Albin, mos rrej
Nga Arton Musliu- Me rastin e publikimit të dorëheqjes sime nga Lëvizja VETËVENDOSJE! këtë çështje e pata konsideruar të mbyllur. Kjo dorëheqje ka pasur arsyet e saj parimore dhe objektive.
Por pasi që Albini ka gënjye aq shumë përkitazi me këtë çështje kam obligim qytetarë për tu sqaruar para opinionit publik. Në letrën e dorëheqjes sime nga Lëvizja VETËVENDOSJE! të bërë publike me 21.09.2012, për hir të realitetit dhe objektivitetit si dhe për hir të informimit objektiv të të gjithë përkrahësve kam sqaruar shkaqet e kësaj dorëheqje. Shprehur në mënyrë koncize dorëheqja ime ka ardhë si pasojë e dhunimit të Statutit të Lëvizjes si dhe si pasojë e emërimit të servilëve të FER-it nëpër pozita udhëheqëse, me ç’rast koncepti politik i VETËVENDOSJE!-s u relativizua në masë të konsiderueshme.
Pasi dihet se karrieristët e FER-it i patëm ftuar para zgjedhjeve parlamentare që të na bashkohen. Nuk na u bashkuan. Madje na ironizuan. Na përçmuan. Na thanë ne jemi më të mençur se ju dhe fitojmë vet. Nuk fituan. U ftuan nga Albini prapë. Kjo ftesë e pati pazarin shumë të lartë. Sidoqoftë duke pas parasysh se Albin Kurti në emisionin e Adriatik Kelmendit, Rubikon, të datës 16.10.2012, ka thënë një varg gënjeshtrash përkitazi me dorëheqjen time ndjej obligim moral dhe shoqëror që edhe një herë të them të vërtetën.
Thënë sinqerisht kam mbetur i befasuar me faktin që Albin Kurti pa fije turpi e karakteri njerëzor gënjen në të gjitha pyetjet e Adriatikut. Së pari ai thotë se Arton Musliu ka bërë një etiketë por nuk e ka elaboruar! I ftoj të gjithë ata të cilët janë të interesuar që të lexojnë letrën e dorëheqjes sime, të cilën mund ta gjejnë në adresën time të Facebook-ut, në mënyrë që t`i shohin 21 arsyet të cilat unë i kam përmendur si shkaqe të dorëheqjes sime. Nëse 21 arsye të paraqitura për një vendim nuk paraqesin elaborim të një çështjeje atëherë ju keni probleme serioze jo i nderuari Albin. Apo ndoshta Albini ka dashur që të bëjë punim shkencor për këtë çështje. Joseriozitet abnormal.
Kjo është gënjeshtra e parë e tij. Më tej ai thotë kështu ”Unë do të isha diktator pikërisht nëse do të intervenoja që të shkelet Statuti” Është fjala për zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Po qysh more Albin nuk të vjen marre me i rrejt të gjitha ata votues, aktivist e qytetarë, me e përbuzë mirësjelljen dhe përkrahjen e tyre karshi juve përgjatë 7 viteve me radhë! Ku është morali e karakteri yt. Ku është dinjiteti yt! Ku është fytyra jote! Statuti, jo nderuari Kurti, është shkelë pikërisht nga ju dhe servili juaj Dardan Molliqaj sepse ti përmes Dardanit më keni pamundësuar kandidimin tim në zgjedhjet e brendshme. Pra keni intervenuar. Me Statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! secilit anëtarë të saj i garantohet e drejta e kandidimit. Me këtë rast e keni sajuar gënjeshtrën e dytë me radhë. Më tej ai thotë se në Viti nuk ka pas kundërkandidat sepse Arton Musliu ka qenë Sekretar Organizativ!
Në Anamoravë, e sidomos në Viti, është një fjali e cila përdoret shpesh. Kur dikush ia fut kot atëherë atij i thuhet ‘ A je te ditë shka je tu fol’! Po a je te ditë shka je tu fol o Albin. Pse ja fut kot. Si ka mund të ekzistoj posti i Sekretarit Organizativ përderisa ne nuk i kishim mbajtur zgjedhjet e brendshme.
T`i e përçmon Hashimin për nivelin e ulët logjik. Mbase mund të kesh të drejtë. Por kish qenë mirë me këqyrë edhe vetën pak. Apo ndoshta e keni prej sikletit. Sepse kjo vërehej në fytyrën tënde pa lesh. Ndërsa sa përket asaj se ka pasur dy kundërkandidat kjo është gënjeshtër e pastër. Mos rrej Albin. Më tej ju thoni se nuk mund të jem diktator vetëm se i kam krijuar hapësirë FER-it.
Edhe një herë për hir të opinionit duhet të them se të gjithë servilët dhe sahanlëpirësit e FER-it janë emëruar dhe nuk janë zgjedhur në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Për Viti e them me përgjegjësi të plotë se në Kuvendin Zgjedhor të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Viti kam pasur mbështetjen absolute të delegatëve të këtij këshilli. Por duke pasur parasysh rrugën në të cilën ishim duke ecur, duke pasur parasysh se unë përgjatë 7 viteve kam pasur vetëm përgjegjësi dhe asnjë privilegj, nuk kam pasur ambicie, për të mos shkaktua dëm në VETËVENDOSJE! dhe për të vazhduar të kontribuoj në fuqizimin e VETËVENDOSJE!-s në Viti u zgjodha në postin e Sekretarit Organizativ të Qendrës së Vitisë.
