Albright: Kosova është vend i pavarur dhe si e tillë duhet të njihet

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka pritur në takim ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeline Albright.

Presidenti i ka ndarë medaljen “Urdhri i Lirisë”, sekretares Albright për kontributin e saj në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Keni qenë jeni dhe do të mbeteni gjithmonë heroi i Kosovës, për angazhimin që keni bërë për të parandaluar spastrimin etnik, për të ndaluar të keqen, vrasjet dhe dëbimet, për të krijuar mundësinë e rikthimit të njerëzve në pronat dhe shtëpitë e tyre për të ndërtuar jetën e re, paqen. zhvillimin, progresin, harmoninë për të punuar për reformat demokratike, zhvillimin ekonomik të një vendi të ri evropian për të ardhmen e sigurt në NATO dhe BE”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se Kosova dhe populli i saj janë të bekuar që kanë aleat SHBA-të.

“Gjithmonë raporte speciale me SHBA-të, jemi të bekuar si vend dhe si popull që edhe presidenti Clinton dhe ju si sekretare shtetit edhe pas 20 vitesh jeni rikthyer në shtëpinë tuaj në familjen tuaj për të uruar 20 vjetorin e lirisë së Kosovës. 20 vjetorin e shpresës dhe besimit të vendit që lidhet me kontributin tuaj personal.

Si president i Kosovës dhe mik i juaj, më lejoni që të ndajë çmimin “Urdhri i lirisë” për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, ish-sekretarja Albright ka thënë se ndjehet e nderuar për marrjen e këtij çmimi.

“Faleminderit shumë për këtë nderë. Më duhet të them se asgjë nuk më bënë më të lumtur sesa të jem edhe më shumë pjesë e Kosovës. Jam krenare për çdo gjë që ju keni bërë dhe ne kemi bërë që këto gjëra të ndodhin. Asnjëherë nuk do ta harrojë ardhjen time në Prishtinë pas përfundimit të luftës. Mendoj se SHBA-të kanë bërë gjënë e duhur kur kanë vendosur që të ndihmojnë popullin e Kosovës që të kenë lirinë e tyre. Jam e nderuar që jam këtu me ju për të vazhduar punën për liri dhe demokraci në Kosovë. Kosova është vend i pavarur dhe duhet të njihet si e tillë”, ka thënë Albright. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).