Ali Ahmeti kundër Presidentit shqiptar

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka vazhduar fushatën “Jo presidentit të njëanshëm” në Tetovë, ku kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti theksoi se për objektiva të mëdha duhet pasur guxim dhe se këtij vendi i duhen veprime dhe ndryshime.
“Të zgjedhurit e popullit duhet të kenë guxim për veprim. Sigurisht se për objektiva të mëdha ka edhe kosto, ka edhe çmim por për atë zgjidhemi që të jemi të guximshëm. Këtij vendi i duhen ndryshime, siç kanë filluar ndryshime me statusin e shqiptarëve, Marrëveshjen e Ohrit përfundimin e luftës dhe hapjen e shtegut për negociat”, deklaroi Ahmeti.
Ai komentoi edhe thirrjet e kandidatit të PDSH-së, Iljaz Halimi se do të fitojë në zgjedhjet presidenciale.
“Më vjen keq se ata po bëhen se sikur do të fitojnë. Nëse e kishin qëllimin që të grumbullojnë ndonjë votë, apo të shohin rejtingun se ku e kanë, më mirë të kishin bërë ndonjë sondazh nga ndonjë shtëpi që bën sondazhe për të parë se ku e kanë vendin, se sa për të lodhur profesorin që del thotë se nëse i fitoj zgjedhjet do të bëj shumë mirë për shqiptarët, por po të kishin pasur bindjen se ne vërtetë do të fitonim, ne i kishim hyrë kësaj pune me kohë”, theksoi tutje, Ahmeti.