Kjo është e vërteta. Këtë të vërtetë e din krejt qytetarët e Vitisë. E më së miri e dinë aktivistët dhe delegatët të cilët u tmerruan me diktaturën tënde. Mirëpo e vërteta tjetër edhe më e dhimbshme është se ju keni emëruar një njeri i cili është pa fije kontributi në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, i rahatuar në botën perëndimore gjatë gjithë luftës, pa kontribut në kauzën kombëtare, kundër bashkimit kombëtarë, anti UÇK, antifetarë apo konkretisht antiislam, madje për këtë edhe ju më shumë vraponi të shkoni në Kishë se sa në Bashkësinë Islame apo Xhami, nuk është konceptualisht i formësuar, totalisht frikacak, pa vullnet dhe dije për tu përballë me oponentët politik dhe mbi të gjitha pa legjitimitet popullor.
Mos të harrojmë se në zgjedhjet e fundit parlamentare ky far bujku ka pas afër 400 votave, në fshatin e tij ka pasur 23 vota. T`i Albin Kurti duke i ndarë postet me pseudopolitikanin Shpend Ahmeti ke dhunua vullnetin e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s dhe mbi të gjitha ke varrosë demokracinë e brendshme. T`i ja kalon Hashim Thaqit. T`i je më i zi se Hashimi. T`i je perfid.
Absurditeti më i madh është që Albini gënjen duke thënë se “vet anëtarët e VETËVENDOSJE!-s e kanë zgjedhë anëtarin e FER-it”. Zhveshja e Albinit nga dimensioni moral e karakteri njerëzor është për të ardhur keq. Nuk është e vërtetë që anëtari servil e karrierist i FER-it është zgjedhur nga anëtarët e VETËVENDOSJE!-s. Kjo nuk ka kuptim. Ai është emëruar nga ju. Sepse ju jeni diktator. Në vazhdim të këtij emisioni Albini thotë se “ky (Arton Musliu) ka qenë Sekretar Organizativ për 1 vit e gjysmë, kur u bëra diktatorë unë”? Pyet ai. Me demek edhe kjo punë është bërë me lejen dhe dijen e tij. Edhe këtu Albini gënjen. T`i nuk je bërë, ke qenë diktator. Vetëm se nuk e kemi ditur.
Diktatori e bën diktatin në momentin që i jepet mundësia. T`i në rastin e parë e ke treguar vetën. E vërteta është se megjithë këto parregullsi e padrejtësi, me gjithë faktin se të gjithë e kemi ditur, duke përfshi edhe Albinin, se anëtarët e FER-it nuk mund të bëjnë politikën e VETËVENDOSJE!-s, sepse nuk e kanë kryer shkollën politike në VETËVENDOSJE!, unë vendosa të vazhdoj kontributin tim këtë lëvizje.
Pa ekuivoke. Pa oscilime. Me gjithë seriozitet. Përkundër joseriozitetit tuaj në qasje. Për një vit e gjysmë kohë, jo i nderuari Albin, unë- Arton Musliu duke kontribuar në aktivitetin e Qendrës së VETËVENDOSJE!-s në Viti, përjashto këtu obligimet statutore të cilat i kam kryer si Sekretar Organizativ, kam bërë më shumë se 10 shkrime autoriale dhe disa prononcime publike të cilat më kanë kushtuar me largim nga vendi i punës.
Mirëpo kjo nuk ka rëndësi. Absurdi më i madh i kësaj çështje është mosgatishmëria e anëtarit të FER-it për tu përball me komunën, pasi egoja e tij ia thotë se duhet të jetë mirë me të gjitha partitë politike në mënyrë që të avancohet në karrierë politike. Tamam imagjinatë e krisur e një karrieristi i cili për tu bërë dikushi, sepse është askushi, pajtohet ta ndryshoj identitetin e tij. Dhe jo vetëm kaq. Ai edhe është zgërdhi disa here me persona publik me të cilët unë nuk flas shkaku i VETËVENDOSJE!-s. Ky është pseudo politikan me qëndrime dhe veprime idioteske.
Gjej diçka konkrete që ka denoncua ky far stereotipi në Viti dhe unë do ti kërkoj falje të gjithëve. Pra unë kam qenë në pozitën e Sekretarit dhe nuk më ka taku të merrem me komunë, por në mungesë të aktivitetit të vartësit tuaj dhe në mungesë të guximit qytetarë të tij për tu përballur me çështje të nxehta në Viti më është dashur që unë ta mbuloi këtë hapësirë.
Në këtë kontekst ky far fermeri i pasulit e i misrit më ka shantazhuar vazhdimisht vesh në vesh, në disa raste edhe duke i blerë disa aktivist me nga 1 drekë apo me nga 10 euro, duke tentuar ta diskreditoj personalitetin tim. Ky është realiteti. Për të gjitha këto unë ju kam paralajmëruar. Vartësi juaj Dardan Molliqaj ju ka lajmëruar gjithsesi. Nuk e keni vrarë mendjen të merreni me këtë problem. Mbase ju ka mundu ndërgjegjja, nëse keni. Krejt në fund Albin Kurti thotë se letra e dorëheqjes sime nuk është serioze. Unë nuk e di çka nënkupton Albini me seriozitet. Nëse të vërtetën nuk e konsideroni serioze atëherë juve ju konsideroj joserioz.
Joserioziteti juaj është qesharak. Mbase adresimi juaj ka dozë të përçmimit ndaj aktivistëve të devotshëm, tek të cilët ke ngrënë buke e ke pijë ujë për vite me radhë. Në kohën kur nuk ke mund ti bësh bashkë 10 veta kanë qenë këta aktivist “joserioz” të cilët me gjithë qenin e tyre kanë punuar për një të ardhme më të mirë. Duke i besuar një njeriu i cili u dekonstruktu si i kalbur përbrenda. Për fund kërkoj publikisht nga ju që mos ta zini në gojë emrin tim.