Aliaj: Bashkëshortes kroate i thashë kur e njoha se jam nga qyteti i flamurit

/ 5 minuta lexim

Tiranë – Vasil Ruci, Sokol Kushta, Igli Tare, Adrian Aliaj apo Ervin Skela. Emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, të gjithë me origjinë nga Vlora.

Në ditën e 100-vjetorit të Pavarësisë, në shtëpitë e tyre festa duket akoma më e madhe. Futbolli nuk mund t’i ndahet kësaj dite, pasi kjo lojë i ka bashkuar më shumë se kushdo shqiptarët. Mjafton të përmendësh që baza e ekipit kombëtar është me origjinë nga Kosova, ndërsa përfaqësuesja ka qenë ndoshta e para që ka rikthyer patriotizmin e humbur disi në fillim të viteve ‘90. “Në atë periudhë, niveli i patriotizmit ra, por për fat tani është rikthyer, aq më tepër në kët vit jubilar”, thotë ish-lojtari i kombëtares Adrian Aliaj. Si një shqiptar që e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës jashtë vendit, ai ndjehet krenar që është nga qyteti ku u shpall flamuri. “Kur e kam njohur nusen time kroate, i kam thënë që jam vlonjat, jam nga qyteti i flamurit”, rrëfen Aliaj në një intervistë për Gazetën.

Jemi në 100 vjetorin e Pavarësisë, si po e përjeton Adrian Aliaj si një vlonjat, por edhe një ish-futbollist i kombëtares?

T’ju them të drejtën është një moment shumë i madh krenarie. Për arsye pune, që nuk mund t’i shtyja, unë ndodhem në Vjenë dhe nuk do të jem pjesë e festimeve, por me zemër jam në Vlorë. Nesër (sot), duke qenë një vit jubilar, mendoj se nuk ka shqiptar, nga Zelanda e Re në Polin e Veriut, që nuk ndjehet krenar. Kjo atmosferë në fakt ndjehet kudo, madje edhe në Kroaci, në Zagreb a në Split, në qytetet që ka shqiptarë, janë programuar festime.

Ju keni ikur jashtë shtetit që i ri dhe tek “emigrantët” zakonisht patriotizmi është më i madh…

Kur je jashtë, e kupton mjaft mirë këtë. Ne ikëm në fillim të viteve ‘90 dhe t’ju them të drejtën në atë kohë patriotizmi ra në kufijtë minimalë. Tani jemi rikthyer dhe dalëngadalë edhe atdhetarizmi është në nivele të tjera. Ky është një përvjetor shumë i madh dhe një moment që të gjithë shqiptarët të gëzojnë e të harrojnë për pak orë problemet.

Do të doje të ishe më 28 nëntor në Vlorë?

Sigurisht që po, e kam ndjerë jehonën e festës edhe këtej. Është e jashtëzakonshme dhe një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë. Por, unë me zemër jam aty dhe uroj që kjo festë të sjellë më shumë gëzim te shqiptarët. Në Vlorë është mamaja ime, që uroj të kënaqet në këtë ditë, ku vëmendja është në këtë qytet.

Mobi Casa

Tetë vjet më parë, një ndeshje futbolli ndaj Greqisë, ku ju shënuat gol, solli një gëzim të paparë dhe një moment kur shqiptarët u dukën sërish patriotë, me flamujt që mbushën gjithë rrugët e Shqipërisë. Ndoshta është një krahasim pak i tepruar, por sipas jush, çfarë të përbashkëta kanë këto dy momente?

Ajo fitore me Greqinë mbetet e paharrueshme, pasi, mendoj unë, atë natë ne shkruam historinë. Nuk kujtoj aq shumë golin tim, sesa festën e njerëzve dhe faktin që unë si Adrian kontribuova që për 24 orë, njerëzit në vendin tim të festonin e të harronin problemet. Tani jemi në një jubile, në 100 vjetorin e Pavarësisë, një moment ndryshe, por që unë uroj që të ndihmojë që shqiptarët të gëzohen dhe të harrojnë për pak kohë hallet e tyre.

Ju jeni i martuar me një vajzë kroate, sa e ndjen ajo dhe familja juaj festën e 100 vjetorit të shtetit shqiptar?

Unë jam i martuar me një vajzë nga Spliti i Kroacisë dhe kam tre fëmijë e jam shumë i lumtur. Po ju tregoj diçka: që në momentin që unë njoha bashkëshorten time aktuale, i kam thënë që “unë jam nga Vlora, nga qyteti i flamurit shqiptar”. Nuk e them për krenari, familja ime e di këtë datë dhe fëmijët e mi kur shkojnë në Vlorë e dinë Sheshin e Flamurit dhe gjithë simbolikën e tij.

Është një moment patriotizmi në çdo fushë, si e shikoni idenë e një bashkimi të Ligave të Futbollit të Shqipërisë e Kosovës?

Shikoni, unë nuk flas shumë për politikë, por në futboll mendoj se kjo do të ishte diçka ideale, sepse duam s’duam ne, sot Kosova ka më shumë talente. Te kombëtarja, ky bashkim normalisht ka ndodhur, kurse sa u përket kampionateve, duhet të bëhet. Ata kanë qenë më shpejt në emigracion dhe aty janë rritur breza të rinj e të talentuar. Duke bashkuar dy ligat them se do t’i jepnim më shumë seriozitet futbollit të Kosovës dhe normalisht përfitimi do të ishte i gjithanshëm. Nuk e di sesa mund të realizohet, por do të isha i lumtur që dy federatat të punonin në këtë aspekt.

ALIAJ

Adrian Aliaj është një nga lojtarët më të mirë në historinë e kombëtares, duke shënuar 8 gola me fanelën kuqezi edhe pse ka qenë mbrojtës. Ai mbeti i paharrueshëm për golin spektakolar ndaj Greqisë, në ndeshjen e 4 shtatorit 2004, që Shqipëria e fitoi 2-1. (bw)