RCCOLA

Alban Hyseni dhe drejtorët komunalë kanë raportuar për punën e 100-ditëshe të qeverisjes dhe planifikimin

/ 7 minuta lexim

Gjilan – Nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, është mbajtur të hënën mbledhja e bordit të drejtorëve, e cila ishte e hapur për publikun, e në të cilën kanë raportuar për punën 100-ditëshe dhe planifikimin për muajt në vijim.

Me këtë rast, Hyseni ka thënë se ky 100 ditësh ishte mjaftë dinamik në organizim dhe aktivitete.

Kreu i Gjilanit ka theksuar se transparenca dhe llogaridhënia janë dy standarde të ngritura që do të fuqizohen edhe më shumë në të ardhmen, duke shtuar se kanë vendosur dhe thelluar bashkëpunimin me shumë institucione, organizata dhe përfaqësi diplomatike në vend nga të cilat theksoi se kanë gjetur mjaftë përkrahje.

“Po punojmë shumë në projekte që kanë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik lokal. Do t’i shtyjmë përpara këto projekte duke siguruar edhe mbështetje financiare për realizimin e tyre”, ka thënë Hyseni.

“Në prioritetet tona janë zona ekonomike që do të ofrojë mundësi zhvillimi ekonomik për komunën e Gjilanit. Në partneritet me universitetin UBT dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve tjerë kjo qendër do të bëhet. Po punojmë në Projektin për sheshin e qytetit, shtigjet e hikingut dhe projektin për zgjerimin e rrugës së Malishevës”, ka shtuar Alban Hyseni, duke paralajmëruar se investimet do të kthehen edhe në fshatra si: Shillovë, Demiraj, Bresalc, Perlepnicë, Livoq i Epërm dhe në Lagjen e 8-të.

Fjala e plotë e kryetarit, Alban Hyseni:

Ky 100 ditësh ishte mjaftë dinamik në organizim dhe aktivitete.

Kemi filluar nga me baziket:

Respektimi i orarit të punës dhe disiplinën në pune për të cilat kemi shqiptuar 12 vërejtje me shkrim për zyrtaret që nuk kanë respektuar orarin e punës, kanë konsumuar duhan dhe alkool në hapësirat e administratës komunale. Praktika jo të mira këto nga e kaluara, që kanë marrë fund me fillimin e qeverisjes sonë.

Për t’u përballur me pas me vështirësi të shumta me energjinë elektrike edhe në institucione shëndetësore e arsimore sidomos gjatë fundit të dhjetorit dhe gjatë muajit janar. E kemi menaxhuar mirë situatën e krijuar, duke ofruar shërbimet e nevojshme shëndetësore dhe siguruar zhvillimin e procesit mësimor nëpër shkolla.

Organizuam Qendrën COVID duke e pajisur me shtretër dhe elemente të nevojshme. Organizuam edhe stafin për të funksionalizuar qendrën. Fatmirësisht kjo qendër nuk kishte nevojë të fillonte dhënien e shërbimeve, ky ishte vlerësimi i profesionistëve shëndetësorë. Urojme që të mos jetë e nevojshme, ajo është gati kurdo që rrethanat e kërkojnë.

Kemi vendosur dhe thelluar bashkëpunimin me shumë institucione, organizata dhe përfaqësi diplomatike në vend nga të cilat kemi gjetur mjaftë përkrahje.

Kemi mbajtur takime të rregullta me qytetarë çdo të premte në termine të njëjta. Institucionet komunale janë të hapura tani për qytetarët, sepse ato janë të tyre dhe në shërbim të tyre, gjithnjë. Transparenca dhe llogaridhënia janë dy standarde të ngritura që do të fuqizohen edhe më shumë në të ardhmen.

5 memorandume bashkëpunimi me institucione arsimore të nivelit universitar na sigurojnë për mundësi të mira për komunën, duke angazhuar dijen akademike në projekte zhvillimore për Gjilanin.

Në ditët e para organizuam Flaken e Janarit – aktivitetin mbarëkombëtarë që shndërroi Gjilanin në qendrën e takimit kulturor për shqiptarët nga të gjitha trojet, për 20 ditë aktivitete.

Depolitizuam komisionin e “Flakës…” dhe përgjysmuam mëditjet e anëtarëve të bordit. “Flakës…” i duhet ribrendimi, këtë do ta bëjmë së bashku, me diskutimet publike që do të fillojnë shpejt.

