Alarm. Shteti po falimenton!
Nga Lavdim Hamidi – Kosova asnjëherë më parë nuk ka qenë më afër falimentimit sesa që është aktualisht. Krejt kjo si pasojë e rritjes enorme të shpenzimeve dhe njëkohësisht rënies së të hyrave buxhetore. Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, para gjashtë muajve vendosi t’i rrisë për 25 për qind pagat e gjithë shërbyesve civilë dhe njëkohësisht paralajmëroi edhe rritje të njëjtë të re të pagave, prej fillimit të vitit të ardhshëm.
Të mos flasim edhe për vendimin e fundit për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Shkup, e cila do t’i kushtojë buxhetit të shtetit më shumë se 600 milionë euro, pa dhënë ndonjë sqarim konkret se si do të sigurohen paratë për ndërtimin e këtij projekti të madh infrastrukturor.
Se nuk ka para në buxhetin e Kosovës për rritje të sërishme të pagave prej 25 për qind, e tha gjatë një interviste për “Zërin” edhe zyrtari i lartë i FMN-së, Jascue Miniane, duke e sqaruar se buxheti i shtetit nuk ka mundësi ta mbulojë këtë rritje të shpenzimeve për paga.
Shtrohet pyetja se si mund të mbulohen shpenzimet e tilla në kategorinë e pagave dhe shpenzimeve kapitale, kur Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) po realizon shumë më pak të hyra se viti i kaluar, e të mos flasim se sa është më poshtë se plani për grumbullimin e të hyrave për këtë vit? Edhe Dogana s’po arrin ta realizojë planin e të hyrave për këtë vit, si pasojë e rënies së importeve në vend.
Këto paralajmërime të ekspertëve ndërkombëtarë mund edhe të mos i marrë seriozisht historiani Hashim Thaçi, i cili për qëllime elektorale i rriti aq shumë pagat në sektorin publik, duke e rrezikuar qëndrueshmërinë financiare të vendit.
Por, e pakuptimtë është se si për rreziqet e tilla buxhetore asnjëherë deri më tani nuk doli të flasë publikisht doktori i ekonomisë, Isa Mustafa.
Ky i fundit e di shumë mirë se sa është vënë në pikëpyetje qëndrueshmëria financiare e shtetit, kur pagat në sektorin publik për më pak se një vit pritet të rriten për 50 për qind, bazuar edhe në premtimet e fundit të kryeministrit për rritje të reja të pagave nga janari 2015, në kohën kur ekonomia e shtetit nuk po rritet më shumë se 3 për qind në vit.
Isa Mustafa dhe liderët e tjerë të opozitës e kanë pasur mundësinë që rritjen e pagave prej 1 prillit 2014, në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, pasi që vendimi i kryeministrit Thaçi ka qenë i jashtëligjshëm, pa ndodhur rishikimi i buxhetit. Mirëpo, arsyeja kryesore pse një vendim i tillë nuk është dërguar në Kushtetuese ka qenë se liderët opozitarë kanë menduar se do të bëhen më jopopullor në prag të zgjedhjeve.
Përkundrazi, ata do të mundë të fitonin më shumë përkrahje të qytetarëve në zgjedhjet e 8 qershorit, nëse do ta parandalonin shtetin nga një paqëndrueshmëri e tillë financiare, duke i argumentuar pasojat e vendimeve të tilla dhe njëkohësisht duke premtuar një strategji konkrete për hapje të vendeve të reja të punës për kosovarët.
Përfundimisht, nëse nuk ndërmerren hapat e nevojshëm për zgjidhjen e krizës politike dhe ndërmarrjen e masave urgjente ekonomike, duke e miratuar deri në fund të vitit edhe buxhetin e vitit 2015, atëherë ekziston frika se falimentimi i shtetit më të ri në Evropë do të jetë çështje muajsh.


