Fidanishtja

Aleanca e LDK-së me qytetarët e Kamenicës do të vazhdojë

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, tha të martën, gjatë bashkëbisedimeve me banorët e fshatrave Topanicë, Roganë, Muqivercë dhe Karaçevë e Epërme dhe e Poshtme të Kamenicës, se alternativa qeverisëse e LDK-së u përgjigjet nevojave të qytetarëve të krejt Kosovës, duke theksuar se besimin e qytetarëve të zgjedhurit e tyre do ta marrin si përgjegjësi për të qeverisur në mënyrë demokratike e transparente.

I shoqëruar nga Shaip Surdulli, kryetar aktual dhe kandidat i LDK-së për mandatin tjetër qeverisës në Kamenicë, Kryetari Isa Mustafa, gjatë vizitës në këto fshatra, u prit nga numër i madh i banorëve, që grumbulloheshin spontanisht dhe bashkëbisedonin me ta.

Gjatë qëndrimit në fshatin Topanicë zoti Mustafa bashkëbisedoi me banorët rreth projekteve të realizuara dhe nevojave të tyre në të ardhmen. Ai tha se ishte i bindur se qeverisja e ardhshme e Kamenicës, e udhëhequr nga Shaip Surdulli, do ta zbatojë me përpikmëri programin e LDK-së për krijimin e kushteve për perspektivë zhvillimore edhe në fshatra.

Po ashtu, Kryetari Mustafa theksoi se qeverisja e LDK-së angazhohet për shpërndarjen e investimeve sipas nevojave të qytetarëve, si dhe për krijimin e kushteve që njerëzit të mund të jetojnë me punën e tyre dhe duke shfrytëzuar resurset natyrore.

Kryetari Mustafa tha se LDK-ja njeh dhe çmon lart kontributin që kanë dhënë banorët e kësaj ane, para, gjatë dhe pas luftës. Ai tha se zgjedhja më e mirë për banorët e këtij fshati dhe komunës së Kamenicës është kandidati Shaip Surdulli dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Kryetari Shaip Surdulli është treguar i përgjegjshëm. Ka punuar me ekipin e tij në të gjitha fshatrat e Kamenicës dhe në qytet. Vendimi ju takon ju ta merrni, ne shpresojmë se do ta vazhdoni traditën e besimit në programin dhe njerëzit e LDK-së”, tha kryetari Mustafa.

Uji Dea

Bashkë me kandidatin Shaip Surdulli, Kryetari Mustafa vizitoi edhe fshatin Roganë të Kamenicës. Ata bënë homazhe te Lapidari i dëshmorëve Emin e Silver Kryeziu, të rënë në Betejën e Koshares si ushtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së.

Edhe me banorët e këtij fshati, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli bashkëbiseduan rreth projekteve të realizuara, si dhe rreth objektivave zhvillimore gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës.

Kandidati për kryetar të Kamenicës, Shaip Surdulli, theksoi se Rogana i plotëson kushtet për t’u bërë komunë dhe do bëhet gjatë qeverisjes së LDK-së.

Gjatë vizitës në fshatin Muqivercë, Kryetari Mustafa dhe z. Surdulli shprehën bindjen se aleanca e LDK-së me qytetarët do të vazhdojë, ndërsa theksuan se për realizimin e premtimeve garanci do të jetë edhe qeverisja e ardhshme e Kosovës, e cila do të drejtohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Gjatë një tubimi spontan në fshatin Karaçevë e Poshtme të Kamenicës, ku ishin mbledhur shumë banorë për ta pritur, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i falënderoi ata për mbështetjen e madhe që po i japin vizionit të LDK-së për qeverisjen e përgjegjshme.

Ai tha se ishte i bindur se banorët e kësaj ane do të jenë mbështetës të alternativës qeverisëse të LDK-së, e cila tha se sivjet do t’i fitojë shumicën e komunave, kurse vitin tjetër do të kthehet në qeverisjen qendrore, për t’ia siguruar Kosovës perspektivën zhvillimore dhe integrimet euroatlantike./rajonipress/