Sheshi “Xhavit Ahmeti” rrezikonte të mbetej barrë e re financiare për komunën, në jo më pak se 93.219.07 € obligime. Parandaluam një gjakderdhje të re financiare.

UBT

Në dekorimin e qytetit për festat e fundvitit kursyem 11.000 €. Kontrata kishte vlerën prej 20.000 €, ndërsa ne e dekoruam qytetin me vetëm 9.000 €.

Me datë 15.03.2022 kanë filluar punimet në Palestrën Sportive në fshatin Zhegër. Po punohet me intesitet të shtuar.

Zotimin për mbështetje institucionale të familjeve strehuese që kujdesen për bonjak tashmë e kemi përmbushur duke i subvencionuar në shumën prej 750€ për 6-mujorin e parë të vitit për çdo familje.

Pa filluar mirë punën, në ditët e para u paraqiten borxhlinjtë e Komunës që nuk janë të paktë dhe jo pak sfidues për vullnetin tonë të madh për të ndryshuar kahjen e udhëheqjes së Gjilanit. Shpronësimet janë barra që kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar.

Ndryshimi nuk ka gjithmonë nevojë për kosto, ai është i mundur edhe me menagjim dhe organizim më të mirë, e për këtë e kemi edhe vullnetin edhe synimin.

Gjetëm shumë parregullsi në shumë projekte e shumë kontrata, si Stadiumi i Qytetit, Tregu etj. Ne po verifikojmë ato për t’i adresuar tutje. Tashmë jemi të sigurt se shumë punë janë bërë në të kaluarën pa projekte të mirëfillta, prandaj kemi shumë projekte të papërfunduara e me probleme shumë komplekse, ne po i trajtojmë kujdesshëm ato.

Po punojë shumë në projekte që kanë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik lokal. Do t’i shtyjmë përpara këto projekte duke siguruar edhe mbështetje financiare për realizimin e tyre.

Në prioritetet tona janë zona ekonomike që do të ofrojë mundësi zhvillimi ekonomik për komunën e Gjilanit. Në partneritet me universitetin UBT dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve tjerë kjo qendër do të bëhet.

Po punojmë në:
– Projektin për sheshin e qytetit,
– Shtigjet e hikingut dhe
– Projektin për zgjerimin e rrugës së Malishevës.

Ekonomisë së Gjilanit dhe zhvillimit të turizmit e shtimit të aktiviteteve kulturore do t’i ndihmojë edhe projekti për Kalanë e Pogragjës për të cilin po punojmë ngushtë me Universitetin e Prishtinës dhe Institutin Arkeologjik te Kosovës e Qendrën e Trashëgimisë Kulturore.

Investimet do të kthehen edhe në fshatra. Tashmë kemi të gatshme projektet për rregullimin e hapësirave publike për fshatrat: Shillovë, Demirtë, Bresalc, Perlepnicë, Livoq i Epërm dhe në Lagjen e 8-te.

Digjitalizimin e shkollave, bibliotekës dhe administratës po e trajtojmë si nevojë të domosdoshme për të rritur cilësinë në arsim dhe për të lehtësuar marrjen e shërbimeve duke zvogëluar burokracinë dhe racionalizuar koston.

Panairin ekonomik mbarëkombëtar do ta mbajmë në Gjilan gjatë muajit korrik. Gjilani do të jetë qyteti nikoqir që do të mirëpres biznese dhe investitorë nga vendi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina dhe Diaspora. Për këtë po bashkëpunojmë ngushtë me kryeministrinë dhe ambasadën e Shqipërisë në Kosovë.

Do të ndërtojmë Qendrën e re të Mjekësisë Familjare në lagjen Arbëria. Të premten do të nënshkruajmë marrëveshjen për bashkëfinancim me donatorin.
Gjithashtu, do të ndërtojmë 10 shtëpi për qytetarët në nevojë, edhe kjo përmes donatorëve.

Zotimin për udhëheqje profesionale dhe të ndershme veç se e kemi përmbushur me emërimin e drejtorëve të rinj, të cilët me angazhimin e tyre po dëshmojnë çdo ditë për dinamikë të shtuar të punës dhe përkushtim të madh për ta bërë ndryshimin për të cilin edhe jemi zotuar.

Ftoj qytetarët që të mbajnë në nivelin e duhur të përgjegjësisë qeverisjen e re duke bashkëpunuar, për Komunën që siguron mundësi të barabarta për të gjithë, pa dallim.

Ndërkohë, në këtë mbledhje ka raportuar edhe nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina – Bunjaku dhe drejtorët e drejtorive komunale.