Albin Kurti: Ramushi dhe Isa s’mund ta imagjinonin njëri-tjetrin për Kryeministër

Albin Kurti po vazhdon të merret me Isa Mustafën e Ramush Haradinajn për të cilët po thotë se s’kishin tru derisa po fantazonin të bëheshin Kryeministra. “As Isa Mustafa e as Ramush Haradinaj nuk mund ta imagjinonin njëri-tjetrin si kryeministër, ndërkohë që edhe Isa Mustafa edhe Ramush Haradinaj nuk mund të mos e fantazonin veten si kryeministër. Pra, kishim dy trupa, një karrige, asnjë tru”, ka thënë Kurti, gjatë një tubimi në Malishevë.
Sipas tij, Isa Mustafa iu nënshtrua Hashim Thaçit dhe PDK’së.
“Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i është nënshtruar PDK-së, përkatësisht Thaçit. Konsultimet që i ka zhvilluar me struktura kanë qenë sa për t’i hedhur hi syve të anëtarësisë së LDK-së, se kinse po konsultohet edhe me të tjerët, për vendimin e mbrapshtë që e kishte marrë tashmë. Nuk bëhet fjalë këtu për demokraci të brendshme, por për keqpërdorim të anëtarësisë dhe strukturave për t’i legjitimuar interesat e tij personale”, u shpreh Kurti, duke shtuar se çështja e pozitës së kryeministrit e rrënoi LAN-in.
Gjithnjë edhe më shumë, filloi acarimi dhe helmimi i atmosferës me militantët e tyre, dhe sa më shumë që e sulmonin njëri-tjetrin, aq më shumë të dy bashkë afroheshin me Thaçin.
“Prej frontit kundër regjimit të PDK-së, përfunduan në garë negative se cili po i afrohet Thaçit më shumë dhe cili po ia zbret pazarin tjetrit më kollaj. As Isa Mustafa e as Ramush Haradinaj nuk mund ta imagjinonin njëri-tjetrin si kryeministër, ndërkohë që edhe Isa Mustafa edhe Ramush Haradinaj nuk mund të mos e fantazonin veten si kryeministër. Pra, kishim dy trupa, një karrige, asnjë tru”, potencoi Kurti.
Ai më tej tha se shpejtësia me të cilën filluan bisedimet mes Thaçit dhe Mustafës, e posaçërisht shpejtësia me të cilën arritën ujdinë, përveç ambicieve të papërmbajtura për pushtet, e ka edhe faktorin tjetër shtesë.
“Shpjegimi shtesë është faktor shtesë. Janë ato 70 dosje, ato 70 lëndë në prokurori për krimin ekonomik dhe urbanistik në Komunën e Prishtinës. Ato lëndë u politizuan nga Ambasadorja amerikane Jackobson, që ia përmendi Mustafës, dhe vetëm dy ditë më pas shkoi e vizitoi ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit, Sylë Hoxhën, prej nga dërgoi porosinë e qartë. Me fjalë tjera: rrini urtë, se do të veprojë drejtësia nëse nuk jeni të dëgjueshëm”, shpjegoi Kurti, duke thënë se Mustafa tashmë e ka pranuar shtetin e kapur nga PDK-ja dhe ka vendosur t’i bëhet argat Hashim Thaçit.
“Situata ishte e thjeshtë. Isa Mustafa e kishte e penalltinë. Ishte ai, topi dhe portieri. Mustafa, vetëm pse kishte portier, nuk e goditi penalltinë, por e dha autogol në anën tjetër!”