RCCOLA

Albert Shalën e vranë dhe e hodhën në lum

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Në raportin e mjekësisë ligjore konstatohet se 16 vjeçari Albert Shala, nga Debërlluka e Vushtrisë, u vra dhe më pas trupi i tij u hodh në lum. Prokuroria Themelore në Vushtrri ende nuk ka arritur të dëshmojë se kush e kreu këtë akt. Nën hetime një person. Express sjellë raportin.

I veshur me një bluzë të bardhë, mëngë të përvjela dhe trenerka ngjyrë blu të zhveshura deri në gjunjë.

Ky është përshkrimi që i bëhet të ndjerit Albert Shala, 16 vjeçarit nga Debërlluka e Vushtrrisë.

Shala, u gjend i vdekur breg lumit Sitnicë në tetor të vitit të kaluar.

Në raportin e mjekësisë ligjore, të siguruar nga Express, konstaton vdekjen e tij të dhunshme si pasojë e ngufatjes.

Dyshimet janë se Alberti është mbytur në një vend tjetër, ndërsa trupi i tij është hedhur në bregun e lumit Sitnicë.

“Kufoma e gjetur në dushkajë, pranë lumit, ka qenë në stadin e dytë të kalbëzimit kufumor, kur temperaturat e atyre ditëve nuk kanë qenë të larta dhe në trupin e të ndjerit nuk janë konstatuar dëmtime pas vdekjes, na bëjnë të dyshojmë se trupi i të ndjerit nuk ka qëndruar gjithë kohën aty (i zhdukur prej pesë ditësh)”, thuhet në raportin e Autopsisë.

Arsyetimet në këtë konstatim janë se, në ato temperatura të ambientit vështirë se trupi do të arrinte në stadin e dytë të kalbëzimit kufumor.

“Por edhe sikur kjo të kishte ndodhur është gati e pabesueshme pse nuk kemi dëmtime pas vdekjes nga veprimi i brejtësve, shpendët e ndryshëm apo kafshët”, vazhdon argumentimi i mjekëve ligjor të cilët përplot dy orë e 15 minuta kanë kryer ekzaminimin e trupit të pajetë të të riut- Albert Shala.

Si gjetje kryesore, më 12 nëntor të 2012’ës, kur është kryer ekzaminimi i trupit të pajetë të të ndjerit, janë konstatuar njollat e gjetura në zemër dhe mushkëri si pasojë e mungesës së oksigjenit.

Kjo ka shtyrë mjekët ligjor që ta konstatojnë vdekjen e të riut si të dhunshme dhe pasojë e ngulfatjes, duke hedhur poshtë edhe dyshimet që ishin përhapur në qytetin e Vushtrrisë se viktimës i janë hequr organet e brendshme.

Zyrtarisht, ende nuk është konstatuar se me çfarë forme është kryer ngulfatja.

“Mënyra e vdekjes, pra si ka ardh deri te asfiksia (mungesa e oksigjenit) nuk mund të përcaktohet”, thuhet në raport.

“Me besueshmëri shkencore mund të thuhet se vdekja është e dhunshme, e cila ka ardh si pasojë e mungesës së oksigjenit”, përfundon raporti mjekësor.

Jo zyrtarisht, Express ka mësuar se Alberti dyshohet të jetë ngulfatur me dorë ose jastëk, duke përjashtuar mundësinë e litarit.

Uji Dea

Gazeta po ashtu ka mësuar nga burime anonime brenda Prokurorisë Themelore me seli në Vushtrri, se për vdekjen e Albertit ka dyshime vetëm mbi një person të gjinisë mashkullore – kombësisë shqiptare.

“Po, ka dyshime mbi një mashkull por nuk mund ta bëjë tani publik emrin (i cili është i njohur për redaksinë) sepse nuk ka ende konstatime e as aktakuzë kundër tij, Prokurori është duke pritur përfundimin e hetimeve për të gjetur fakte kundër tij”, ka thënë një hetues i afërt me rastin për Express.

Gazeta ka kontaktuar edhe Prokurorin e rastit, Shyqyri Sylën, mirëpo ky nuk ka pranuar të flas më tepër rreth rastit.

Ai vetëm ka pohuar për Express, se bëhet fjalë për vdekje të dhunshme.

“Në bazë të raportit të Autopsisë është vdekje e dhunshme por ne jemi duke i vazhduar ende hetimet”, ka thënë shkurt Syla.

Pak fjalë rreth rastit kanë dhënë edhe në Policinë rajonale të Mitrovicës.

Zëdhënësi, Avni Zahiti tha për Express se nuk e komentojnë raportin e autopsisë, por edhe se nuk ka zhvillime pozitive për këtë rast.

“Zhvillime pozitive për këtë rast nuk ka ende, nuk kemi tjera detaje nga hetuesia vetëm se hetimet për këtë rast po vazhdojnë”, ishte përgjigja e vetme e Zahitit.

Policia e Vushtrrisë më 6 tetor të vitit të kaluar kishte pranuar për herë të parë informatën se i riu Albert Shala ishte zhdukur.

Atë kohë, i ati i tij Ferki Shala, e kishte raportuar rastin, ndërsa pas pesë ditë kishte marrë lajmin se djali i tij ishte gjetur i vdekur.

Express ka vizituar familjen e Albert Shalës, derisa në një bisedë me axhën e tij, që jeton në Debërlluk, Rexhep Shalën ka kuptuar që ata nuk janë njoftuar për asgjë të re rreth këtij rasti.

“Herën e fundit kur kemi kontaktuar me Policinë dhe Prokurorinë ka qenë ajo hera kur na kanë marrë në pyetje afër 7 anëtarë të familjes. Kemi dhënë deklarata të gjithë. Ne nuk po dimë asgjë më tepër dhe po habitem pse nuk ka asgjë të re as gati pas një viti”, rrëfeu Rexhep Shala për Express.

Çuditërisht, familja Shala e cila ka edhe një djalë të punësuar në Policinë e Kosovës, Baki Shalën, thotë se nuk di asgjë për vdekjen e djalit të tyre.

Ndryshe, Albert Shala kishte vetëm një muaj që kur kishte filluar mësimet e klasës së dhjetë në shkollën e mesme “Bahri Haxha” në Vushtrri, kur ishte gjetur i vdekur pranë lumit Sitnicë.

Për 16 vjeçarin thuhet se nuk ka pasur konflikte me askënd, ndërsa familja e tij mohon të ketë pasur ndonjë hak me dikë. Ata madje thonë se nuk kanë as dyshime në ndokënd.