Aleancë për shpellën

Disa të rinj nga Prishtina kanë vendosur që me çdo kusht ta mbrojnë Shpellën e Gadimes nga shkatërrimi. Ata kanë hapur një faqe në Facebook, me anë të së cilës pretendojnë të mbledhin shumë pëlqime dhe të nënshkruajnë peticione që t’ua dërgojnë organeve kompetente. Mendojnë se me shpellën po bëhet krim i organizuar.
U prekën në shpirt kur morën vesh që Shpella e Gadimes po shkatërrohet. E u ndien shumë keq kur dëgjuan se gurët e çmuar që ndodhen brenda saj kanë mbetur pa ujë e kanë filluar të thahen. Por edhe më vështirë u erdhi kur e panë se askush nuk po merret me të. Prandaj disa të rinj nga Prishtina vendosën të bëjnë çmos e të luftojnë për shpellën.
U bënë bashkë e hapën një faqe në Facebook. Si fillim zgjodhën këtë rrugë, për të kaluar më pas edhe në forma të tjera. Megjithëse qëllimi i tyre është i thjeshtë. Katër të rinj nga Prishtina po duan që me anë të kësaj kampanje të sensibilizojnë opinionin me dëmtimet që po i bëhen njërës ndër pasuritë e rralla që ka Kosova.
Erina Rrahmani njëra ndër katër anëtarët e grupit “Shpëto shpellën”. Ajo thotë se është shumë e prekur me faktin se “Shpella e Gadimes” është në gjendje të mjerueshme, por kohëve të fundit ajo është edhe më keq.
“Me shpellën po bëhet krim i organizuar…Le ta shpëtojmë përpara se të bëhet shumë vonë”, pohon ajo. Aktualisht sipas Erinës projekti është në fillimet e saj, prandaj sqaron se gjithçka në të ardhmen varet nga pëlqimet që merr faqja e tyre.
“Sepse ideja është të mblidhen sa më shumë ‘like ‘që pastaj të bëhet një peticion, i cili do t’u dërgohet organeve kompetente”, sqaron Erina.
Megjithëse sipas saj kjo nismë nuk është projekt të cilin e ka nisur vetë.
“Projekt është i Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), i cili ka për qëllim ta bëjë një kampanjë mediale sensibiliuzuse. Ata na kanë premtuar mbështetje teknike dhe financiare”.
Pajtim Gashi, zyrtar i Institutit Demokratik Kombëtar, thotë se e gjithë kjo kampanjë është detyrë e një projekti të NDI’së të cilin të rinjtë dëshirojnë ta avokojnë.
“Për këta të rinj ishte shqetësuese shkatërrimi i shpellës, prandaj u konsiderua si e nevojshme që të sensibilizohen njerëzit, sepse ka prej tyre që nuk janë në dijeni që shpella në fakt është duke u shkatërruar”, sqaron Gashi.
“Misioni ynë përfundon këtu. Në tash vetëm i monitorojmë ata të rinj se si po u shkon puna”, tha ai.
I gjithë ky shqetësim i këtyre katër të rinjve ka nisur qysh nga gushti i vitit të kaluar kur Komuna e Lipjanit ka lejuar që mbi këtë shpellë të ndërtohet një rezervuar uji. Si pasojë betonizimi i rezervuarit lart dhe dheu që është grumbulluar përreth tij ka bllokuar hyrjen e ujit që binte pikë- pikë në shpellë. Mungesa e këtij uji ka shkaktuar mykun tek aragonitet, që nga ngjyra e bardhë kanë filluar e po nxihen.
E njëjta gjë ndodhi edhe me pjesën që quhej Oda e Lotëve. Të tillë e ka marrë emrin për shkak të pikave që binin vazhdimisht. Por gjendja aty nuk është më e njëjtë. Edhe lotët aty, janë tharë plotësisht.
Kohën kur shpella nisi të thahet, zyrtarët e Komunës së Lypjanit përgjigjen pas ndërtimit të rezervuarit që ka shkaktuar mykjen dhe tharjen e akujve të shpellës nuk duhet kërkuar tek ata.
Sipas tyre, prej që është ndërtuar rezervuari, përgjegjësinë duhet kërkuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ndërkohë në këtë dikaster qeveritar patën thënë se për ndërtimin e këtij rezervuari, ata kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore për të parandaluar dëmtimin e mundshëm të shpellës.
Lejen për ndërtimin e këtij rezervuari zyrtarë të këtij institucioni tregojnë se e kanë dhënë, pasi janë siguruar shkencërisht se shpella nuk do të pësojë ndonjë dëmtim. E hulumtimet në lidhje janë bërë nga një kompani, drejtuesit e së cilës tregojnë se shkencërisht gjithçka është në rregull dhe dëmtimet eventuale brenda në shpellë nuk janë pasojë e rezervuarit.
Fakte: Formimi i stalaktiteve
Për t’u rritur 1 milimetër stalaktit, duhen 30 mijë vjet. Rritjen e tij e mundëson vetëm uji gëlqeror që formohet si pasojë e të reshurave të shiut, i cili përmes dheut e gjen rrugën e bie drejt në shpellë. Kjo rrugë e ujit në Shpellën e Gadimes është bllokuar komplet nga betoni i rezervuarit të ujit, që është ndërtuar sipër saj. Kjo ka bërë që këto stalaktite dhe disa aragonite që janë të vetmet në botë të thahen. Si pasojë e kësaj, ato jo vetëm që tash e tutje nuk mund të rritet, siç kanë bërë deri tash, por shumë shpejt nëse vazhdojnë të mbesin pa unë, ato mund edhe të thahen.(express)