ARKATANA

Ali Ahmeti

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Xhemal Ahmeti – Edhe njerëzit që dikur i ka pasur bashkëmilitantë, familjarë dhe miq, e akuzojnë të jetë tjetërsuar për të keq. Ali Ahmeti ka biografi josensacionale mirëpo zhbiruese.

Ajo përmban episode të cilat e shfaqin dikur të ketë qenë “eminenca gri” e lëvizjeve marksiste e diasporës shqiptare dhe sot e shpalosin të jetë faktor relevant i ndonjë province të papeshë në politikën e kontinentit. “Kur del këndej jashtë, nga fjalimet dhe qëndrimet na lë përshtypjen të jetë më patriot maqedonas sesa Gruevski dhe çdo politikan tjetër i etnisë shumicë”, kështu thotë njëri nga diplomatët në Bruksel që e ka takuar disa herë shefin e BDI-së. Është e vërtetë se statementet jashtë e me të huaj të aktivistit të dikurshëm të LPK-së në perëndim janë thirrje për futje sa më urgjente të Maqedonisë në BE dhe në NATO. Është kjo dëshirë e pastër e një “qytetari” besnik ndaj shtetit; mendon se nëpërmjet këtyre integrimeve do të sigurojë barazinë e etnisë së tij me shumicën në pushtet apo ka ndonjë strategji ende të padekonspiruar që do ta habisë shumëkë?

ZAJAZ – PRISHTINË

Studenti i ardhur nga rrethi i Kërçovës shpejt bie në kontakt me militantë të grupit “marksist-leninist të Kosovës”. Referencën për këtë inkuadrim ia jep daja i tij Fazli Veliu që vite më herët, përderisa kishte studiuar Letërsinë në Prishtinë, ishte rekrutuar nga grupi në fjalë. Arrestohet dhe dënohet. Pas një viti burg ikën për në Zvicër ku i bashkohet “Lëvizjes për republikë socialiste në kuadër të Jugosllavisë”. Në fillim vepron si “asistent” i dajës së tij Fazli Veliu dhe Emrush Xhemajlit. Po në këtë funksion merr pjesë në mbledhjen shumë të përfolur nga shërbimet e huaja gjoja se aty është vendosur për opsionin e luftës, takim që mbahet në Klubin “Përparimi” (1992) të Cyrihut e ku merrnin pjesë Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Gafur Elshani me ministrin e atëhershëm të qeverisë kosovare në mërgim Ramush Tahiri. Po ashtu prezent në të njëjtin funksion merr pjesë edhe në mbledhjen “themeluese” të UÇK-së që mbahet një vit më vonë në prani të Azem Sylës, Sokol Bashotës, Kadri Veselit, Hashim Thaçit, Xhavit Halitit, Xheladin Gashit dhe Lah Ibrahimit. Gjatë luftës në Kosovë është njëri nga aktivistët e fondit parembledhës “Vendlindja thërret” dhe agjitator për rekrutimin e të rinjve për në Kukës.

LUZERN – ZAJAZ

Në vitin 2001 kur mban konferencat e para të shtypit në Shipkovicë dhe Selcë të Tetovës si komandant suprem dhe zëdhënës i UÇK-së për Maqedoni, SHBA-ja, BE-ja dhe Zvicra e fusin në listat e zeza të tyre o si “persona non grata” o si “terrorist”. Vende e qeveri të cilat muaj më vonë e ftonin për të biseduar rreth një marrëveshjeje sllavo-shqiptare në Maqedoni. Pas garancive që merr me Marrëveshjen e Ohrit për “legalizim” e grupeve të tij në parti politike Ali Ahmeti shpartallon UÇK-në, vesh kollaren, ndahet nga daja dhe shumë miq tjerë dhe në vitin 2002 formon partinë e tij “Bashkimi Demokratik për Integrim”. As sot e këtë ditë ai dhe partia e tij nuk kanë arritur t’u shpjegojnë shqiptarëve të atjeshëm se për ç ‘integrim e kanë fjalën: integrim të shqiptarëve në sistemin etnokratik të shumicës joshqiptare; integrimin e Maqedonisë në organizatat supranacionale apo integrimin e shqiptarëve të Maqedonisë në ndonjë “Shqipëri etnike” eventuale siç e propagandojnë etnonacionalistët nga Prishtina dhe Tirana? Ndoshta mosshpjegimi është strategji për ta krijuar me qëllim pikërisht këtë konfuzion dhe kërcënim shuminterpretues, i cili është efektiv në çdo situatë gjeopolitike dhe elektorale. Nëse kjo ide a strategji e “djallëzuar” qëndron, atëherë ajo nuk i besohet kapacitetit të Ali Ahmetit, por ndonjë qendre me më shumë kompetenca analitike dhe operative se ç‘mund të jetë kryesia e BDI-së me shefin e saj.

ANALIZA:

FIDANISHTJA

Në çështjet patriotike: Oportunist dhe konfuz.
Në politikë: Lavdëron demokracinë dhe pluralizmin, vepron si etnokrat arkaik dhe vazhdon të besojë në komunizmin.

Perceptimi jashtë: I dëgjueshëm, i besës dhe i nevojshëm.
Perceptimi brenda: Ithtarët e shfrytëzojnë, kundërshtarët e nënvlerësojnë, neutralët konsiderojnë se për momentin s’ka “më të mirë”.

Ethosi: Ateist. Karakter sipërfaqësisht i butë e thellësisht injorues.

Diagnoza: Ali Ahmeti, për shkak të mungesës së alternativave serioze, edhe për një kohë do të mbajë timonin e shqiptarëve të Maqedonisë.

NOTA JONË: Mjaftueshëm!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)