Albright nuk heq dorë nga PTK-ja

Kompania më e madhe dhe më fitimprurëse në vend, Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), për të pestën herë po bëhet gati për privatizim. Për ta blerë atë PTK-në, edhe me tutje vazhdon ta ketë interes kompania amerikane “Albright Capital Management”, e cila drejtohet nga ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright, e cila ishte përzgjedhur për në fazën finale të tenderit për 75% të aksioneve të kompanisë shtetërore të telekomunikacionit, PTK.
Por pastaj ishte tërhequr nga gara. Një burim i sigurt brenda Komitetit Qeveritar të Privatizimit ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se interesimi për privatizim të PTK-së, ende është i madh.
“Interesim ka edhe nga firma Albright Capital Management që të futet në garë për privatizim të PTK-së”, ka thënë ky burim për gazetën. Në anën tjetër ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Fadil Ismajli ka bërë të ditur se procesi i privatizimit është në fazën përmbyllëse.
“Procesi është në fazën e përmbylljes të dosjes për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës”, ka thënë shkurt edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, duke mos dashur të jap detaje rreth interesimit të Albright Capital Managment.
Për pyetje tjera ministri Ismajli ka sugjeruar t’i drejtohem zyrës së informimit të Ministrisë. Por, edhe kjo e fundit nuk ka preferuar që të kthejë përgjigjeje në pyetjet që ka dërguar redaksia për ta.
Mustafa: Interesimi i Albright është sinjal i mirë
E në anën tjetër, Muhamet Mustafa, anëtar i Komisionit për Ekonomi dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, njëherësh kryetar i Komisionit Hetimor për PTK-në, ka thënë se interesimi i kompanisë së Albright është pozitive për këtë proces.
“Nëse Albright merr pjesë në blerjen e PTK-së, ky do të ishte një sinjal pozitiv, pasi që do të thotë se ky proces është kthyer në binar”, ka thënë Mustafa. Sipas tij, kompania e Albright ishte tërhequr pasi që e kishte parë se çdo gjë po shkonte jashtë kornizave ligjore.
Edhe shefja e grupit parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani, ka thënë se pas kësaj që ka ndodhur PTK duhet t’i jepet kohë që t’i ngritët vlera.
“Duhet të angazhojmë një menaxhment ndërkombëtar që të vijë në Kosovë dhe të ngritë vlerën e Postës dhe pastaj të pranojmë ofertat”, ka thënë Selmani.
Ndërsa eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se pas këtyre dështimeve, rruga më e mirë do të ishte që Qeveria e Kosovës të mos ngutet me privatizimin.
“Kësaj kompanie tash duhet t’i hapet mundësia për zhvillim dhe konsolidim. Njëkohësisht edhe të ndryshoj qasjen që ka ndaj saj, ashtu qe ajo te mos shërbej si vend për punësime partiakeve, apo te kushërinjve, si edhe për përfitime materiale nga tenderët”, ka thënë Rexhepi.
Ai madje ka shtuar se është skeptik se këtë mund ta bëjë kjo qeveri. “Meqenëse ajo na ka dëshmuar se ndërmarrjet publike i ka vetëm për zhvatje, e jo si potencial për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për përftime te buxhetit te shtetit”, ka sqaruar Rexhepi.
Zogiani: Procesi të nisë nga fillimi
Avni Zogiani nga “Çohu”, ka thënë se ky proces ka dështuar dhe gjithçka duhet të fillojë nga fillimi. “Në këtë rast duhet të intervenojë Kuvendi që të themelohet një komitet tjetër”, ka thënë Zogiani. Ai gjithashtu ka sqaruar se procesi i privatizimit duhet të jetë shumë transparent edhe nëse “Albright Capital Managment”, futet në garë.
“Nëse i jepet nën tavolinë kësaj kompanie atëherë po përsëritet licenca siç iu dha telefonisë së dytë mobile në Kosovë”, ka thënë Zogiani, duke shtuar se kjo do të krijonte edhe monopol në treg pasi që telefoninë e dytë mobile në Kosovë kjo kompani e kishte themeluar.
Posta llogaritet se i ka sjellë rreth 450 milionë euro të hyra vendit në formë të dividentës dhe taksave përgjatë dekadës së fundit. Përndryshe, Qeveria ka shpenzuar edhe mbi 8 milionë euro për këshilltarët e shitjes – “Lazard Freres S.S.S” dhe “Raiffeisen Investment AG”, “Telco Ag” dhe “Hunton & Williams”.