UBT

Albanologët dhe identiteti në seminarin e sivjetmë

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Programi i këtij viti do të jetë i ngjashëm me atë të viteve të mëparshme.“Sivjet do të vazhdojmë me të njëjtën traditë, do të ketë kurse të tri niveleve të gjuhës shqipe, do të ketë referime shkencore dhe do të ketë sesione shkencore në fushën e gjuhësisë dhe të letërsisë”, ka thënë Bardh Rugova, drejtor i seminarit.

Gjatë seminarit do të ketë kurse intensive të mësimit të gjuhës shqipe, ligjërata të veçanta të gjuhësisë, ligjërata për letërsinë shqiptare, referime shkencore, ligjërata të përgjithshme, tryezë e rrumbullakët dhe program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtaritë kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës. Krahas kësaj më 29 dhe 30 gusht do të mbahet sesioni shkencor që do të ketë dy tema themelore, njëra lidhet me gjuhësinë, ndërsa tjetra me letërsinë.

“Në sesionin shkencor do të jenë dy tema bosht. Në gjuhësi do të diskutohet për ‘Kontributin e gjuhëtarëve të huaj për shqipen në pjesën e dytë të shekullit XX’, ndërsa në letërsi tema bosht do të jetë ‘Letërsia dhe identiteti’”, është shprehur gjuhëtari Rugova.

Për dallim nga vitet e tjera, këtë vit Këshilli drejtues ka qenë më i rreptë në seleksionimin e kumtesave.“Në këtë vit kemi bërë përpjekje në bashkërendim me Këshillin drejtues të seminarit që të bëjmë një seleksionim edhe më të rreptë se viteve të tjera dhe kemi ulur numrin e kumtesave”, ka treguar Rugova për “Zërin”, duke shtuar se edhe botimi i tyre do të kalojë në seleksionim më të rreptë.

RCCOLA

Në “Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare” do të marrin pjesë rreth 139 seminaristë, nga vende të ndryshme si Italia, Polonia atje tashmë ka disa universitete ku mësohet gjuha shqipe dhe natyrisht interesi është pakëz më i madh, pastaj do të marrin pjesë nga Zvicra, Anglia, Sllovenia, Hungaria, Gjermania, Bullgaria, Çekia, Japonia, Kina, Jordania, Siria, Mali i Zi, Franca, Danimarka, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Serbia.
“Në listën që kemi deri tash të cilët janë pranuar janë 139 seminaristë, por prej përvojave të viteve të kaluara e dimë që nuk do të vijnë të gjithë. Numri do të jetë si i viteve të tjera pak më shumë se 100”, ka thënë Rugova.

“Ndërsa në seminaristët pjesëmarrës në referime dhe në sesionet shkencore kemi provuar ta zbresim numrin për hir të cilësisë, jo se kur zbritet numri do të ketë cilësi apriori më shumë por, tjetër është kur i ke 25 kumtesa nuk ke kohë për t’i diskutuar të gjitha, nëse i ke 15 mund të diskutosh për secilën prej tyre. Dhe në favor të këtij diskutimi ne kemi vendosur të bëjmë një reduktim”, ka shtuar ai.“Seminari Ndërkombëtar …” do të ketë rreth 35 seminaristë nga Kosova dhe më pak se kaq do të ketë nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Bardh Rugova thotë se ngjarje të tilla janë shumë të nevojshme për albanologjinë meqë ndikimi i gjuhës shqipe është i vogël në botë dhe qëllimi është të tërheqim vëmendjen dhe të nxisim studiuesit që të merren me shqipen.“Këto janë shumë të rëndësishme për ne, sidomos në këtë periudhë kur sistemi i Bolonjës kryesisht i mbyll degët e vogla për të cilat nuk ka shumë interes ekonomik brenda shteteve të caktuara, sado që është e vështirë ne po përpiqemi ta bëjmë punën tonë dhe ta ndihmojmë albanologjinë”, ka vazhduar më tej Rugova, duke shtuar se në seminarin e sivjetmë ka një interesim më të madh të arbëreshëve të Italisë, pasi për dy vite kishe rënie të pjesëmarrësve nga atje.

“Sivjet kemi disa prej emrave të autoriteteve të reja të albanologjisë, që do të vijnë, jo doemos të reja por që më rrallë kanë qenë këtu, ata do të kumtojnë tema të ndryshme. Me kënaqësi do të përmend Leonadro Mario Savoia, Giuseppina Turano, Gianni Bellscio, Andrey N. Sobolev dhe Aleksander Rosakov. Tema më e rëndësishme për mendimin tim do të jetë tema e profesorit Rexhep Ismajli për prejardhjen e gjuhës shqipe”, ka thënë drejtori Rugova për gazetën.
“Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare” mbështetet nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, nga Ministria e Arsimit dhe nga Komuna e Prishtinës.