disiplinë buxhetore, sikurse që ka edhe politika të mira të zhvillimit, transparencë dhe ndryshime pozitive nëse ato krahasohen me të kaluarën”.
Aliu tha se në secilën drejtori kemi stabilizim si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë financiar”.
Për këshilltarët e opozitës, ai ka thënë se do të dëshironte që ajo të ishte më konstruktive e të japin më shumë alternativa e jo vetëm që të kritikojnë, kurse ai nuk është pajtuar se këshilltaret femra janë më pasive se meshkujt. Këtë e kanë pohuar edhe dy këshilltaret e LDK-së në Asamblenë Komunale të Gjilanit, Jehona Hyseni dhe Rina Ahmeti./rajonipress/


