Albulena Borovcit çmimi amerikan për disenjatorët e rinj

New York – Kreatorja Albulena Borovci nga Kosova, e cila studion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është fituese e çmimit “Zelma H. Weisdfeld Costume Design and Technology Award”. Lajmin e ka konfirmuar Instituti për Teknologji i Teatrit i SHBA-së (United States Institute for Theatre Technology).
Borovci është njëra nga nëntë fituesit e çmimeve që ka ndarë ky institut në vitin 2013, në kuadër të “Awards for Young Designers” (Çmimet për disenjatorët e rinj), ku përfshihet edhe çmimi për dizajn të kostumeve.
Borovci do të nisë studimet master për arte të bukura në “Carnegie Mellon University’s School of Drama” në maj. Ajo ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës, më 2010, në degën e skenografisë. Ka studiuar dizajnin e kostumeve në “University of Montana”, në Missoula, në kuadër të programit për shkëmbimin e studentëve, gjatë viteve 2008-2009.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Awards for Young Designers”, për vitin 2013, do të mbahet në mars dhe do të bashkojë mbi pesë mijë njerëz nga bota e dizajnit teatral. Çmimet ndahen për çdo vit dhe organizohen nga “USITT”, që është asociacion kombëtar për dizajnin e arteve skenike dhe teknologjisë profesionale. Nëntë çmimet sponsorizohen nga liderët e kësaj industrie për të nderuar disenjatorët e rinj në fushën e produksionit, zërimit, ndriçimit, kostumografisë, grimit, menaxhimit skenik, dizajnit skenik dhe teknologjisë skenike. Fituesit nominohen nga anëtarët e “USITT”, të cilët zgjidhen nga një panel ekspertësh të të gjitha këtyre fushave. Borovci është nominuar nga Susan Tsu, profesoreshë e dizajnit kostumografik në “CMU”. Borovci ia ka prezantuar panelit një rezume të punës së saj dhe letrat rekomanduese. Portofoli i veprave të saj ka përfshirë dizajnë kostumografikë nga produksionet e “SMU”-së, duke përfshirë edhe komedinë britanike “The Rivals”, në tetor të vitit 2012.
“Kostumet e Albulena Borovcit janë të mrekullueshme”, kishte shkruar një kritik i “Pittsburgh City Paper”. Borovci ka qenë në mesin e 16 të nominuarve për “Weisfeld Award”, që është themeluar nga historiania dhe kostumografia, Zelma Weisfeld, më 1997.
“Portofoli i punës së saj për mua përfaqëson talent të pamohueshëm”, kanë shkruar panelistët e “Weisfeld”. “Dizajnët i kanë të gjitha, aftësinë estetike, idetë që gërshetojnë stile dhe sens të shkëlqyer të projektimit … Albulena Borovci ka sjellë talent serioz në tavolinë”, kanë thënë ata. Borovci do të marrë një shumë prej 1 mijë dollarësh dhe do të regjistrohet falas në konferencën e “USITT”. Në përgjithësi për çmimet “YD and T” të këtij viti kanë qenë të nominuar 60 të rinj. Fituesit do të nderohen në një eveniment special në natën e hapjes së konferencës “Conference and Stage Expo”.
Asociacioni “USITT”, për profesionistët e prapaskenës, ka përafërsisht 4 mijë anëtarë në gjithë botën. Konferenca vjetore që organizohet nga asociacioni ofron më shumë se 200 punëtori e takime për disenjatorët e teatrit profesionist.(koha)