RCCOLA

Albin Kurti: Duhet të kemi një ushtri të vërtetë

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, është për krijimin e ushtrisë së Kosovës, thotë deputeti i saj, Albin Kurti. Sipas tij, Kosova duhet të ruaj partneritetin e saj me NATO-n dhe miqtë ndërkombëtar, por formimi i ushtrisë nuk mund të ketë alternativa.

“Natyrisht që kjo do të mund të bëhej me Kushtetutë, por për faktin që ndryshimet kushtetuese janë tejet të vështira aktualisht, ajo duhet të bëhet me ligj. Ne kemi nevojë për një projektligj, i cili Forcën e Sigurisë së Kosovës e bën ushtri”, thotë Kurti.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një bashkëbisedimi me publikun, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Natyrisht që ne kemi edhe dyshimet tona nëse iniciuesi i ligjit, pra Thaçi, e ka seriozisht dhe sinqerisht këtë nismë dhe nëse me këtë projektligj bëhet me të vërtetë ushtria. Por, ne do ta amandametojmëkëtë projektligj në mënyrë që ta kemi një ushtri të vërtetë”, ka theksuar Kurti.

Uji Dea

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në vitin 2009, në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që çoi drejt pavarësimit të Kosovës.

Tri vite më parë, FSK përmbushi kapacitetet operacionale. Autoritetet në vend më pas nisën procesin e rishikimit të sektorit të sigurisë duke kërkuar transforimin e kësaj forcë në një proces që do të çonte drejt krijimit të ushtrisë.

Por, ky shndërrim, duhej të bëhej me ndryshimet kushtetuese që kërkojnë dy të tretat e deputetëve përfshirë dhe dy të tretat e deputetëve të pakicave. Por, kundërshtimi i deputetëve serbë të mbështetur nga Beogradi zyrtar ka penguar procesin e ndryshimeve kushtetuese.

Andaj si zgjidhje alternative, institucionet e Kosovës po provojnë që ky transforim të ndodhë përmes ligjit për FSK-në. (REL)