Alarmi i odës

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Në një hulumtim të vetin, Oda Ekonomike e Kosovës alarmon për një valë shtrenjtimesh të artikujve bazë në muajin tetor të këtij viti. Këtë e bazojnë në rritjen e çmimeve ndërkombëtare në produktet nga drithërat dhe gruri. Kërkojnë urgjentisht nga institucionet krijimin e një pakoje sociale shtesë për kategoritë me të rrezikuara.

Kulmi i krizës në Kosovë pritet të jetë muaji tetor. Kështu paralajmëron Oda Ekonomike e Kosovës, e cila alarmon për një valë shtrenjtimesh të artikujve bazë në ketë muaj.

Zyrtarët e Odës Ekonomike të Kosovës këto konstatime i bazojnë në rritjen e çmimeve ndërkombëtare në produktet nga drithërat dhe gruri.

Sipas hulumtimit të kryer nga Oda, javët e fundit në bursat botërore ka ndryshime drastike, sidomos rritje të çmimeve të produkteve bazike, pra produkteve që shërbejnë edhe si lëndë e parë për shumë produkte të tjera.

Në Bursën e Çikagos, që është referencë e çmimeve të produkteve bazike, në dy muajt e fundit ka rritje të çmimeve deri në masën 50 për qind. Shembull, çmimi i misrit ka pësuar rritje enorme. Nga 8205 dollarë për fuqi në 16.915 dollarë për fuqi. Ndërsa parashikimet për rendiment për ketë vit janë 849.8 milionë në nivel botëror, që është dukshëm më e vogël se rendimenti i vitit të kaluar që ka qenë në vitin 2011 prej 876.8 milionë tonë në nivel botëror.

“Në përgjithësi, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimet e drithërave nëse merret mesatarja e vendeve të rajonit, kanë rritje 2.22 për qind”, thuhet në hulumtim.

Të gjitha këto pritet të reflektojnë edhe në Kosovë.

Kreu i Odes Ekonomike, Safet Gerxhaliu thotë se nëse nuk ndryshon diçka që do të ndikonte në rritjen e rezervave në nivel botëror, deri në tetor të këtij viti, çmimet e produkteve bazike do të rriten deri në 10 për qind.

Fundamenti

Ai tha se në Kosovë ka ngritje të çmimeve dhe nuk ka punësim dhe se ky është një sinjal i qartë që institucionet duhet të bëjnë më tepër, në forcimin e pakos sociale.

“Ajo që brengos më tepër aktualitetin ekonomik, është rritja e mundshme e çmimeve të artikujve ushqimor. I kemi analizuar disa fakte dhe shifra shqetësuese në realitetin kosovar. Jemi nisur nga fakti që 325 mijë qytetarë përfshihen në asistencë sociale dhe kjo nënkupton që rreth 20 për qind e popullsisë janë të varfër dhe të gjithë këta janë të orientuar në asistencë sociale, të cilat nuk mjaftojnë falë standardit jetësor, që shumëkush e krahason Kosovën, si një shtet me standard dhe çmime evropiane dhe të hyra afrikane”, pohoi Gerxhaliu.

Bazuar në këto parashikime, sipas tij, Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se duhet të gjinden modalitete, si të minimizohen pasojat e kësaj krize edhe në tregun kosovar bazuar në indikatorët paraprakë.

Daljen nga kjo situatë, Gerxhaliu e sheh edhe orientimin në prodhimin vendor.

“Ne si OEK kemi lobuar dhe kemi avancuar partneritetin dhe dialogimin me Qeverinë e Kosovës dhe vërtet orientimi kyç ka qenë që të jemi të orientuar në prodhimin vendor, jo vetëm për të promovuar vlerat e Kosovës, jo vetëm për të promovuar rëndësinë e ndërmarrësisë kosovare, por dhe të forcohen indikatorët ekonomikë, që do të vinin si rezultat i forcimit dhe i avancimit të prodhimit ”, pohoi Gërxhaliu.

Ndryshe, OEK-u me qëllim të krijimit të një garancie të stabilitetit ekonomik dhe politik, rekomandon që urgjentisht të fillojë krijimi i rezervave shtetërore, së paku të mos vazhdojnë pasojat edhe vitin tjetër. Të përshkallëzohet TVSH-ja për produkte bazike, drithëra sheqer dhe vaj, si e vetmja mundësi për të mbajtur fuqinë blerëse pa rënë.

Gjithashtu, të subvencionohet nafta dhe plehrat, që janë përdorur në kultivimin dhe korrjen e kulturave bujqësore të drithërave dhe të përgatitet një pako sociale shtesë për kategoritë më të rrezikuara.(express)